Home » Kulturë, Lajme » Skicë: MBRESA, NGA NJË TAKIM I KËNDSHËM…

Skicë: MBRESA, NGA NJË TAKIM I KËNDSHËM…

Me mirëkuptim, po ua paraqes një fotografi, që e kemi bërë sot, bashkë me disa kolegë e miq, në afërsi të Medresesë së Tiranës. “Sebepçiu” ishte arsimtari e publicisti Sejdo Harka, nga Përmeti. Ai pret këto ditë një lajm të gëzueshëm, se do t’i dalë nga shtypi libri i ri, “Modernët e kohës”, në të cilin ka mjaft shkrime, për autorë shqiptarë e të huaj.

Murat Gecaj

B.Xhama, M.Gecaj,F.Harito, F.Toti e S.Harka

Nga e djathta: B.Xhama, M.Gecaj,F.Harito, F.Toti e S.Harka (Tiranë, 28 korrik 2015)

Sejdua më njoftoi se kishte lënë një takim për kafe, bashkë me mikun tonë të përbashkët e të pandarë, publicistin dhe shkrimtarin e njohur, Bardhyl Xhama-“Mësues i merituar”. Po, aty do të ishte i pranishëm edhe dr.Foto Toti, me të cilin mua më lidhnin disa “fije” të kahershme, qëkur kemi shërbyer të dy në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), në vitet ’70-të të shekullit të kaluar. Më pas, ai ishte pedagog dhe shef klinike, për stomatologjinë, në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës.

Sapo u rehatuam rreth një tavoline, ku ishin edhe miqtë e tjerë, Fatos   Harito e Sokrat Meksi, Bardhyli (“më i shkathi, më i shpejti”) na qerasi me karamele dhe përpara na vuri nga një shishkë me raki. Duke thithur kafetë ose çajin (unë), biseda u bë mjaft interesante. Megjithëse Bardhyli e kërkoi disa herë fjalën, unë e Fotua, pothuajse, nuk i lamë radhë të shprehej!?(ha,ha) Pra, ne të dy, sollëm në bisedë sa e sa episode dhe ngjarje, nga ato vite të qendrimit tonë në rrethin e Tropojës, unë me rininë e kulturën dhe ai në sektorin e shëndetësisë. Fotua kujtonte, deri në imtësi, udhëtimet e kryera në krahinën e thellë të Nikaj-Mërturit, por dhe në Dragobi, Valbonë e Çerem, si dhe në krahinën e Bytyçit (Pac, Kam etj.) Ai përmendi edhe mbresat nga takimet me atdhetarin Hazir Malësia (në fshatin Margegaj), shakatë  e Ali Mulës, udhëtimet e paharruara me mjekun kirurg dhe mik të malësorëve, të ndjerin dr.Flamur Nishani etj.

E thënë përmbledhurazi, dr.Fotua edhe pse kanë kaluar kaq vite, nuk e harron, por bile e kujton me nostalgji,  kohën e bukur të shërbimit të tij, ndërmjet malësorëve të dashur e mikpritës të atyre anëve.

Por edhe Bardhyli, me detyrën e ish-gazetarit të “Mësuesit”, foli për vizitat në atë rreth. Ndër to, veçoi një natë të paharruar, mik në shtëpinë e malësorit bujar, Ukë Arif Hajdarmataj, në fshatin Zogaj të atij rrethi, baba i arsimtarit e publicistit, Ibrahim Hajdarmataj. Uka është ndarë nga jeta kohët e fundit, në moshën mbi 95-vjeçare dhe Bardhyli dërgoi mesazh ngushëllimi për atë.

Sigurisht, në raste të tillë, përveç tregimeve dhe kujtimeve nga vitet e shkuara, bëhen shaka miqësore. Kështu, unë u thashë atyre se i kam “kusherinj” edhe pse Fotua, Bardhyli ose Sejdo etj. janë nga rrethet jugorë të Shqipërisë. Kjo vjen jo vetëm për njohjet e shumta, që kemi, por edhe nga kurushqitë e lidhjet tjera, me njëri-tjetrin.

Jam i ndërgjegjshëm se fjalët e shkruara në këtë skicë të shkurtër e të thjeshtë, nuk paraqesin interes të veçantë për masën e lexuesve. Por dëshiroja të nënvizoja se, takime të tilla të bukura, mbresëlenës e të këndshëm ndërmjet kolegëve e miqëve, sikur na gjallërojnë dhe na e zgjatin jetën, sidomos ne, që jemi në moshën e tretë.

Prandaj, gjej rastin që, përmes këtyre radhëve modeste, t’i përshëndes kolegët e miqtë e mi të mirë Bardhyl Xhama, dr.Foto Toti, Sejdo Harka, Fatos Harito Harito e Sokrat Meksi dhe t’u uroj nga zemra: Shëndet të plotë, jetegjatësi dhe begati e mbarësi, gëzime e lumturi, vetjake dhe familjare!

Tiranë, 28 korrik 2015

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch