Home » Lajme » Skicë: ME BRAÇEN, NE JEMI DHE “PIMË” KAFE PËRDITË…

Skicë: ME BRAÇEN, NE JEMI DHE “PIMË” KAFE PËRDITË…

Nga: Murat Gecaj

Ibrahimi, Murati, Vironi e Sejdo

Nga  e djathta: Ibrahimi, Murati, Vironi e Sejdo (Tiranë, 19 mars 2016)

Sigurisht, shumëkush nga ju nuk e njeh nga afër kolegun e mikun tonë të përbashkët, arsimtarin veteran e publicistin Ibrahim Hajdarmataj, të cilit ne i flasim për shkurt, “Braçe”. Ai jeton në fshatin e bukur dhe të dëgjuar, sidomos për mjaltin e tij, Zogaj i Malësisë së Gjakovës (Tropojë). Nuk e di me saktësi, por ata nuk e kanë vetëm 5-7 km larg qytetin e Gjakovës, duke kaluar nëpër Qafën e Prushit.

Qëkur ka mbaruar shkollën e mesme  dhe të lartën, Ibrahimi ka shërbyer me përkushtim në vendlindje, në sektorët e kulturës dhe arsimit. Ka qenë mësues, por dhe drejtor i Gjimnazit, me emrin e atdhetarit të njohur, Hoxhë Zogu. Megjithatë, për afër 50 vjet, ai ka qenë i pranishëm, jo vetëm në veprimtaritë e zhvilluara në atë rreth, por edhe në kryeqytetin Tiranë e më gjerë. Një lexues i vëmendshëm e ka parë emrin e tij, në sa e sa shkrime të gazetave qendrore dhe tani në faqe të ndryshme Interneti. Prandaj nuk ishte e rastësishme që, kur ai bëri një vizitë në Londër, kohët e fundit, drejtori i faqes  së Internetit “Fjala e Lirë”, dr.Fatmir Terziu i kushtoi një shkrim të posaçëm takimit me të.

Ndoshta, u zgjata paksa, ndërsa dëshirooj të theksoj që, për ta bërë portretin e plotë të Ibrahimit, duhen faqe të tëra. Por vetëm tregoj se, në rrethin miqësor të disa kolegëve, si Bardhyl Xhama, Viron Kona, Sejdo Harka etj., kur takohemi për kafe ose veprimtari të tjera, gjithnjë është “i pranishëm” edhe Braçe. Jorrallë, atë e përshëndesim edhe me celular, atje ne Zogaj.

Ibrahimi tani ka një bazë të fortë në Tiranë, ku jetojnë e punojnë tre djem të tij dhe vajza vazhdon shkollën e lartë. Ndërsa vetë ai, me bashkëshorten mësuese dhe djalin e vogël, i cili gjithashtu ka kryer arsimin e lartë, janë “të ngulur” aty, në fshatin e lindjes, Zogaj. Por shpesh herë vijnë edhe në kryeqytet, për qejf ose për arsye të ndryshme. Kështu ndodhi edhe këto ditë, kur ai ishte këtu me bashkëshorten. Me këtë rast, përveç punëve e detyrave vetjake, Ibrahimi gjeti rastin dhe u takua disa herë me ne. Për ta “dokumentuar” këtë pohim, kësaj skice të thjeshtë po i bashkëngjes një foto (jo aq cilësore). Ne kaluam bashkë një kohë të mirë dhe i uruam atij e bashkëshortes udhë të mbarë, për në vendlindje. Sepse Braçen tonë Zogajt e tërheqin gjithnjë, si një magnet i fuqishëm. Megjithatë, asnjëherë ai nuk është i shkëputur  jo vetëm nga djemtë e vajza e tij, por edhe nga miqësia e tij e gjerë, në kryeqytetin tonë.

Sot, sapo ata shkuan nga Tirana, në Kukës e Krumë dhe pastaj në Zogaj, tërë kohën Ibrahimi mbajti lidhje të pashkëputura me ne, përmes celularit, deri sa arritën shëndosh e mirë në shtëpinë e tyre.

Me këtë rast, kolegut e mikut tonë të dashur, Ibrahim Hajdarmataj, i urojmë nga zemra shëndet e gjitha të mirat, si vetjake e familjare! Jemi të bindur se, së shpejti, ai përsëri do vijë këtu, do të takohet me ne dhe do të bisedojmë e të çmallemi, së bashku!

Tiranë, 20 mars 2016

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch