Home » Kulturë, Lajme » Skicë: PO JU FLAS PËR DISA “KUSHERINJ” TË MI…

Skicë: PO JU FLAS PËR DISA “KUSHERINJ” TË MI…

Nga: Murat Gecaj

1.

Nuk do të shkruaj shumë radhë, në këtë skicë të thjeshtë. Sepse jam i ndërgjergjshëm që shumica e lexuesve e dine ose e kuptojnë mire, si përmbajtjen dhe mesazhin e tyre. Megjithatë, më falni, se po rendis vetem pak fjalë…

Jo një rast, ka ndodhur që jam ndodhur i pranishëm në veprimtari të ndryshme, përurime librash, festa a ditëlindje etj., në mjedise të kryeqytetit tonë. Më është dhënë mundësia edhe të flas aty, pra t’u drejtohem të ftuarëve në sallë. Disa herë, që në fillim, kam thënë këto fjalë: “Të nderuar e të dashur kushërinj!…” Ka ndodhur që, këto fjalë, edhe kanë shkaktuar “kundërshtime” nga salla, duke m’u drejtuar: “Çfarë kushërinjesh na ke ti, ne, që jemi nga: Vlora, Kolonja, Gjirokastra, Përmeti, Shkodra, Korça, Durrësi…etj., kurse ti je nga Tropoja?!” Në vazhdim, me qetësi, ua kam “vërtetuar” atyre se i kam “kusherinj”. P.sh., u kam treguar se bashkëshorten e kam nga Shkodra; në shtëpinë tonë Gecaj kemi 4 nuse nga Vlora; dhëndrrin e kam nga Lozhani i Korçës; vëllai im i madh e ka patur gruan nga Ganajt e Gjirokastrës; baxhanakun e kam nga Leskoviku etj.etj. Pra, gjithë fëmijët tanë, a nuk janë të një gjaku?!…Sigurisht, “kundërshtarët” e mi, pastaj, më kanë dhënë të drejtë. Se kaq është Shqipëria jonë, të gjithë jemi me lidhje të pashkëputura dhe të afërm me njëri-tjetrin.

2.

V.Kona, K.Tarelli, B.Xhama, M.gecaj e S.Harka

Nga e majta:V.Kona, K.Tarelli, B.Xhama, M.gecaj e S.Harka (Tiranë, 27 mars 2016)

Tani, e shoh se u zgjata paksa. Prandaj, për “ilustrim”, po ndalem vetëm në dy takime të këtyre ditëve, të cilët po ua shoqëroj me fotografi. Në rastin e parë, kur unë kisha ditëlindjen, u mblodhëm e pimë kafe bashkë, një grup i vogël publicistësh e shkrimtarësh: Unë-nga Tropoja, Bardhyl Xhama-nga Saranda, Viron Kona-nga Vlora, Kadri Tarelli-nga Durrësi dhe Sejdo Harka-nga Përmeti…

Ndërsa një ditë tjetër, pothuajse rastësisht dhe pikërisht më datën 31 mars, kur po e përcillnim edhe këtë muaj, u takuam e pimë kafe bashkë: Unë, studiuesi Isa Halilaj-nga Kukësi, shkrimtari Dhimitër Xhoga-nga Përmeti dhe Shpëtim Agolli-nga Korça…

Dh.Xhoga, M.Gecaj, I.Halilaj e Sh.Agolli

Nga e djathta:Dh.Xhoga, M.Gecaj, I.Halilaj e Sh.Agolli (Tiranë, 31 mars 2016)

…Pra, ju përshëndes përzemërisht, të gjithëve, ju “kusherinj” të mi, që ndodheni kudo, në të gjitha qytetet e fshatrat e Shqipërisë sonë të dashur, të begatë e të bukur, por dhe ju, që jeni në emigracion! Paçi kurdoherë vetëm të mira e begati, gëzime e lumturi, si vetjake dhe familjare!

Tiranë, 2 prill 2016

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch