Home » Kulturë » Skicë: “PO KËNDON DILA GECAJ!…”

Skicë: “PO KËNDON DILA GECAJ!…”

Skicë:

“PO KËNDON DILA GECAJ!…”

Nga: Murat Gecaj

D.Gecaj, në skenë…(Shkodër, 17.12.2014)

 D.Gecaj, në skenë…(Shkodër, 17.12.2014)

1.

Bashkë me nipin tim, po prisnim një avion udhëtarësh, të linjës Nju Jork-Frankfurt-Rinas. Pamë në tabelën përkatëse dhe aty njoftohej se ai do të zbriste në pistë, në orarin e caktuar. Me vështrimin e përendruar, arritëm ta dallonim njeriun, që ne prisnim dhe që një udhëtar e ndihmonte në valixhet e saj. Sapo na pa, ajo na u hodh në qafë, duke na thënë: “Lumja unë, mirë se ju gjeta!..” Ishte zëri aq i njohur i këngëtares shqiptare, nga Gjakova dhe me banim në Amerikë, Dila Gecaj. Sigurisht, shpejtuam për në kryeqytet dhe atë e lamë të pushonte në hotelin, që kishte zgjedhur vetë. Siç e dinim dhe më parë, aty do të vinte nga Athina, mikja e saj këngetare, Lindita Gjoka.

Mbrëmjen e kaluam së bashku, pra me Dilën e Linditën, ku erdhën Silvana Braçe e miku im i kahershëm, krijuesi i njohur Sulejman Mato. Sigurisht, bisedat tona ishin të këndshme dhe silleshin, sa rreth ngjarjeve të përjetuara ndër vite, por dhe në ditët e sotme. Ndërsa temë kryesore për tri miket tona ishte, se si do t’i incizonin këngët e tyre, në klipet e parashikuara. Por, njëkohësisht, e kishin me shumë kënaqëesi pjesëmarrjen në shfaqjen, e cila do të organizohej në Amfiteatrin e ri dhe të bukur, “Blu Sky” të Shkodrës.

Këngëtarja Dila Gecaj

 

Këngëtarja Dila Gecaj…

2.

Dita e pjesëmarrjes në shfaqjen te “Bly Sky” erdhi shpejt. Duke u interesuar, bashkë me miqtë e mi, av.Gjin Niklekaj, me të shoqen Bardhën dhe dr.Mhill Gecaj, na thanë se Dila ishte në dhomën e përgatitjeve për të dalë në skenë. Me ndjenjë padurimi për t’u takuar me të ishte edhe e reja Ana Geci, që kishte ardhur aty, posaçërisht nga Lezha, me të jatin Ndrecën, nënën Liza e pjesëtarë tjerë të familjes.

Sakaq, në sallën e tejmbushur ra heshtja. Drejtuesit e shfaqjes, Silvana Braçe e Bujar Asqeriu ua lanë radhën këngëtarëve e valltarëve. Të gjithë ishin të përqendruar në skenën, që na dukej se lëkundej nga ritmet e këngëve e valleve popullore. Artistët, të veshur me rroba shumëngjyrëshe, po sillnin në sallë jehohën e këngëve e melodive të Nikaj-Mërturit e të Shqipërisë së Veriut, por dhe të Shkodrës e krahinave tjera të Atdheut tonë.

Sipas programit,  Silvana i njoftoi me mikrofon pjesëmarrësit në shfaqje, se para tyre do të dilte këngëtarja, tashmë, aq e njohur për komunitetin shqiptar në Nju Jork e më gjerë, Dila Gecaj. Në krahë kishte dy vajza vendëse, Ervisa dhe Emirjana Rrgallën. Me një veshje të bukur popullore dhe tërë buzagase, ajo i përshëndeti shikuesit dhe u kërkoi lejë që, në fillim, do të recitonte vjershën e saj, që ua kishte kushtuar sportistëve tanë atdhetarë, gjatë ndeshjes së zhvilluar në Beograd, ku u përballën me racizmin e njohur serb.

Pastaj, zëri “tiskë” e melodioz i Dilës e pushtoi sallën, me këngën e parë, “Lene nanën, lene babën”. Ajo u shoqërua nga duatrokitjet e pandërprera të pjesëmarrësve. Më tej, vazhdoi të interpretojë këngën tjetër, gjithashtu aq e bukur e domethënëse,”Sytë, për ty, i kam me lotë”. Sigurisht, dashamirësve të interesuar u kujtohej, në ato çaste, se janë shumë këngë të tjera të Dila Gecajt, që i gjejnë dhe i dëgjojnë në “You Tube” të Internetit. Të tilla janë dhe ato me titujt: “Motra e Gjergjit”,”Mirë se t’ gjeta, toka ime”, “Oj Kosovë, kullë e ngjeshur”, “Qaj lulije” etj.

Nga e majta D.Gecaj e L.Gjoka

Nga e majta: D.Gecaj e L.Gjoka…

 

Dila e kishte mbaruar këngën e dytë dhe nuk i bëhej të largohej nga skena. Donte t’i përshëndeste dhe t’i falënderonte vëllezërit e motrat e saj të një gjaku, për pritjen entuziaste dhe duartrokitjet e tyre të zjarrta. Pastaj, ajo u gjend e rrethuar nga dashamirës të saj, si Ana me të jatin, dhe  disa nga ata shpejtuan të bënin fotografi me të. Sigurisht, ky do të mbetej një kujtim i paharruar në veprimtarinë artistike, por dhe në tërë jetën e saj.

Në vazhdim të programit, që përmenda më lart, radha i erdhi Lindita Gjokës, mikes së ngushtë të Dilës. Ajo interpretoi bukur këngën “O Zot, kështu pse më ke mallkuar!?”. Sidomos përmes FB, shpesh kemi pare, se si ajo merr pjesë aktive në shfaqjet e ndryshme, që organizojnë bashkatdhetarët tanë, në kryeqytetin e Greqisë, Athinë.

3.

Në këtë skicë përmenda vetëm dy këngëtare, pra Dila Gecajn e Lindita Gjokën, që morën pjesë në shfaqjen e organizuar në Amfiteatrin “Blu Sky” të Shkodrës, në pragun e Vitit të Ri 2015. Por dhe shumë këngëtarë të tjerë e grupe valltarësh, u pritën me kënaqësi dhe u duatrokitën mjaft nga pjesëmarrësit, në atë veprimtari të bukur e mbrësëlënse artistike. Sigurisht, në të ardhmen, këto këngëtare, pra Dila e Lindita, do të vijnë sërish në mesin e adhuruesve të zërit të tyre të bukur. Se jeta jonë nuk mund të kuptohet pa artiste të tilla të pasionuara, që tërë jetën e tyre e kanë të lidhur ngusht me artin tonë popullor. Prandaj, gjejmë rastin që ato t’i përshëndesim, t’i përgazojmë dhe t’u urojmë arritje të reja dhe sa më të bukura, në fushën e interpretimit të këngëve të popullit tone-artist.

Tiranë, 12 janar 2015

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch