Home » Opinione » Solange d’Angely: “Sa herë që shkoj në Përmet kam mall të puth gurët e shtëpisë, ku është lindur dhe rritur nëna ime. Me duket sikur puth nënën time shqiptare, që e kam dashur kaq shumë”.

Solange d’Angely: “Sa herë që shkoj në Përmet kam mall të puth gurët e shtëpisë, ku është lindur dhe rritur nëna ime. Me duket sikur puth nënën time shqiptare, që e kam dashur kaq shumë”.

 Dr. D’Angely, Kalorese e “Legjonit te Nderit”, dekoruar nga Presidenti francez Sarkozy disa muaj me pare; vajza e albanologut me te madh francez, Robert d’Angely, kam dashur ta takoj shumë herë kur

ajo ka qenë në Shqipëri. Ajo gjithmonë e zënë me punë…  ashtu si nënë Tereza, ka ndihmuar shumë fëmijët shqiptarë.

U desh nje Konferenca në UNESCO, që unë të shkoj në Paris dhe të

bisedoj me Solange d’Angely. Numrin e saj të telefonit ma pati dhënë

mikesha ime e ndjere Afërdita Balla, ndaj dhe i telefonova në mbrëmje nga dhoma e

hotelit, për të siguruar një takim në ditët e qëndrimit tim në Paris. Ajo më tha se do

të ishte në një nga sallat e UNESCOS, ku do të ndihmonte piktorin shqiptar

nga Maqedonia, Omer Kaleshi, për çeljen e ekspozitës së tij, ndaj mund do të

shiheshim aty ose në zyrën e Ambasadores së Shqipërisë në UNESCO,

zonjës Tatiana Gjonaj, me të cilën u takova e biseduam përzemërsisht. Ajo

është një grua e dashur, e mençur dhe e sjellshme, që me shkathtësinë e saj

intelektuale, punon me zell e përkushtim për vlerat e vendit. Përpjekjet e saj

ishin përqendruar në futjen e Gjirokastrës dhe Beratit, në vendet e

trashëgimisë botërore.

Në pushimin e dytë të konferencës, tek po vështroja nga dritarja një makine

me targe CD, menjëherë më shkoi mendja tek makina e ambasadës sonë që

po sillte pikturat e ekspozitës. Që aty zbriti me shpinë nga unë një meso

grua, me pantallona e xhakavento, mbështjellë me një shall jeshil. Kur ktheu

kokën e njoha zonjën Solanzhe dhe i trokita nga xhami. Ajo me përshëndeti

dhe ma bëri me dorë që të prisja aty. U takuam me dashuri sikur të ishim

njohur prej kohësh.

Shkuam së bashku me makinën e Pirros, shoferit të ambasadës sonë në

Paris, në Bulevardin Shans Elize. Para se të ndalnim këtu ai na fotografoi të

dyja, duke pasur nga mbrapa Kullën Eifel. Pasi ecëm për një orë në këmbë,

u ulëm në një nga kafet e rrugës që të çon drejt Harkut të Triumfit.

Ndërkohë Solanzha fliste e fliste duke me shpjeguar gjithçka për shëtitoren

ku kalonim. Unë i thosha se Parisin e kam pasur të lidhur me emrin tim, prej

shkrimtarit të madh frëng, Viktor Hygo, që e ka pasur Kozetën, heroinën e

romanit “Të mjerët”.

Solanzha thotë se ka lindur duke pasur në shpirt dashurinë për

Shqipërinë, të mëkuar nga e ëma dhe me këtë dashuri është rritur, por u

desh të kalonte shumë kohë, derisa u bë 35 vjeçe që të shkelte në tokën

Shqiptare. Dhe të gjitha përpjekjet për të ardhur në Shqipëri i bëri më tepër

për mamanë e saj, që atëherë ishte 69 vjeçe dhe nuk kishte shkelur në tokën

mëmë, qëkurse ishte martuar.

U deshën të kalonin 50 vjet që atëherë dhe më në fund ato të dyja e

shkelën tokën shqiptare. Solanxha kujton se ka qenë 15 qershori i vitit 1971,

ku me një avion të linjës pakistaneze, që ka bërë për shumë pak kohë linjën

Londër-Paris- Tiranë dhe Karraç, ato morën këtë linjë direket nga Parisi në

Tiranë dhe për tre orë mbërritën, në tokën kaq shumë të dëshiruar, në

vendlindjen e mamasë.

“Në aeroportin e Rinasit në Tirane kemi mbërritur vetëm 4 vetë; unë me

mamanë time dhe profesor Miljezi me gruan e tij.

Më dukej vetja si një reportere, që kisha ardhur me shërbim për të zbuluar

një vend të panjohur dhe isha shumë e emocionuar, se si do të ishte momenti

kur do të vija këmbën në këtë tokë, aq të dashur e të shtrenjtë për nënën time,

në vendlindjen e saj – thotë ajo. Gjatë udhëtimit, mbyllja sytë dhe mendoja;

“Amstrongu kishte vënë këmbën në hënë në atë kohë por unë , në cilin

planet do të shkelja?..” Rinasi ishte i vjetër por shumë i bukur më është

dukur, plot lule e diell. Njerëz të shumtë kishin ngjeshur fytyrat pas xhamave,

për të na parë. Vetja mu duk si në ëndërr dhe nga ai “gjumë” më zgjoi zëri i

policit që fliste: “Pasaportat, ju lutem. Të gjithë këta njerëz që presin këtu

janë për ju, janë kushërinjtë tuaj. U habita. Ishin mbi 60 vetë dhe të gjithë

ishin kushërinjtë e mi, kjo ishte surpriza ime e parë. Nuk qenkam në hënë –

mendova- por në planetin e panjohur me emrin Shqipëri”.

E ëma ishte një shqiptare gazmore nga Përmeti, që edhe kur ishte e trishtë,

këndonte. Ndaj ajo vlerëson shumë, si një nga dhuntitë me të mira të

shqiptarëve, këngën.”Mamasë sime sikur i këndonte zemra, në çdo punë që

bënte “- thotë ajo.

Solanzhes, me një shpirt të pastër e të gjerë, human, që fëmijë i ishte

imponuar profesioni i mjekut, duke dashur që kështu t’i ngjante gjyshit të

vet, për të vetmen arsye; humanizmit.

“Në Shqipëri për herë të parë, kam qenë vetëm 40 dite, – thotë ajo, por me

dukej sikur kisha jetuar me vite. Edhe gjuhën, që me dukej sikur e kisha

harruar, më ishte ngulitur në kokë që nga feminia, sikur u rizgjua dhe morri

përmasat e vërteta, duke folur me kushërinjtë e mi, pasi mamaja gjeti aty

motrat dhe vëllezërit, të cilët tashmë ishin bërë me fëmijë. Dhe dashuria ime

me e madhe ishte për fëmijët, pasi unë isha mjeke pediatre.

Atëherë isha me flokë të gjatë dhe bionde e të gjithë me shihnin sikur të

isha Brixhide Bardo. Problemin e diktaturës unë nuk e kam njohur, vetëm

shihja që mes tyre kishte mungesa të mëdha, që me të dukshme ishin në

veshjet dhe në mënyrën e jetesës. Megjithatë shqiptarët sakrifikojnë shumë,

që miku të mbetet i kënaqur .

Për mua ishte një çudi edhe mënyra e mjekimit të fëmijëve. Aty

përdoreshin shumë antibiotiket dhe unë fillova të bëja vizita mjekësore me

metodën frënge, ndonëse kishte edhe nga ata që nuk më pëlqenin, por

shumica kishin nevojë për mua.

Kjo më bëri që në Shqipëri të kthehem shpesh edhe me shpesh, madje të

kërkoj të punoj aty. Kur u ktheva në Paris i thashë shefit tim; “Unë duhet të

shkoj ta ushtroj mjekësinë në Shqipëri, pasi aty ka më shumë nevojë për

mua.”

“Kjo është një gjë e bukur -më tha ai- por ti do ta shohësh vetë, që edhe ti

do të ndryshosh metodë dhe do të bëhesh si ata, pasi duhet t’u përgjigjesh

mungesave të tyre dhe do të zbatosh metodat e tyre.”

Përgjigja e tij nuk më pëlqeu por ai kishte shumë të drejte.

Unë kam qenë në Turqi, në Egjipt, në Angli, në Meksike, në Marok, etj.

Por që kurse shkela në tokën shqiptare, ndjeva se edhe unë jam shqiptare

dhe duhet të bej shumë për këtë vend. Ndaj që atëherë ndihma ime për

Shqipërinë nuk ka reshtur asnjëherë .

-Çfarë mendoni për shqiptarët, – e pyeta, dhe ajo mu përgjigj:

-Kam parë shumë breza të rriten nga fëmijë, të bëhen prindër dhe të

edukojnë fëmijët e tyre. Do të thosha se brezi i parë ishte me tepër idealist,

brezi i dytë me kokën të traumatizuar nga diktatura dhe brezi i sotëm, që

mendon më tepër për të ardhmen; për të mësuar biznes, gjuhë të huaja por

me një dëshirë shumë të madhe për të ikur.

Me thënë të drejtën edhe unë aty po të isha, do të doja të shihja se si ishte

bota jashtë. Por jo të sakrifikoja ëndrrat dhe ambiciet e mia, vetëm për të qenë

në një shtet të huaj, pasi shumë intelektuale, që kanë ardhur edhe këtu në

Paris, bëjnë punë të rëndomta dhe kjo mua nuk më pëlqen. Ata shqiptarë më

dhimbsen sepse shkelin mbi krenarinë e tyre, madje shpesh edhe me

hipokrizi, pasi megjithëse nuk kanë patur sukses, detyrohen të gënjejnë, tu

nënshtrohen kushteve të vendit ku shkojnë dhe nuk duan të kthehen në

vendin e tyre, megjithëse nuk janë të kënaqur . “Do të sakrifikojmë – thonë –

për fëmijët”, por mua kjo nuk më pëlqen.

Të gjithë kanë pritur ndihma nga unë, veçanërisht ata që janë të papunë

apo me rroga të vogla, por edhe ne këtu nuk i marrin paratë me lopatë, por

i fitojmë me mund dhe me djerrsë. Prandaj edhe kam ndihmuar me të gjitha

mundësitë, sepse e shoh që ka ende nevojë për ndihmë. Për këtë kam

krijuar shoqatën në ndihmë të fëmijëve të sëmurë dhe kam dërguar shumë

ndihma në veri dhe në vende të ndryshme, veçanërisht në periudhën e

krizës së Kosovës. Kam shkuar në Tropojë, në Lushnjë, në Përmet në

Elbasan, në Qerret etj, Në Shqipëri kemi organizuar edhe Kongresin e

Frankofonisë, ku kemi pasur sukses, qysh në 9 maj të vitit 1992, së bashku

me 8 mjeke, doktorë dhe profesorë nga Franca. Kemi festuar 10-vjetorin e

Shoqatës “Në ndihmë të fëmijëve shqiptarë”, nën kujdesin e ambasadores

shqiptare në UNESKO- Tatjana Gjonaj- thotë ajo dhe më jep një album nga

kjo veprimtari, që ka në koperinë dhjetëra portrete fëmijësh shqiptarë, që

Solanzha i ka fotografuar vetë, në Shqipëri dhe vazhdon:

– Fëmijët që nuk kanë mundësi të trajtohen në Shqipëri, i kemi ndihmuar

që të vijnë këtu në Paris dhe të bëjnë një kurë me mjekime të ndryshme, për të

cilat kanë nevojë . Tani shoqata e ka më të vështirë, sepse edhe unë jam në

pension, por dy koleget e mi së bashku me vajzat e tyre që kanë ardhur me

mua në Shqipëri, kanë ndihmuar me gjithë shpirt, megjithëse nuk kanë

pasur lidhje gjaku me Shqipërinë.

-Kam pasur fatin të lexoj librin “Enigma” botuar nën kujdesin tuaj, nga

Shtëpia Botuese “Toena” shkruar nga babai juaj Robert d’Angely, ç’mund të

më thoni për të?

-Im atë ka lindur në Paris me 22 dhjetor 1893 dhe vdiq në Paris me 22

tetor 1966. Ishte biri i një inxhinieri francez, që punonte në shërbim të

Perandorisë Osmane, si inxhinier për rrugët dhe urat. Për shkak se i ati

lëvizte vazhdimisht nga profesioni, im atë ka përshkuar gjatë fëminisë dhe

rinisë së tij, së bashku me prindët Turqinë, Greqinë, Shqipërinë, etj. Ai e

njihte shumë mirë jugun e Shqipërisë, në veçanti krahinën e Përmetit,

Dangëllisë, Frashrit dhe gjithë Epirin. Ai njihte mirë zakonet, ritet, këngët

popullore, jetën e përditshme të këtij populli të varfër dhe krenarinë e tij

legjendare.

Në vitin 1924 ai u martua me nënën time, një shqiptare nga Përmeti, e

bija e doktorit Josif Bënja, që kishte qenë në Delegacionin shqiptar në

Konferencën e Londrës në korrik 1913, për caktimin e kufijve të Shqipërisë.

Nëna ime ishte grua e gëzuar dhe me kuraje, që mua më ka shëmbëllyer

forcën dhe magjepsjen e gruas shqiptare.

Kur isha fëmijë babai më merrte gjithandej, veçanërisht në libraritë në

Odeon, në bulevardin Saint-Michel dhe bukinistët përgjatë Senës, ndaj i

dua librat.

Vetëm shumë kohë pas vdekjes së tij dhe pasi kisha vizituar Shqipërinë,

unë rastësisht shfletova dorëshkrimet e tij, një pjesë e mirë e të cilave ka

humbur. Kjo për mua ishte një tronditje dhe një zbulim, për një varg çështjesh

lidhur me Shqipërinë dhe gjuhën shqipe. Shpresoj që këto punime të botuara

në 5 vëllime, që me siguri im atë ia ka kushtuar Shqipërisë, do të japin

ndihmesë për hulumtimet e albanologëve dhe të gjuhëtarëve Shqiptarë, për

t’u dhënë përgjigje pyetjeve të shumta rreth lindjes e formimit të gjuhës shqipe.

Gjuhëtari dhe etnologu frëng Robert d’Angely, ka qenë pedagog i shqipes në

Shkollën Kombëtare të Gjuhëve Lindore në Paris dhe madje mësues i shqipes

për studiuesin e njohur francez Mario Roku, që ka botuar fjalorin e Frang Bardhit.

Sipas tij :”Gjuha shqipe ka pasur në lashtësi dhe deri në kohët e fundit një

rëndësi të madhe dhe një evoluim letrar të mrekullueshëm e të pakrahasueshëm;

u përket shqiptarëve të sotëm të vazhdojnë këtë evoluim, ta thellojnë gjuhën e

tyre dhe ta zhvillojnë me tej”.- shkruan ai në “L’enigme”, vol.III-të.

Momentin më të bukur të jetës Solanzha thotë se e kishte në Shqipëri, ku

ka marrë Medaljen e “Nënë Terezës”.

-Gjithashtu- thotë ajo- kur kam takuar Nënë Terezën. Isha duke shoqëruar

një grup në Shqipëri në vitin 1989. Ishte korrik dhe ishim në një panair libri

në Durrës. Unë po kthehesha me aparatin fotografik në sup dhe u shtanga

kur u ndodha përballë saj. Jam mrekulluar dhe emocionuar njëkohësisht, sa

që nuk kam mundur të bëj as edhe një foto, megjithëse aparatin e kisha në

sup, mua që rrallë më kanë shpëtuar momente të tilla të veçanta.

U emocionova kaq shumë sa nuk e di se çfarë biseduam. Pastaj ajo hyri

në makinë morri diçka dhe duke më zgjatur dorën, më futi diçka në të dhe

ma mbylli dorën. Unë ngela si e shtangur dhe e lumturuar njëkohësisht dhe

nuk lëvizja nga vendi, derisa më larguan ata që e shoqëronin. Kujtoj që në

mes tyre ishte edhe doktoresha Adelina Mazreku. Nënë Tereza, që unë e

kam idhull, së bashku me bekimin, me kishte lënë gjashtë copë medaljone të

Shën Mërisë, të cilat i shpërndava nëpër njerëzit që dua, sikur të doja të

shpërndaja kudo mirësinë e saj”.

Solanzha premton se do të vijë sërish në Shqipëri. Ndër projektet për të

ardhmen ajo thotë se, është duke u përgatitur për një Kongres që do të behet

në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, për të ndihmuar fëmijët me

sëmundjen e talasemisë, që ndodhen në Shqipëri. “Ka shumë nevojë për të

ndihmuar në depistimin për sëmundjen e talasemisë, pasi Shqipëria nuk

ka të dhëna të sakta për këtë. Duhet të punojmë për ngritjen e një laboratori

të specializuar në Shqipëri, duke ndihmuar edhe në specializimin e

personelit për këtë punë. Vetëm nuk dua që të kemi probleme me

specializantet, pasi vijnë për t’u specializuar dhe mbeten këtu. Duhet që ata

të kthehen dhe të punojnë për Shqipërinë, në Shqipëri, me vullnetin e duhur

për të kontribuar në vendin e tyre.

Nga Kozeta Zavalani

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch