Home » Lajme, Sport » Sonte luhet ndeshja kualifikuese për Euro 2020, Kosovë – Bullgari

Sonte luhet ndeshja kualifikuese për Euro 2020, Kosovë – Bullgari

E gjithë vëmendja e opinionit në Kosovë, sonte, do të jetë e përqendruar në stadiumin “Fadil Vokrri”, aty, ku do të zbresin në fushë futbollistët e Kombëtares së Kosovës në debutimin e tyre në kualifikimet për Euro 2020 përballë Kombëtares së Bullgarisë.

Interesimi për këtë ndeshje ka qenë i jashtëzakonshëm dhe vetëm personat më fatlum kanë arritur të pajisen me biletë. Sidoqoftë, të gjithë ata që nuk do të jenë në stadium, atmosferën dhe emocionet e kësaj ndeshjeje do të mund ta përjetojnë nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejt në RTK HD, me komentim të Arben Berishës, derisa për ata që nuk do të kenë mundësi që ndeshjen ta ndjekin nëpërmjet televizionit, atëherë për rrjedhën e ndeshjes do të mund të informohen nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejt në RTK Radio, si dhe në faqen zyrtare RTKlive.com.

Para kësaj ndeshje tejet të rëndësishme përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes është shprehur optimist, por edhe i matur, duke e vlerësuar Bullgarinë si njërën prej kundërshtarëve më të fortë me të cilët është përballur deri më tash Kombëtarja jonë. Në anën tjetër atmosfera tek futbollistët është jashtëzakonisht e mirë dhe të gjithë po e presin me padurim fillimin e ndeshjes, derisa tifozët “Dardanët” janë përgatitur maksimalisht për ta përkrahur fuqishëm Kombëtaren për fitore në këtë duel. Neshja Kosovë-Bullgari fillon në orën 20:45.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch