Home » Lajme » Sot iu dha lamtumira e fundit Dritëro Agollit

Sot iu dha lamtumira e fundit Dritëro Agollit

Dritero Agolli varrimiDritëro Agolli u kthye dhe njëherë në Pallatin e Kongreseve, por këtë herë jo për të kritikuar anëtarët e partisë e as për të dëgjuar poezitë e tij të kthyera në këngë. Këtë herë ai erdhi në arkmort, përpara të cilit u përkulën të gjithë, që nga fshatarët, për të cilët nuk rreshti të thurte vargje, e deri tek drejtuesit më të lartë të politikës, të cilët po ashtu nuk rreshti së kritikuari apo këshilluari deri në çastet e fundit të jetës.

“Më dukej sikur Dritëroi jetonte në një dehje përfundimtare. Duke u mbajtur me njërin krah te Sadija e me tjetrin, te vdekja. Ngjante se të parës i ishte besnikërisht një dashnor i paepur, ndërsa të dytës, vdekjes, i luante syrin, duke i bërë me shenjë nga gruaja si justifikim pse nuk vendoste ende t’i hidhej në krahë”, tha kryeministri Edi Rama në fjalën e tij.

“Sot, në këtë ditë kur fjalët janë të vështira për t’u thënë për mjeshtrin e fjalës, kur ai kthehet te dheu që i përkiste, si fara që rimbillet në tokë, të gjithë ne e shohim siç është, një nga yjet më të ndritshëm të qiellit europian të Shqipërisë sepse poetët dhe shkrimtarët mbeten gjithmonë”, u shpreh kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

Kjo ishte ceremonia shtetërore në Tiranë, ndërsa paralelisht në vendlindjen e tij në Devoll u zhvilluan homazhe.

Shkrimtari Pëllumb Agolli tha: “Është njeriu që i la popullit tonë trashëgim një pasuri të madhe. Është rilindasi i fundit i popullit tonë”

Pas ceremonisë që zgjati më shumë se dy orë e gjysmë, i mbuluar me qindra buqeta lulesh, arkmorti i Dritëro Agollit u largua nga Pallati i Kongreseve, me vargjet e shkruara shumë vite më parë, pikërisht për këtë ditë.

—————————————

driteroPas vdekjes së Agollit shumë telegrame i shkuan familjes së tij nga Kosova, Shqipëria dhe vendet tjera shqiptare. Ai vdiq në moshën 85 vjeçare, pas një sëmundje në mushkri.

Në moshën 85-vjeçare, është shuar nga jeta shkrimtari, ideatori dhe politikani i mirënjohur shqiptar Dritëro Agolli. Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur familjarët e shkrimtarit. Agolli katër ditë më parë u shtri në spital për shkak të një sëmundjeje në mushkëri.

Dritëro Agolli lindi në Menkulas të Devollit. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, ai vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Studimet e larta për letërsi i mbaroi në Shën Petërburg. Ai ka punuar për shumë kohë si gazetar në të përditshmen “Zëri i Popullit” dhe për shumë vjet ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Dritëro Agolli është njëra nga shkrimtarët më të dalluar të kulturës shqiptare, që la gjurmë të pashlyera në letërsi. Ai pas vetës la një krijimtari shumë të pasur në prozë ndërsa konsiderohet si mjeshtri i madh i poezisë. Disa nga veprat e tij të shkruara në prozë, u luajtën edhe në filma.

Krijimtaria e tij letrare është e pasur me gjini të ndryshme si poezi, poema, tregime, romane, si dhe drama e skenarë filmash, që e kanë bërë fitues të disa çmimeve.

Mes veprave të kësaj gjinie spikasin romani “Komisari Memo” (1969), në të cilin pasqyrohet roli i madh edukues dhe drejtues në vitet e Luftës ANÇ; si dhe “Njeriu me Top” (1975), që flet për ndikimin e luftës çlirimtare në mentalitetin e njerëzve.

Ndër krijimet satirike i paharrueshëm mbetet romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973), që vë në lojë konformizmin, servilizmin dhe vanitetin si shfaqje të huaja për njeriun e ri.

Pas vdekjes së Agollit shumë telegrame i shkuan familjes së tij nga Kosova, Shqipëria dhe vendet tjera shqiptare.

Në telegram, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj për Familjen Agolli

“Me krijimtarinë e tij letrare dhe poezitë e mrekullueshme, Dritëro Agolli, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë shqipe. Qytetarët dhe Qeveria e Republikës së Kosovës bashkëndjejnë me Ju dhimbjen e madhe në këto momente të vështira”, shkruan Mustafa.

Kryekuvendari kosovar, Kadri Veseli ka thënë se vdekja e shkrimtarit të njohur shqiptar Dritëro Agollit është një humbje e madhe për letërsinë dhe kulturën shqiptare.

“Agolli ishte mjeshtër i rrallë i poezisë dhe prozës letrare, por edhe një intelektual që në angazhimin e tij politik transmetonte gjithmonë urtësi, humanizëm dhe mendime vizionare për shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës dhe kudo që ata jetojnë”, ka shkruar Veseli në një postim në llogarinë e tij në Facebook.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në rrjetin e tij zyrtarë “facebook”, ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e shkrimtarit dhe poetit Dritëro Agolli.

“Lamtumirë Dritëro. U prehsh i qetë në tokën ku le pas një mal të lartë përjetësie, i cili do të mbetet vend pelegrinazhi për gjithë të dashuruarit pas letrave shqipe, brez pas brezi…”, ka shkruar Rama.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch