Home » Lajme, Vendore » Sot ndërroi jetë punëtori i shquar i arsimit dhe kulturës shqiptare në Preshevë e më gjërë, prof. Ymer Shabani

Sot ndërroi jetë punëtori i shquar i arsimit dhe kulturës shqiptare në Preshevë e më gjërë, prof. Ymer Shabani

Ymer Shabani foto (1937-2015)

Sot, më 24 tetor 2015, u shua në moshën 78 vjeçare, Ymer Shabani, figura më emblematike e arsimit dhe kulturës preshevare dhe mbarëkombëtare.

Ky Lajm i hidhur, na ka tronditur thellë!

Humbja e këtij njeriu të madh, kolosit të arsimit në komunën e Preshevës, që edukoi dhjetra gjenerata me përkushtim dhe pedantëri të pashoq, ka bërë që z. Ymeri të përmendet kudo në Luginë të Preshevës, në Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë, nga ish nxënës të tij dhe kolegë, si kampion i arsimdashësit dhe mësimdhënësit, e mbi të gjithat, i edukimit brilant të dhjetëra gjeneratave të nxënësve të tij, që aq shumë i deshti, mësoi dhe edukoi sipas traditës tonë të shkëlqyer kombëtare dhe kulturës bashkokohore.

Zotni Ymeri, si e thërrisnin të gjithë, i madh e i vogël në Preshevë, ishte njeri jashtëzakonisht i dashur dhe i respektuar nga të rinjtë, mosha e mesme, që shumicën prej tyre i kishte pasur nxënës, si dhe nga të vjetrit.

Por, mbi të gjithat, për pedagogët, mësuesit, arsimtarë, profesorët dhe në përgjithësi për mësimdhënësit, zotni Ymeri ishte model i përkryer, nga përvoja dhe performansa e tij në arsim, të gjithë me ëndje mësonim.

Devotshmëria e tij e pashoq ndaj arsimit dhe edukimit të gjeneratave të reja është e madhe, madje e pakrahasueshme.

Ai, me përkushtimin më të madh i ka ruajtur në shtëpi të gjitha hartimet e nxënësve të vet nga lënds e matematikës, në dyzet vjetët e përvojës mësimore si arsimtar i kësaj lënde!

Bile, shpeshë ish nxënësit kur e pyesnim për hartimin e tyre, të para 40-50 vjetëve, zotni Ymeri ua thoshte aty për aty notën, madje edhe gabimet ku i kishin bërë!

Kjo i mahnitëte të gjithë, por edhe dëshmonte nivelin e përkueshtieshmërisë dhe devotshmërisë së tij ndaj arsimit.

Gjithashtu, z. Ymeri ka qenë valltar i shkëlqyeshëm dhe ka marrë pjesë me grupin e valltarve të Preshevës, në kuadër të SHKA “Abdulla Krashnica”, së bashku me kushëririn tonë, ikonën e valles shqipe në SHKA ” Shota” të Prishtinës, Orhan Shabanin, në shumë shfaqje në Preshevë, Kosovë, Maqedoni dhe në diasporë.

Aktiviteti dhe kontributi i madh i tij ishte edhe në Grupin dramatik, ku z.Ymeri ka lënë gjurm të pashlyeshme, me performansën prej aktori brilant në shumë role, ku e shpalosi talentin e tij prej aktori të madh.

Talenti i tij dhe pedantëria e përsosur e tij e bënë që z.Ymeri të ishte edhe ideator dhe kreator i shumë evenimenteve kulturore e artistike në komunën e Preshevës.

Ymer Shabani shquhej me pamjen e përkryer si moderator dhe udhëheqës i shumë programeve.

Veçanërisht ka lënë gjurmë të paharrueshme në organizimin dhe udhëheqjen brilante të Kuizeve të Diturisë, pyetjet e të cilave i hartonte dhe përpilonte vet dhe sigurohej konfidenca maksimale që përgjigjet mos të rrjedhnin tek pjesëmarrësit apo publiku, që siguronte korrektësi të përsosur dhe cilësi brilante organizative.

Prandaj, biletat shiteshin heret dhe salla e Shtëpisë së Kulturës stërmbushej me spektarorë, që kënaqeshin në ato shfaqje.

Zotni Ymeri ishte i respektuar shumë nga Preshevarët.

Dituria e gjithanëshme dhe e pafund e Ymer Shabanit vinte në shprehje edhe tek fjalëkryqët famoz që i hartonte për pothuajse të gjitha gazetat dhe revistat enigmatike në hapsirën kulturore shqiptare.

Këtë aftësi të tij, ai e përcolli me sukses te djemtë e tij Bekimi dhe Enisi, kurse djalit të vogël, “sugarit” Kujtimit ia trashëgoi artin e vallëzimit, të cilin ai e praktikon me shumë kënaqësi.

Kur dilte në rrugë, dikur praktikohej edhe korzoja, dmth shetitjet e gjata në rrugën kryesore të Preshevës, nga qendra e deri te Shkolla fillore, kurse disa e zgjatnin nga lokacioni i kishës e deri te “livadhet”, zotni Ymeri e hijeshonte korzon me pedantërinë e tij përkryer, prej zotërie të lindur.

Ymer Shabani do të mbetet gjithēmonë në kujtimet më të këndëshme të familjes, farefisit, shokëve dhe miqëve e kolegëve të tij të shumtë, preshevarëve, Luginës, Maqedonisë, Kosovës, diasporës dhe mbarë Shqiptarisë, të cilëve u shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për humbjen e kësaj figure të madhe kombëtare.

I lehtë i qoftë dhe i Preshevës, të cilën aq shumë e deshti dhe ia përkushtoi jetën e tij të bujëshme me devotshmëri e përkushtim të pafund!

Lavdi jetës dhe veprës së tij jetësore kolosale!!!

Zoti i Madhëruar e shpërbleftë me Xhenet!

Nga

Nehat Hyseni

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch