Home » Lajme » Sot po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e verit të Kosovës

Sot po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e verit të Kosovës

Demokracia në Veprim (DnV), e cila po e vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me praninë e vëzhguesve të saj në të gjitha (87) vendvotimet në katër komunat veriore, njofton se deri në orën 12:00 kanë dalë për të votuar 21% e qytetarëve.

“Deri në orën 12:00, sipas raportimeve të vëzhguesve të DnV-së, për të votuar kanë dalë 21% qytetarëve me të drejtë vote. Dalja e votuesve në zgjedhje sipas komunave: Leposaviq (24%),  Zveçan (21%), Mitrovicë e Veriut (20%), Zubin Potok (18%)”, thuhet në njoftimin e DnV-së.

DnV, ka përmendur edhe parregullsitë që janë raportuar deri në orën 12:00.

Parregullsitë më evidente

Parregullësitë më të shpeshta që po e përcjellin procesin e votimit në terren deri në orën 12:00 janë:

Votimi me dokumente të Serbisë
Procesi i verifikimit të dokumenteve të identifikimit nga komisionerët në disa raste është përcjellur me paqartësi. Disa votuesve, të cilët kanë qenë në listën e votuesve, u është lejuar të votojnë me dokumente të identifikimit të Serbisë.

Vështirësitë e votuesve për ta gjetur emrin e tyre në Listën e Votuesve
Ankesa lidhur me Listën e Votuesve janë raportuar në tri vendvotime, dy në Mitrovicën e Veriut dhe një në Leposaviq.

Votimi familjar
Votimi familjar është evidentuar në 15 vendvotime në katër komunat ku po mbahet zgjedhjet. Kjo dukuri është shprehur më së shumti në komunën e Mitrovicës së Veriut në 7 vendvotime.

Raste të votimit jashtë kabinave të votimit
Gjithsej në tri vendvotime në Leposaviq është vërejtur votimi jashtë kabinës.

Tentimet për të votuar më shumë se një herë (votimi i dyfishtë)
Është evidentuar një rast në qendrën e votimit 3803B në shkollën “Aziz Sylejmani”,  në Mitrovicën e Veriut në vendvotimin 01R.

DnV fton qytetarët të dalin në votime dhe kështu të bëhen pjesë e vendim-marrjes dhe krijimit të politikave që janë në funksion të përmirësimit të mirëqenies dhe jetës së tyre.

Ndërsa sipas kryetares së Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, procesi i votimit në katër komunat veriore është duke shkuar pa probleme. Sipas saj deri në orën 11:00 dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte 9 mijë e 361.

Në katër komunat e veriut të Mitrovicës, po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme ku të drejtë vote kanë 57,983 persona në 87 vendvotime, apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.
Në zgjedhjet për kryetarë të këtyre komunave janë kandidatët nga Lista Serbe, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress