Home » Histori » Stalini bisedon me Gjilasin

Stalini bisedon me Gjilasin

Stalini-Gjillas(Nga libri i Tahir Zajmit “Lidhja e dyte e Prizrenit”)

 

Sipas librit të tij sensacional me titull “Bashkëfjalime me Stalinin”, ky i fundit ka urdhëruar me gojën e vet që Shqipëria dhe populli shqiptar të likuidohej e të përpihej (gëlltitej) nga Jugosllavia.

Më poshtë po japim disa pjesë të librit në fjalë, lidhur me fatin e Shqipërisë.Me rastin e dënimit të ri të Milovan Gjilasit, sikurse shumë fletore të botës, edhe gazeta turke “Cumhuriyet” (Republika) nën titullin “Libri ‘Bashkëfjalime me Stalinin’ që ka shkaktuar burgosjen e Gjilasit e ka botuar këtë libër në përkthimin turqisht. Aty përshkruhen me mjeshtri të hollë e me ngjyra të gjalla përmbajtjet e bisedimeve dhe të kontakteve të Gjilasit me Stalinin dhe eksponentët e tjerë të Kremlinit, duke zbuluar njëkohësisht edhe shumë sekrete me rëndësi për planet imperialisto-pansllaviste të drejtuesve të Rusisë Sovjetike, sekrete që kanë shkaktuar një jehonë sensacionesh në opinionin publik të botës. Kjo ka qënë , natyrisht edhe arësyeja që autori i këtyre zbulimeve është dënuar nga regjimi i Titos.

Në fillim të vitit 1942, me qëllim që të ketë ndihmën e ushtrisë nacional-çlirimtare të Jugosllavisë, një mision ushtarak jugosllav dërgohet në Moskë dhe pjesëtari i këtij misioni, Gjilasi, porositet prej Titos që të kërkojë nga Moska edhe njohjen e Komitetit Kombëtar për Çlirimin e Vendit, si qeveri e ligjshme e Jugosllavisë.

I pritur shumë mirë nga diktatori i kuq, Gjilasi ka ditur të penetrojë shumë thellë në brëndësitë e Kremlinit dhe në shumë raste të bisedimeve të tij, të zbulojë të fshehtat e politikës imperialiste që kanë ndjekë dhe zbatuar në botë udhëheqësit sovjetikë.

Në përshkrimin e tij shumë interesant mbi jetën e diktatorit komunist dhe të bashkëpunëtorëve të tij, Gjilasi bën fjalë gjërë e gjatë për veçoritë e jetës së tyre private dhe disa zakone të çuditshme që ata kishin për ta kaluar kohën shpëah hërë duke biseduar e duke rrahur problemet me rëndësi politike dhe ushtarake në tryezat e bukës, duke ngrënë e pirë vodka, venë e të tjera gjithfarësh, deri në agim.

Një herë Stalini, pas shumë pyetjesh që i bëri Gjilasit mbi gjëndjen e Jugosllavisë dhe organizimin e forcave ushtarake, e solli fjalën të shqiptarët.

-Qysh u shkojnë punët me Shqipërinë? Çfarë lloj njerëzish janë shqiptarët?

-Ato që po ndodhin në Shqipëri janë njësoj sikurse në Jugosllavi. Shqiptarët janë populli më i vjetër i Ballkanit, më i vjetër edhe se sllavët, madje edhe se grekët e moçëm.

 

Stalini e pyet sërish:

-Si shpjegohet atëhere që institutet dhevendet e tyre kanë marrë emëra sllavë? A s’kanë vallë ndonjë lidhje me sllavët”

-Në shumë kohëra të vjetra, sllavët kanë qënë shtrirë në tri fusha, prej nga e kanë prejardhjen edhe emrat sllavisht të vendeve të tyre, por në kohë të turqëve, shqiptarët i kanë përzënë sllavët që andej..

 

Stalini e luajti paksa syrin dhe me një buzëqeshje dinake dhe ironike shtoi:

-Kurse unë shpresoja se shqiptarët sadopak janë sllavë!..

Pastaj, midis bisedimeve të tjera intime me Stalinin, autori në fjalë përshkruan hollësisht jetën private dhe karakteret e Këtij dhe bashkëpunëtorëve të tij , Molotovit, Bulganinit, Zhukovit, Hrushovit etj. eksponentë të Kremlinit të cilët për një kohë të gjatë kanë luajtur jo vetëm me fatet e popujve rusë e sllavë, por çka është më zi, kanë pasë ndikim katastrofal në të gjitha kontinentet e mbarë njerëzimin!..

 

Në përfundim të këtyre bisedimeve dhe pjekjeve  të drejtpërdrejta me drejtuesit e Rusisë Sovjetike, Gjilasi ka arritur të zbulojë se nën maskën e ideologjisë marksiste-komuniste që ata e kanë përdorë për ta gënjyer botën, sidomos Stalini, në të vërtetë kanë zhvilluar një politike nacionaliste dhe imperialiste njëkohësisht, aq sa sa aspiratat e tij pansllaviste i lenin në hije ato të Pjetrit të Madh dhe të carëve të tjerë të Rusisë, që, siç e thotë me gojën e vet edhe Stalini, kishin një horizont politik shumë të ngushtë për idenë pansllavise!

 

_-Po të bashkohen sllavët- i thosh ai Gjilasit- askush në botë nuk e luan dot as gishtin! (dmth nuk luan dot për së gjalli!)

 

Në takimin e tretë që ka pasë Gjilasi me carin e kuq, ai thotë se kjo u bë me qënë se marrëdhëniet ruso-jugosllave kishin nisur të acarohen për çështjen e Shqipërisë, dhe kjo ngjau menjëherë pas vetë-vrasjes së Nako Spirut, ish antar i Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Ky ishte i vetmi që e kundërshtonte bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë dhe pikërisht atëhere kur ishte lidhur marrëveshja midis dy palëve për këtë qëllim dhe kur Stalini kërkoi nga Beogradi që të dërgohet një delegacion jugosllav posaçërisht për këtë punë. Gjilasi u rekomandu si një njeri që kishte me i fashitë dhe zbutë mosmarrëveshjet dhe do harmonizonte dhe përputhte politikën e dy shteteve vëllezër. Kështu Gjilasi niset për në Moskë ë 3 janar 1948.

Sapo mbërrin atje, ende pa u shlodhur mirë nga udhëtimi i gjatë, e thërrrasin menjëherë në pritje atë mbrëmje te Stalini, që kish pranë Molotovin dhe Zhdanovin.

Pas përshëndetjes së zakonshme, Stalini e hapi menjëherë bisedën:

-Po ç’ ngjau atje në Shqipëri, o Gjilas, ku anëtarët e Komitetit Qëndror po vetëvriten? A s’është kjo diçka e keqe dhe e mërzitshme?

-Nako Spiro- sqaroi Gjilasi- ishte i vetmi anëtar i Komitetit Qëndror të Shqipërisë që e kundërshtonte këtë bashkim me Jugosllavinë.

 

Pa e mbaruar shpjegimin e vet Gjilasi, Stalini ia preu fjalën me vërejtjen që e habiti fort atë:

-Mua nuk më intereson aspak Shqipëria, kam mendimin që Jugosllavia ta gëlltisë fare Shqipërinë!

Madje pas këtyre fjalëve, -shton Gjilasi- Stalini u përpoq ta sqarojë se ç’është gëlltitja, i çoi dy gishtat e dorës së djathtë te goja për të ma bërë me shenjë, duke më habitë dhe më trëmbë edhe mua vetë!

Aq fort isha habitë- plotëson Gjilasi përshtypjen e tij në libër, sa nisi të më merrej edhe goja, por duke menduar se Stalini e kish zakon të tallej në mënyra të tilla të foluri, theksova si vijon:

-E kam fjalën për ta bashkuar një vend dhe jo për ta përpirë atë!

 

Pas kësaj fjalë u hodh Molotovi:

-E mirë, pra, po në atë portë del edhe kjo!

Nga ana tjetër, Stalini, bisha e egër e Kremlinit, pa u shqetësuar dhe pa u trishtuar aspak që me atë fjalë që nxorri nga goja po e dënonte jetën e tre miljonë shqiptarëve dhe pa pasur ndroje nga dënimi dhe mallkimi që do merrte nga gjyqi i historisë njerëzore, duke përsëritë të njëjtën shënjë me dorë, e përfundoi:

-Ashtu pra, siç thashë edhe më parë, ne jemi dakord që Shqipërinë ta përpini..madje një orë e më parë!..

 

Me këtë fjalë të Stalinit bashkëfjalimi mori fund dhe Gjilasi, si një psikolog i hollë, në përshkrimin e këtyre bisedimeve intime, zbulon fshehtësitë më të thella të shpirtit të diktatorit të kuq, i cili megjithëse ka pasur sukses në artin e politikës, sa asnjë shtetar tjetër i kohës së vet, ka qënë njëkohësishtedhe despoti më i tmerrshëm i shekullit dhe krimineli më i madh që ka njohur dhe regjistruar historia e njerëzimit.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch