Home » Kulturë, Lajme » Strugë – Akademik Aleksandër Stipçeviqi paksa i harruar në 84 vjetorin e lindjes

Strugë – Akademik Aleksandër Stipçeviqi paksa i harruar në 84 vjetorin e lindjes

Aleksandër Stipçeviqi 1Ilirologu, arkeologu, albanologu, balkanologu, bibliografi i pashoq jo vetëm në hapsirën shqiptare por, në mbarë rruzullin tokësor, që lirisht pa mëdyshje e quajme ilirologun më të madh të gjallë në botë, më 10 tetor mbush 84 vjet, që mbase kohëve të fundit disi është harruar ky kolos i magjepsur për ilirologjinë nga shumë institucione arsimore-shkencore e kërkimore-hulumtuese por edhe nga shoqëria shqiptare në përgjithësi, kolos që kur është fjala për ilirët dhe pasardhësit e tyre-për shqiptarët vazhdimisht ka përsëritur se pa njohur ilirët, nuk mund të dihet e kaluara e Ballkanit e sidomos  historia e Ballkanit. Ai në Institutin antropologjik në Zagreb, para drejtorit të këtij Instituti, prof. Rudan, është shprehur se është pasardhës i Mbretëreshës Teuta!

 

Njohja ime prej disa dekadash me këtë personalitet më bënë mbase edhe subjektiv, por kur është fjala për këtë figurë madhore subjektiviteti bëhet objektiv dhe real, sepse janë shumë vite njohje, janë shumë takime në Zarë, Zagreb, Strugë, Ulqin e vende të tjera që më obligojnë pak më tepër se në rrethana tjera edhe për faktin se kam zhvilluar disa intervista me këtë kolos dhe shumë deklarata në situata të ndryshme. Për fat të mirë, jamë ndër ata pak njerëz që jo vetëm që kam pasë njohësi me këtë personalitet të lartë shkencor, intelektual i  madh, që ta kem edhe recenzentë të librit që e kam shqipëruar nga arbënishtja dhe kroatishtja, “Fjalori i të folmes së sotme të arbëneshëve të Zarës” të autorit arbënesh Dr. Kruno Krstiqit, promovimin e të cilit e bëmë më 5 tetor të vitit 2013 në Zagreb, ku Akademik Aleksandër Stipçeviqi e kishte fjalën kryesore. Recenzimi i tij për mua ishte nder i veçantë, që i dha librit edhe më shumë vlerë.

 

Mirëpo, kësaj here pikërisht rrethanat janë krektësisht tjera, sepse me keqardhje të madhe po e them, se këtë përvjetor të lindjes, prof. Stipçeviqi e prêt i shtrirë në shtrat, pas një sulmi hemoragjik që ka përjetuar më 16 korrik të këtij viti dhe nga ajo ditë është shtrirë në një spital specialistik dhe është nën një regjim të trajtimit dhe përkujdesjen e ekipit të specializuar mjekësor në afërsi të Zagrebit.  Me këtë rast, duke uruar 84 vjetorin e lindjes, së pari i dëshiroj(më) shëndet, dhe jetë të gjatë.

 

Këtë urim me rastin e 84 vjetorit të lindjes së Akademik prof. Dr. Aleksandër Stipçeviqit, po e filloj me bisedën e fundit të zhvilluar me te gjatë muajit shkurt të këtij viti, lidhur me disa zhvillime dhe fenomenologjinë e kohës, përfshirë këtu edhe dyshimet e kuazishkencëtarëve se shqiptarët këtu-në këto troje  janë të ardhur-janë ardhacak. Prof. Stipçeviqi në pyetjen e shtruar:

Në bazë të opusit tuaj ilirologjik, a mund të thuhet me saktësi se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve?- ai u përgjegj shkurt e qartë:

 

“Pikë së pari kjo është bërë e ditur që para 300 vjetëve. Aty nuk ka asgjë të re. Mirëpo, Tullmani kur ka shkruar për këtë nuk ka pasë aq dokumente sa kemi ne tani. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për dokumente historike, por sot disponohet me një sërë dëshmi duke filluar nga ato etnografike e deri tek ato arkeologjike dhe ne sot me shumë saktësi mund të themi se shqiptarët, respektivisht të specifikojmë në mënyrë me precize, se shqiptarët kanë më shumë se të gjithë popujt e Ballkanit elemente ilire.

 

Ajo që edhe tek shqiptarët ka përzierje është fati i të gjithë popujve të Ballkanit. Mirëpo, nëse duhet të themi se kush janë shqiptarët e sotëm, pjesa më e madhe e atyre  këtu kanë qënë, që nuk kanë ardhur nga askund, nuk ka asnjë dëshmi se ata kanë ardhur nga ndokund, pra ata aty kanë qënë. Sot shkenca tërësisht, nga filologjia, arkeologjia etj pa dyshim dëshmon se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve”-deklaroi Akademik Stipçeviqi.

 

Duke vazhduar këtë urim mbase pak më të gjatë, ju sjellim disa fragmente të vlefshme dhe të rëndësishme për mendimin dhe pozicionimin mendor dhe shkencor të Aleksandër Stipçeviqit, duke shpresuar se nuk është e tepruar të rikujtohemi për fjalët e tija për shqiptarët.

 

Akademik Aleksandër Stipçeviqit me respekt, në vend të urimit, me rastin e 84 vjetorit të lindjes së tij dhe dëshirës për shërim sa më të shpejtë, ndiej  obligim moral dhe intelektual-që besoj se do të mirëkuptohem edhe nga të gjithë shqiptarët,  për ti paraqitur respektin këtij shkencëtari, me origjinë arbëneshe, këtij ilirologu, arkeologu, balkanologu, albanologu, eruditi,  hulumtuesi  e studjuesi të pashembullt dhe të përkushtuar gjatë periudhës mbi gjysëm-shekullore në luftën e tij të dokumentimit dhe faktorizimit të shqiptarëve.  Akademik Aleksandër Stipçeviqi ka dhënë kontribut të pashlyer në zhvillimin e disa disiplinave shkencore jo vetëm  në Kroaci, Kosovë, Maqedoni e Shqipëri, por edhe më gjërë, duke qënë personalitet me një diapazon të gjërë, me karakter të shkencëtarit të madh dhe të pakompromis. Ai për punën e tij vazhdimisht ka qënë në shënjestër të strukturave e shërbimeve sekrete të MPB-së, UDB-së famkeqe, që nënkupton shërbimeve të sigurimit, vëzhgimit dhe survijimit, por ai, me formatin e tij të madh prej shkencëtari, me urtësinë që ia kanë zili shumë individ e popuj të tjerë, nuk u nënshtrua dhe nuk u përul trysnive e shantazheve të ushtruara ndaj tij. Këtë nuk e bëri as në vitin 1987, kur publikisht dhe haptas u akuzua për teorinë që ai përfaqson për ilirët dhe etnogjenezën e shqiptarëve, duke e quajtur  si bashk-ideolog të “kundërrevolucionit” në Kosovë, bashkë me Ali Hadrin, pas . Ai edhe atëhere qëndroi, por edhe sot qëndron stoik, krenar, dhe me plot dinjitet e mbron ate që ka mbrojtur gjatë mbi gjysëm shekulli të punës së tij shkencore, kërkimore e studimore për ilirët dhe shqiptarët.

 

”Me ilirët kam vendosë të merrem që si student i arkeologjisë nga fakti se nuk mund të studjohet e kaluara e Ballkanit, pa e njohur elementin ilir. Çdo gjë në Ballkan fillon me ilirët”.

 

Aleksandër Stipçeviqi, është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë, është anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Është  kryetar i Shoqatës së Miqësisë Shqiptaro-Kroate si dhe  kryetar Nderi i Shoqatës së Arbëneshëve të Zarës…

 

Në prak të 83 vjetorit të lindjes, me inisiativën e historianit prof. Dr.Nebi Dervishit, Universiteti Shtetëror i Tetovës, mbështeti propozimin dhe për  gjithë atë kontribut në shumë disiplina shkencore, në veçanti të ilirologjisë, balkanologjisë, albanologjisë, publicistikës, duke shprehur mirënjohjen që nderoi veten, arbëreshët, shqiptarët kudo qofshin, duke nderuar shkencën, vitin e kaluar,  me rastin e 83 vjetorit të lindjes,  përmes një shkrese zyrtare nga USHT-ja uroi ditëlindjen e këtij kolosi me fjalët: “Ju  dëshirojmë të gëzoni shëndet të plotë, jetë të gjatë dhe rezultate të mëtejmë në fushat që keni grumbulluar materialin dhe jeni duke punuar për të dalë në dritë. Ke qënë dhe je udhërrëfyes dhe ylli ndriçues i shumë brezave të studjuesve në fushën e arkeologjisë, ilirologjisë etj.

 

Për të gjitha këto që u tha më lartë dhe për veprat e tuaja konkrete, Universiteti Shtetëror në Tetovë, duke vepruar në bazë të Statutit të Universitetit, në shenjë mirënjohjeje dhe faleminderimi për punën dhe krijimtarinë Tuaj shkencore, do të propozojë  Organeve të Universitetit që Akademik Aleksandër Stipçeviqi të nderohet me titullin  e nderit, “Doctor Honoris Causa”!

 

Në  arsyetimin e këtij propozimi, të nënshkruar nga Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. Dr. Vullnet Ahmeti, -që më 5 tetor iu dorëzua personalisht Akademik Aleksandër Stipçeviqit, mes tjerash shkruan: “Në bazë të arritjeve Tuaja kolosale në fushën mësimoro-shkencore me një shtrirje më të theksuar në fushën e albanologjisë dhe historisë së albanologjisë, jo vetëm në nivel lokal, por edhe në nivel ndërkombëtar, kemi nderin dhe kënaqësinë që me propozim të Kolegjiumit të Rektoratit dhe të Këshillit të Rektoratit si organ më i lartë i Universitetit Shtetëror të Tetovës, se Universiteti ynë ju ka propozuar për titullin e nderit “Doctor Honoris Causa”.  Mirëpo, gjendja e tij shëndetësore nuk i mundësoi plotësimin e dëshirës së dyanshme që të realizohet ky propozim, pasiqë ai nuk ishte në gjendje për të udhëtuar jashtë Zagrebit.

 

 

 

Shandri, (Aleksandër Stipçeviqi), ky shkencëtar më famë botërore, me arbëneshët e Zarës, shokët,  miqët dhe të gjithë ata që e njohin nga afër, mbetet Shandri, ndërsa për qarqet kuazishkencore, që përpiqen të hedhin teza të rreme dhe të pavërteta mbi origjinën e shqiptarëve,  siç ndodhi viteve  të fundit me të ashtuquajturin pamflet të ASHAM, “Enciklopedinë maqedonase”,   është po ai Akademik prof. Dr. Aleksandër Stipçeviqi, i ashpër,  i rreptë, dhe i prerë, që shprehet në gjuhën amtare arbëneshe “Falë Zotynit, unë jom gjollë” (falë të Madhit Zot, unë jam akoma gjallë)”- që nënkupton se për ilirët dhe pasardhësit e tyre askush të mos tentojë të mohojë diçka dhe thot:

 “Ilirët nuk janë zhdukur prej Ballkanit as në kohën e dyndjeve të mëdha të sllavëve, barbarëve pushtues, e as pas vendosjes së tyre në këto vise.  Këto formula duhet ti dije çdo pasardhës i ilirëve, çdo shqiptar dhe të gjithë të tjerët”-vazhdimisht shprehej Shandri (Stipçeviqi).

 

Përdorimi dhe shfrytëzimi i fakeve të vërteta ose të shpifura e të shpikura historike për qërime hesapeve në politikën ditore, shpesh gjatë historisë kanë sjellur deri tek, – sa për fillim- polemikat verbale, pastaj deri tek grindjet si dhe deri në përleshje të armatosura.  Këto kanë ndodhur që në kohërat e hershme në tërë botën, ndaj do të mundemi me rezignacion të konstaojmë që keqpërdorimi i historisë për nevoja që qërimeve të hesapeve politike dhe historiografike, është dukuri normale tek njerzit e tillë. Mirëpo, ata që në mes të Europës, sot shërbehen me argumente të tilla për të dëshmuar të drejtën e marrjes së vendeve fqinje, është më së paku, jashtë kohës në të cilën sot jetojmë.

 

Populli shqiptar ka pasë atë fatkeqësi që të gjithë fqinjët e afërm ose të largët, me dëshirën e madhe të tyre për tua marrë tokat, e në veçanti portet e tyre strategjike (daljen në det!), pasuritë nëntokësore dhe pasuritë tjera, i kanë arsyetuar apetitet e veta imperialiste duke insistuar në tezat e ardhjes së vonshme të shqiptarëve në këto vise (në shekullin e mesëm si dhe në ate të vonshëm), ndaj dhe ata (shqiptarët) nuk kanë të drejtë të jetojnë aty ku tani jetojnë. Të gjithë „argumentet e tilla shkencore“, për ardhjen e vonshme të shqiptarëve  në hapsirën  e sotme etnike, janë në të vërtetë vetëm kamuflazhë-mashtrim, për arsyetimin e qëllimeve pushtuese, të atyre që përfaqsojnë dhe mbrojnë këto ide.

 

Gjithçka që dijmë për kulturën shpirtërore dhe materiale të popujve që sot jetojnë në hapsirat e Ballkanit perëndimor, flet mbi një simbiozë të banorëve vendas-autokton dhe atyre ardhacak. Thënë më thjeshtë, ndër të gjithë popujt që sot e banojnë Ballkanin perëndimor, janë ruajtur mbetjet e popullatës vendase ilire si dhe të fiseve dhe popujve pararomak, popujve gjysëm të romanizuar dhe popujve të romanizuar. Pasojat e simbiozave të tilla janë edhe sot të dukshme dhe të prekshme: të gjithë popujt që jetojnë në Ballkanin perëndimor e kanë një komponentë të përbashkët etnike, që është inkorporuar në korpusin e të gjithë banorëve të sotëm të pjesës perëndimore të Siujdhesës së Ballkanit.

 

Në kohën parahistorike, në hapsirën ku sot jetojnë shqiptarët, kanë jetuar fise të ndryshme ilire, në mesin e të cilëve edhe një, i cili për problematikën tonë, është me rëndësi të veçantë, emrin e të cilit nuk e ka ruajtur gjeografi grek Ptolomeu në qindjvetorin e dytë të erës sonë. Ky është fisi Albanoi me kryeqytetin Albanopolis. Dimë se ky fis është ne pjesën qëndrore të Shqipërisë së sotme dhe se Albanopolisi, sigurisht ka qënë në Zgjerdhesh në afërsi të Krujës, ku janë zbuluar relikte monumentale të fortifikimeve, ndërtimeve etj. Në kohën e sundimit të gjatë romak në disa krahina, sidomos nëpër qytete dhe në rrethinën e tyre është krijuar një lloj simbioze, më parë greko-ilire e më vonë edhe iliro-romake. Në qytetet e mëdha siç kanë qënë: Apollonia, Scodra, Dyrrachiumi, Lissusi e të tjerë, në kohën romake vijnë kolonistë italik, të cilët imponojnë gjuhën e vet latine, si gjuhë të administratës , ushtrisë dhe në përgjithësi në jetën publike. Ata me veti sjellin teknologji, më të përparuar për ndërtimin e enëve të baltës, për përpunimin e metalit, ndërtojnë rrugë të shkëlqyera, nëpër të cilat, bashkë me ushtrinë do të vijnë nga Italia dhe nga krahinat tjera të Perëndorisë romake prodhime të ndryshme kulturore, si dhe ide të reja e religjione të reja.  Prodhimi serik i mallit të konsumit të përgjithshëm, do të sjellë stagnimin dhe rënjen e kulturës tradicionale materiale vendase dhe në bazë të pranisë së punëtorive romake, në qytetet e vendbanimet ilire, ka nxitur shumë hulumtues të sotëm, ta mbiçmojnë intensitetin e romanizimit.

 

Fakti se ilirët as në jug, as në pjesët tjera të Ballkanit nuk kanë hartuar alfabet kombëtar dhe se mbishkrimet varrore e në objekte tjera i kanë shkruar kryesisht në gjuhën latine ose greke edhe më shumë i ka kontribuar sjelljes së përfundimeve të pasakta për romanizimin e krahinave ilire.

 

Ilirologu arbënesh, Akademik prof. Dr. Aleksandër Stipçeviqi-Shandri, në letrën që më ka dërguar më datë 10 prill, lidhur me tensionimet e ngritura rreth gërmimeve arkeologjike në Kalanë e Shkupit, pohon se mbetet në ate që ka thënë edhe më parë. “Se çfarë mendoj unë për prejardhjen e shqiptarëve, këtë e kam thënë edhe në librin e botuar më 1981, dhe në shumë raste të tjera, gjë që nuk mund të kontestohet. Pra, pretendimet çfaredo dhe të cilit do qoftë, nuk kanë kurrfarë mbështetje as teorike e le më shkencore. Tezat e disa shkencëtarëve sërb, aq të plasuara në qarqet e tyre, që fatkeqësisht janë përpjekur ti kopjojnë edhe disa të tjera, se gjoja dardanët nuk janë ilir, unë në mënyrë kategorike i hedh poshtë. Lidhjet iliro-shqiptare janë të pakontesteshme dhe të qëndrueshme”-

 

Aleksandër Stipçeviqi i ka rrënjët nga arbëneshët e Zarës, të ardhur nga rrethi i Malësisë së dikurshme të mbi Shkodrës, më saktësisht nga Shestani i rrethit  të Ulqinit, që e kanë ruajtur kulturën e tyre, që është një thesar për të cilin është e interesuar për studime edhe vetë UNESCO. Sepse, duke studjuar këtë kulturë, studjohet historia e një populli, që në rastin konkret bëhet fjalë për popullin shqiptar në Europë.

 

Ai, për fatin tonë të mirë, në të gjitha konferencat ku ka marë pjesë, në të gjitha publikimet, prononcimet publike në të gjitha rrethanat politike paraqitjen e tij e ka filluar me fjalët:”Unë jam shqiptar, arbënesh, nga Shqipëria, nga arbëneshët e Zarës. Këto fjalë ia shtojnë vlerat figurës së madhe të Akademik Aleksandër Stipçeviqit, krahas vlerave që ka dhënë ai në fushën e arkeologjisë, e sidomos për periudhën e ilirëve. Stipçeviqi është pa dyshim ilirologu më i madhë që ka bota shqiptare , rajoni dhe bota, me studimet që ai ka bërë për ilirët. Këtë e dëshmon më së miri  libri “Ilirët” që është botuar e ribotuar nëntë herë në italisht, shqip, kroatisht e gjuhë të tjera”.

Për punën e tij në fushën e arkeologjisë, ilirologjisë, balkanologjisë e shumë fusha të tjera shkencore, akademik Aleksandër Stipçeviqi është nderuar nga presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi me Urdhërin “Naim Frashëri i Artë”.

 

Kolegu i tij, kryetari aktual  i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademik Muzafer Korkuti, për kolegun e vet Akademik Aleksandër Stipçeviqin në një rast është shprehur: “Jemi bashkëpatriot sepse i takojmë një fushe kërkimore dhe studimore të përbashkët. Që si student ai e ka bërë të qartë pozicionin dhe përcaktimin e tij me fjalët:” Me ilirët kam vendosë të merrem që si student i arkeologjisë nga fakti se nuk mund të studjohet e kaluara e Ballkanit, pa e njohur elementin ilir. Çdo gjë në Ballkan fillon me ilirët. Si arkeolog, bibliograf, ilirolog, balkanolog, e arkivist i shquar  e kulturolog, e dëshmojnë edhe veprat dhe librat e tija të botuara”-është shprehur Akademik Muzafer Korkuti.

 

Në këtë kontekst, duhet përmendur se Akademik Aleksandër Stipçeviqi ka botuar nbi 40  libra-botime monografike. Pas tijë janë 113 artikuj e referime shkencore të botuara shqip, italisht, kroatisht etj, si dhe 77 reçensione, vëzhgime etj.

Në veprimtarinë e Aleksandër Stipçeviqit janë dy binar kryesor, e ato janë: arkeologjia dhe bibliografia, që është shumë vështirë të ndashë se ku mbaron njëra e ku fillon tjetra, sepse janë të ndërlidhura mes veti.

 

Akademik Aleksandër Stipçeviqi, arbënesh nga Arbëneshi i Zarës, librin e fundit që shkroi në gjuhën kroate me plot materiale në gjuhën origjinale arbëneshe, tregime, lutje, kengë, rrëfime, zakone, doke, tradita etj, me titull “Kultura tradicionale e arbëneshëve të Zarës” e përkthyer tërësisht edhe në gjuhën shqipe, në mbi 450 faqe, ai mjaft mirë komunikon me lexuesin edhe në gjuhën arbëneshe. Gjatë disa intervistave që kam zhvilluar në gjuhën arbëneshe, kam shkëputur disa fragmente origjinale, natyrisht që i kam shqipëruar për lexuesit:

 

Kam san se kom me fol disa fjal në arbënisht. Un di ket gjye çish folet në Arbënesh afër Zare. Kom ken shum er në Tiran, në Prishtin e Shkup, por nuk e kom sua kete gjyen oficiale, apo çish folet letrare në Tiran. E pra un di veç ket gjye çish folet në Arbënesh”(Kam thënë se do ti them disa fjalë në arbërisht. Unë e njoh vetëm këtë gjuhë, që flitet në Arbënesh afër Zare. Kam qënë shumë herë në Tiranë, Prishtinë e Shkup, por nuk kam arritur ta mësaoj gjuhën zyrtare, apo siç quhet gjuha letrare ashtu siç fklitet në Tiranë. Pra, unë e njoh vetëm këtë gjuhë që flitet në Arbënesh M.L.).

…dhe vazhdoi:  “Kjo gjye pak ko pak e ko bo të veten, keto generatat çish po vin nuk po din arbënisht e ne po bomi ni luft për me e rua kete gjye. Është afër 300 vjet që kemi arlur atje e shum jon shpi çish folin sot ship-arbënisht”. (Kjo gjuhë, pak nga pak dhe dalngadalë e ka bërë të veten se këto gjeneratat që po vijnë nuk do të dijnë arbërisht , ndërsa ne jemi duke luftuar që ta ruajmë këtë gjuhë. Kanë kaluar 300 vjet që kurë kemi ardhur atje, por janë shumë shtëpi  që e flasin edhe sot shqipen-arbërishten M.L.).

Kur do gji kom ndesh ndonjë pe Krajine si prof. Anamalin, vicerektorin e Univerzitetit të Tiranës prof.Kraja etj, me gji ata që kom ndesh pe kësaj one, pe këtyre katundeve, ata gji më ko mor vesh çish kom fol, po mua mu ko ken pak mo rand mi mor vesh ata çish folin në gjye letrare, e un xhdo fjal nuk muj me dit”. (Sa herë që kam takuar ndonjë nga Krajina si prof Anamalin, prorektorin e Universitetit të Tiranës prof. Krajën etj, me të gjithë ata që jam takuar nga këto anë, nga këto fshatra, ata të gjithë më kanë kuptuar se çfarë kam llafosur, por për mua ka qënë pak më vështirë dhe më rëndë që ri kuptoj ata se çfarë flasin në gjuhën  letrare, e unë nuk mundem të dijë çdo fjalë M.L.).

 

Prof.A.Stipçeviq për të folmen arbëneshe thot: Kur kam kenë në Prishtinë ni mot, ni erë, kom fol ship…kur kam ken në Tetovë, pak kam fol shkenisht, pak kam fol arbënisht. Gji për er kur vi në Prishtinë, mua më kanda me ndie si folni ju. Ne e kemi kështu, ne folmi arbënisht, ne arbënisht e ju ship, nji gjy, po ky dialekt arbënisht është më i bukur se është më i plak e nuk është …e kemi rua original, ashtu se ne folmi arbënisht si duet, e ata çish folin në Shipni, e kanë bo nifar gjye (modifikua-ndërhyrja ime)…e ashtu është puna. Kemi fol pak arbënisht pak shkenisht, un kur muj foli arbënisht, në Arbënesh un kur vij foli veç arbënisht me motrën, me gji këta arbënesh që din me fol, po nuk din gji me fol arbënisht. Por në Arbënesh tash e kemi ni skol, në bibliotekë, so son, kursin për me sua arbënisht. Gjipër er janë katërletë a pesletë që vinë me ndie që dojnë me sua arbënisht. Ashtu se une mendoj se nuk ko mu arua fërk kjo gjy, se këta të ri dojnë me sua arbënisht. E dizhdo ka me sua e ko me mbet, jo vetëm për tash por edhe për 100 -200 vjet, ka mu fol ele pak arbënisht. ( Kurë kam qënë në Prishtinë një vjet, një here, kam folë shqip…kur kamë qënë në Tetovë, pak kam folë kroatisht e pak kam folë arbënisht. Sa herë që vij në Prishtinë, më pëlqen dhe kënaqem duke ndëgjua si flisni ju. Ne e kemi kështu, ne flasim arbënisht e ju shqip, një gjuhë, pork y dialekt arbënisht është më i vjetër e nuk është… e kemi ruajtur original, kështu që ne flasim arbënisht ashtu siç duhet, e ata si flasin në hqipëri, e kanë bërë njëfar gjuhe ( të modifikuar-ndërhyrja ime)… e ashtu pikërisht është puna. Kemi folë pak arbënisht e pak kroatisht, unë kur mundem flas arbënisht, në Arbënesh  unë kur vij flas vetëm arbënisht me motrën, me të gjithë ata që dijnë të flasin arbënisht, por nuk dijnë të gjithë të flasin arbënisht. Por, në Arbënesh tash e kemi një shkollë, një bibliotekë, ku zhvillohet kursi për mësim të gjuhës arbëneshe. Çdo herë janë katërdhjetë apo pesëdhjetë që vijnë me ndëgjua që duan të mësojnë arbënisht. Ashtu pra, sepse unë mendoj se nuk ka me u harrua shpejt kjo gjuhë, sepse këta të rinjë duan të mësojnë arbënisht. E secili ka me mësua dhe kjo gjuhë ka me mbetë-me jetua, jo vetëm tani për tani, por edhe për 100-200 vjtetët e ardhshme do të flitet nga pak gjuha arbëneshe M.L.)

Aleksandër Stipçeviqi 2

 

AKADEMIK PROF. DR. ALEKSANDËR STIPÇEVIQI

 

Akademik, prof. Dr. Aleksandër Stipçeviqi, arkeolog, bibliolog, bibliograf, albanolog, ilirolog, balkanolog, bibliotekist dhe eseist arbënesh, ka lindur në Arbënesh (Arbanasi), afër Zarës, më  10. tetor të vitit 1930. Në Zarë ka mbaruar shkollimin fillor dhe gjimnazin, ndërsa studimet i ka vazhduar në Fakultetin filozofik të Universitetit të Zagrebit, ku është diplomuar më 1954, në degën e arkeologjisë.

 

Pasi përfundoi studimet pasuniversitare në Fakultetin filozofik në Zarë, mbrojti me sukses disertacionin e doktoraturës me temën “Simbolizmi religjioz tek ilirët” Për një kohë të shkurtër punoi në Muzeun arkeologjik në Zarë dhe në Institutin e shkencave të historisë në Zarë, ndërsa në vitin 1957,kaloi në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare në Zagreb, në detyrën e kryeshefit të degës së librit të botuar. Më 1974, mer drejtimin e Bibliotekës së ASHAJ (sot ASHAK), ndërsa kah fund ii 1983, kalon në Entin e athershëm leksikografik “Mirosllav Krlezha”, duke ushtruar detyrën e kryeredaktorit të Leksikonit biografik kroat.

Aleksandër Stipçeviqi 3

Në dhjetor të vitit 1987, pas daljes nga botimi të librit të dytë, kalon në Fakultetin Filozofik, të Universitetit të Zagrebit-Dega e shkencave informatike: katedra e bibliotekarisë, ku ligjëron këto lëndë: “Historia e librit dhe bibliotekave”, “Bibliografinë” dhe “Sociologjia e librit dhe bibliotekave”. Në muajin shkurt të vitit 1978, merr titullin e këshilltarit të bibliotekarisë dhe po atë vit, ASHAJ e zyrtarizon titullin e këshilltarit shkencor  të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Jugosllavisë nga fusha e shkencave të historisë.

Aleksandër Stipçeviqi 4

Në vitin 1990, është zgjedhur me titullin e këshilltarit shkencor në fushën e shkencave informative. Nga viti 1970-1973, në cilësinë e ligjëruesit të lartë, si bashkëpunëtor i jashtëm, ka ligjëruar “Hyrje në arkeologji”  në Fakultetin filozofik në Prishtinë.  Kah fund ii vitit 1971 është zgjedhur ligjërues për lëndën “Hyrje në histirinë e librit dhe të bibliotekave” në studimet pasuniversitare (postdiplomike) për bibliotekari, dokumentacion dhe shkencat informative të Universitetit të Zagrebit. Më 1978, është zgjedhur profesor inordinar honorarist në katedrën e sapoformuar  për bibliotekari të Fakultetit filozofik të Universitetit të Zagrebit, ndërsa më 1987, është zgjedhur për professor të rregullt po në këtë fakultet. Është oensionuar në vitin 1997.

 

Aleksandër Stipçeviqi 5Nga viti 1987-1996, ka qënë shef i Katedrës së bibliotekarisë, në Degën e shkencave informative, ndërsa nga 1992-1995, kryeshef i Degës së shkencave informative në Fakultetin filozofik në Zagreb. Në organizatat e bibliotekarisë ka ushtruar shumë detyra: nga 1967 deri më 1973, ka qënë kryetar i Shoqatës së bibliotekistëve të Kroacisë, ndërsa nga 1967-1969, kryetar i Shoqatës së bibliotekistëve të Jugosllavisë.

Nga viti 1992-1997, ka ushtruar detyrën e kryetarit të Këshillit për bibliotekat në Republikën e Kroacisë. Në periudhën nga 1993-1996 ka qënë anëtar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut dhe të Drejtave të Bashkësive dhe Pakicave Etnike, të Dhomës së deputetëve të Parlamentit të Republikës së Kroacisë.

Aleksandër Stipçeviqi 6

Nga 1973 deri më 1999, ka qënë anëtar i Këshillit botues të edicionit  ”Anual Bibliography of the History of the Printed Books and Libraries”, që botohej në  Den Haag. Më 1968. inicon veprimtarinë botuese të Shoqatës së bibliotekistëve të Kroacisë. Ka qënë  kryeredaktor të botimeve shoqërore të Shoqatës së bibliotekistëve të Kroacisë deri më 1984. Redaktor profesional i botimeve të Entit Leksikografik “Mirosllav Krlezha” (botimi i dytë i Enciklopedisë së Jugosllavisë, Leksikoni biografik kroat, Enciklopedia e Kroacisë).

Aleksandër Stipçeviqi 7

Nga viti 1983 është anëtar (jashtë përbërjes  punuese)  të Akademisë së Shkencave dhe arteve të Kosovës, ndërsa nga viti 2001, anëtar nga jashtë shteti i  (Socio straniero) Accademia Marchigiana di Scienze, Lettere ed Arti në  Ancona të Italisë. Është anëtar i PEN Qendrës së Kroacisë nga viti 1985, si dhe të Shoqatës së Arkeologëve të Kroacisë nga viti 1962.

 

Aleksandër Stipçeviqi 8Për punën e tij është nderuar me shumë mirënjohje: më 1983 ka marë çmimin e “Kukuleviqit”  për punën e tij në profesionin e bibliotekarisë, ndërsa më 1998 është nderuar me “Rendin e Yllit të Kroacisë, me figurën e Marko Maruliqit”. Çmimin e qytetit të Zagrebit e ka marë më vitin 2004. Po të njëjtin vit edhe Çmimin e qytetit të Zarës, për vepër jetësore. Dekoratën e artë, “Naim Frashëri”, të cilën ia dorëzoi president i Republikës së Shqipërisë, Rexhep Mejdani, “për kontribut në zbardjen e historisë së ilirëve” e ka marë më vitin 2001.

 

Aleksandër Stipçeviqi 9Ka marë pjesë në shumë tubime shkencore në vend dhe nëpër botë. Ka qënë në udhëtime studimore dhe stipendi në Itali, Gjermani, Angli, Korejë, Jordani, Turqi, Danimarkë, Shqipëri dhe në shumë vende tjera.

Merret me artin dhe religjionin e ilirëve antik, bibliografi, historinë kombëtare-nacionale dhe ate të përgjithshme të librit si dhe me çështje të censurës dhe në përgjithësi fatin në shoqëri. Ka shkruar sintezën e parë mbi artin e ilirëve dhe sintzën mbi ilirët e cila deri më tani ka përjetuar nëntë botime në katër gjuhë (kroatisht, anglisht, shqip dhe italisht). Ka shkruar shumë libra dhe punime mbi arbëneshët e Zarës. Ka botuar më shumë se 200 punime shkencore dhe profesionale në gjuhët: kroatisht, italisht, shqip, anglisht dhe në frengjisht dhe ate në publikimet nacionale dhe ndërkombëtare. Aleksandër Stipçeviqi 10Viteve të fundit më së shumti shkruan për historinë e librit kroat dhe bibliotekat kroate.

Ka botuar këto tituj: Arte degli Illiri, Milano 1963. (botimi anglisht  1963), Dorracak për rregullimin e diskotekave, Zagreb 1964. (në bashkëpunim me  Lela Caniq dhe  Janko Zhivkoviq),  Gli Illiri, Milano 1966. (përkthyer në shqip  1967),  Bibliographia Illyrica, Sarajevë 1967. (suplementet janë botuar  1974., 1978. dhe 1984),  Iliri povijest, kultura, život, Zagreb 1974, 1989, 1991. (përkthyer në anglisht  1977. dhe në shqip  1980, 1990. dhe 2002),  Bibliografja e arkeologjisë antike në  Jugoslavi 1-2, Sarajevë 1977., Aleksandër Stipçeviqi 11 Kultni simboli kod Ilira, Sarajevë 1981. (botimi në shqip 1983., 1990. dhe 2002),  Historia e librit, Zagreb 1985. (botimi në shqip 1988. dhe  2000., në arabisht  1993. dhe në persisht  1994), Cenzura në biblioteka, Zagreb 1992., Mbi censorin e përkryer, Zagreb 1994. (botimi në shqip  2002), Interpretime albanologjike, Shkup 1994., Si ti shmangemi censorit, Zagreb 1997., Tregimi mbi Leksikonin biografik kroat, Zagreb 1997., Fati i librit (Sudbina knjige), Lokve 2000., Historia sociale e librit tek kroatët (Socijalna povijest knjige u Hrvata), – (tani për tani janë botuar dy prej tri librave të planifikuara), Zagreb 2004. dhe  2006).

Aleksandër Stipçeviqi 12

Libri Tradicionalna kultura zadarskih Arbanasa (Kultura tradicionale e arbëneshëve të Zarës), është libri i fundit që ka botuar Akademik Aleksandër Stipçeviqi dhe ai vazhdimisht thoshte: “Mua gjithmonë më ka munguar koha, koha gjithmonë më ka lënë mbrapa”.

 

Në fund, Urime ditëlindjene 84  i Nderuari Shandri duke Ju dëshiruar shërim të shpejtë dhe këthim sa më të shpejtë në familjen tuaj të ngushtë dhe në mesin e shokëve, miqëve, kolegëve dhe gjithë atyre që akoma kanë nevojë për sugjerimet tuaja, këshillat dhe urtësitë tuaja shumë miqësore e vëllazërore.

Strugë, 9 tetor

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch