Home » Kulturë, Lajme, Ndërkombëtare » TAKIM MBRESËLËNËS, ME SHKRIMTARË NGA SUEDIA…

TAKIM MBRESËLËNËS, ME SHKRIMTARË NGA SUEDIA…

Nga: Murat Gecaj

TAKIM ME SHKRIMTARË NGA SUEDIA-1

Foto për kujtim, pas takimit…

Këto ditë kanë ardhur në Shqipëri katër shkrimtarë nga Suedia: bashkatdhetarët tanë Sokol Demaku e Hamit Gurguri dhe suedezet Anna Mattssson e Britta Stenberg. Me këtë rast, sonte në mbrëmje, në mjediset e Hotelit “Livia” të kryeqytetit u organizua një takim miqësor i tyre, me një grup shkrimtarësh e poetësh dhe studiuesish, nga Tirana. Qëllimi ishte të shkëmbeheshin mendime të parbashkëta, si për krijimtarinë e deritanishme dhe mundësinë e forcimit të lidhjeve e të shkëmbimit të përvojave në fushën e krijimtarisë letrare.

Moderatori i këtij takimi, shkrimtari i mirënjohur Viron Kona ua uroi mirëseardhjen kolegëve krijues nga ai shtet skandinav. Vetë ai e ka vizituar atë vend mik disa herë, ka shkruar libra me tematikë për të dhe është përkthyer në sudisht libri i tij për fëmijë “Eh, mor Bubulino!” Pas tij folën shkrimtarët e poetët S.Demaku e H.Hurguri, të cilët treguan për punën e tyre e të kolegëve tjerë në Suedi, si për hartimin dhe botimin e disa librave, në prozë e poezi. Në këtë fushë të rëndësishme ata kanë gjetur e gjejnë mbështetjen e përhershme e dashamnirëse të shtetit sudez, ashtu si dhe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë, që i ndjekin shkollat e kategorive të ndryshme, bashkë me nxënës të shumë kombësive të botës.

Në vazhdim, e morën fjalën miket shkrimtare nga Suedia, Anna Mattsson e Britta Stenberg. Së pari, ato shprehën kënaqësinë që e vizitojnë për herë të parë Shqipërinë dhe se janë mjaft të kënaqura nga bukuritë e saj, si dhe nga mikpritja e bujaria shqiptare. Gjithashtu, ato treguan për kujdesin, që tregohet në Mbretërinë e Suedisë për krijuesit, poetë ose shkrimtarë dhe, veçanërisht, për librat që u kushtohen fëmijëve.

Disa pjesëmarrës në këtë takim i falënderuan për këtë vizitë, shkrimtarët e ardhur nga Suedia, si: Muharrem Dardha, Vjollca Spaho, Nuri Dragoi, Murat Gecaj, Shpresa Rama, Bashkim Saliasi etj. Gjithashtu, ata u ndalën edhe në disa probleme në fushën e krijimtarisë e të botimeve në vendin tonë dhe për mundësitë e bashkëpunimit e të shkëmbimit të ndërsjelltë të përvojave.

Diçka e bukur dhe simbolike ishte se, disa krijues në këtë takim, i dhuruan njëri-tjetrit libra të tyre, me shënime dashamirëse.

Sot paradite shkrimtarët e ardhur nga Suedia vizituan rrethin e Krujës dhe në ditët vazhduese do të marrin pjesë në disa veprimtari të planifikuara, në rrethet Lezhë e Durrës.

Para se të ndaheshin, pjesëmarrësit në takimin e mësipërm bënë një fotografi të përbashkët, të cilën po e publikojmë bashkë me këtë shkrim informues.

Tiranë, 20 qershor 2016

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch