Home » Lajme, Vendore » Takim vëllazëror midis republikanëve të Kosovës dhe atyre të Luginës së Preshevës

Takim vëllazëror midis republikanëve të Kosovës dhe atyre të Luginës së Preshevës

PR foto nga takimiGjilan – Republikanët e Kosovës, me ata të Luginës së Preshevës, në Gjilan, mbajtën një takim të përbashkët, për të diskutuar lidhur me zhvillimet politike në Anamoravë dhe në krahun e saj lindor në: Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.

Gjatë këtij takimi, i cili kaloi në një atmosferë vëllazërore, u shtruan shumë probleme, me të cilat po përballen shqiptarët jashtë trojeve shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës, e me theks të veçantë në rajonin e Luginës së Preshevës.

Delegacioni nga radhët e republikanëve në Luginë të Preshevës, të cilit i printe kryetari z. Avdil Ramadani, i cili njëherit është edhe nënkryetar i këtij subjekti politik në nivel të Serbisë dhe Vojvodinës, e njoftoi kryetarin e republikanëve të Kosovës, z. Faton Kurti dhe nënkryetarin e saj Selver Xhelili, për problemet politike dhe ekonomike me të cilat po ballafaqohen shqiptarët në Luginë të Preshevës.

Zotëri Ramadani, në kuadër të këtij takimi, theksoi vazhdimin e diskriminimit sistematik shtetëror, që ushtron Beogradi, ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës, duke ua mohuar të drejtën e dygjuhësisë, simboleve kombëtare, integrimin në organet shtetërore, qarkullimin e lirë në zonat kufitare, e kohëve të fundit edhe me masivizimit të vendbanimeve dhe shlyerjen nga evidenca e gjendjes civile.

Në këtë drejtim Ramadani, nuk kurseu kritikat edhe ndaj pushteteve lokale në Bujanoc e Preshevë, të cilat duke u marrë kinse me punë të mëdha “kombëtare”, kanë lënë në harresë problemet e përditshme të qytetarëve, të cilët në kërkim të një jete më të mirë e më të sigurt, po i braktisin vatrat stërgjyshore.

Njeriu i parë i republikanëve të Kosovës, z. Faton Kurti, me një shqetësim të madh përcolli diskutimet e këtij takimi, duke shprehur gatishmërinë e plotë për solidarizim me republikanët në Luginë të Preshevës dhe më gjerë, në mënyrë që të ushtrojnë trysni te Beogradi dhe faktorët ndërkombëtarë për t’u dhënë fund vuajtjeve shekullore të shqiptarëve për realizimin e të drejtave të tyre qytetare dhe kombëtare.

Edhe Selver Xhelili nënkryetar i Republikanëve të Kosovës tha se kjo iniciativë është ndërmarrë për ta fuqizuar rolin e Republikanëve në rajon.”Ne gjithmonë do të jemi pranë problemeve që kanë banorët e Luginës dhe do të mundohemi që maksimalisht ta sensibilizojmë dhe shtrojmë drejtë çështjen shqiptare të asaj pjese. Nuk mund të ketë qetësi shpirtërore tek shqiptarët pa zgjidhjen përfundimtare të shqiptarëve të Luginës” tha Xhelili.

Xhelili i cili njihet edhe si koka e takimeve kombëtare tha se është momenti i fundi që politika në Luginë të mendojë më seriozisht për fatin e shqiptarëve të Luginës.

Në fund, republikanët e Kosovës dhe ata të Luginës së Preshevës, u dakorduan, që takimet e këtij niveli, në të ardhmen të shpeshtohen dhe të thellohen, në mënyrë të ngritjes së urave të bashkëpunimit në rrugën e afirmimit dhe sensibilizimit të çështjes së shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe më gjerë.

Në këtë takim i pranishëm ishte edhe Sevdail Hyseni e Fatmir Sopi.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch