Home » Lajme » Takime me shkrimtarë XHEVAHIR SPAHIU – NJË XHEVAHIR I ÇMUAR I LETRAVE SHQIPE

Takime me shkrimtarë XHEVAHIR SPAHIU – NJË XHEVAHIR I ÇMUAR I LETRAVE SHQIPE

“Kur dëgjoj recitimet e vargjeve të mija, nga talentet e reja të Akademisë “Stoa”, nga Lugina e Preshevës, më kujtohen këngët e bilbilave të Skraparit, vendlindjes sime”, shprehet me plot mall e dhembshuri, poeti, Xhevahir Spahiu.

Në një ambient të ngrohtë familjar, në Tiranë, përfaqësuesit e Akademisë “Stoa”, nga Lugina e Preshevës, zhvilluan një emision letrar me Xhevahir Spahiun, njërin nga poetët më të spikatur të letrave shqipe.

“Nuk flas dot, s’mund të flas”, është përgjigja e shpeshtë e cila del nga goja e poetit tonë të madh Xhevahir Spahiu, kur gazetarët shkojnë ta intervistojnë, ngase para pak vitesh, kishte pësuar një ishemi cerebrale e nuk ndjehej komod për paraqitje publike.

Kjo përgjigje e poetit Xhevahir Spahiu, të cilin të afërmit e tij, miqtë dhe dashamirët, kanë qejf ta thërrasin me shkurtesën Xheva, si duket nuk vlen për talentet e reja të Akademisë “Stoa”, nga Lugina e Preshevës, të cilat kishin bërë me qindra kilometra rrugë e duke kaluar disa kufij shtetëror, për ta zhvilluar një bisedë më shkrimtarin e shpirtit të tyre, për të cilin kishin lexuar shumë, por nuk kishin pasur fat ta takojnë për së gjalli.

Pyetjet e talenteve të reja: Qëndresa Ebibi, Blerta Halili, Alejna Nuhiu, Elma Duraku, Arita Azizi e Nora Iseni, për kolosin e letrave shqipe, për emisionin “Takime me personalitete të shquara të kulturës shqiptare”, e cila u zhvillua, më 17 shtator, të këtij viti, ishin të shkurta dhe të këndshme për poetin. Gjashtë pyetje, gjashtë përgjigje, të poetit Xhevahir Spahiu, të cilat u ndihmuan të realizohen për mrekulli nga bashkëshortja e tij Marjeta dhe djali Orgesi.

Poezia del nga shpirti

– Në shtetet Skandinave, poetët trajtoheshin si gjysmë- profet, në Shqipëri kur filluat të merreshit me shkrimin e poezisë, cili ishte statusi i poetit?

Xhevahir Spahiu: Nuk ka qenë e lehtë të ishe poet në kohën kur unë kam shkruar. Poezia del nga shpirti dhe është e vështirë ta mbash brenda kornizave të sistemeve. Dhe mua, edhe me ka kushtuar ndonjëherë ajo ç’ka më ka dalë nga pena.

– Zotëri Xhevahir, në një poezi Tuajën keni thënë: “Ne dikur nuk kishim armë, por nga trupi ynë shkulëm një brinjë dhe e bëmë shpatë”. Cila është metafora e kësaj poezie?

Xhevahir Spahiu: Populli ynë ka mbijetuar me shumë sakrifica. Simbolika e kësaj poezie është frymëzuar nga ato. Ajo ka për qëllim ta lartësojë në piedestal luftën me mish e me shpirt të të parëve tanë.

– Poezia për Shqiponjën, lexohet me një frymë. Ajo ka zënë vend edhe nëpër tekstet shkollore të nxënësve nga Lugina e Preshevë, atje ku simbolet kombëtare nuk janë të rregulluara me ligj. Cili është opinioni Juaj lidhur me këtë poezi?

Xhevahir Spahiu: Flamuri dhe shqiponja mbi të janë simbolika më e shenjtë e popullit tonë. Kjo poezi ka qëllim të mëkoje fëmijët me dashurinë për simbolin e kombit.

– Në Mitingun e poezisë në Gjakovë, keni marrë pjesë aktive, duke u shpërblyer edhe me çmim letrar. Me çfarë përshtypjesh jeni ndarë nga një miting i tillë?

Xhevahir Spahiu: Siç e shpreha dhe në Gjakovë, marrja pjesë në atë miting me vlera të spikatura letrare ishte një emocion i veçantë. Një traditë gjysmëshekullore e Gjakovës, Vendlindjes së Poetit, Vëllait Ali Podrimja.

– Veç shkrimit të poezisë a merreni edhe me trajtimin e zhanreve të tjera dhe cilat janë ato?

Xhevahir Spahiu: Përveç poezisë, unë jam marrë me Reportazhe, dhe Ese. Së shpejti del libri im me Ese, 300 faqesh, i botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

– Kritika letrare ju çmon lart, duke ju llogaritur një nga poetët më të mirë që ka Shqipëria. Cili është mesazhi Juaj në këtë drejtim?

Xhevahir Spahiu: Për çdo krijues mbetet i rëndësishëm vlerësimi i kritikës. Sidoqoftë, gjëja më e rëndësishme në rrugëtimin tim si poet është se kam mbushur zemrat e njerëzve me fjalën që më ka dalë nga shpirti.

Mirënjohja “Ylli polar”

Takimi miqësor me poetin Xhevahir Spahiu, pas zhvillimit të intervistës, vijoji me leximin e poezive të tij, nga talentet e reja të Akademisë “Stoa”, të udhëhequr nga profesor Bejzad Avdiu.

I emocionuar e njëkohësisht i mallëngjyer, nga recitimet brilante, poeti Xhevahir Spahiu, shpërthen me plot mall e dhembshuri: “Kur dëgjoj recitimet e vargjeve të mija, nga talentet e reja të Akademisë “Stoa”, nga Lugina e Preshevës, më kujtohen këngët e bilbilave të Skraparit, vendlindjes sime”.

Në fund të emisionit, kryetari i Akademisë “Stoa”, i dha një Mirënjohje poetit Xhevahir Spahiu, në të cilën zinin vend fjalët: “Yll polar”, që nuk shuhet kurrë, në fushën e poezisë shqipe”.

Pas përfundimit të takimit, poeti Xhevahir Spahiu, i përqafon, një nga një, vajzat e Akademisë “Stoa”, dhe përfaqësuesit tjerë nga Lugina e Preshevës, duke i shtrënguar me dashuri e mallëngjim me shpresën e madhe se do të takohen sërish.

Le të dihet

Akademia “Stoa”, është një organizatë joqeveritare nga Lugina e Preshevës, me seli në Bujanoc, e themeluar, në vitin 2009.

Talentet e rinj, në kudër të Akademisë “Stoa”, kanë zhvilluar intervista me personalitete të shquara të jetës arsimore e kulturore në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe diasporë.

Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar me dhjetëra takime e intervista me poetë e shkrimtarë si: Idriz Ajeti, Dritëro Agolli, Mark Krasniqi, Ramiz Kelmendi, Adem Demaçi, Qerim Ujkani, Nazmi Rrahmani, Flora Brovina, Ylljet Aliçkaj, Sabri Maxhuni – Novosella, Sali Bashota, Sabile Keqmezi – Basha, e këto ditë me Xhevahir Spahiun.

Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch