Home » Lajme, Vendore » “Takimet e Vendlindjes’’ në Medvegjë

“Takimet e Vendlindjes’’ në Medvegjë

Medvegje 01052014-1Me organizimin e Komunës së Medvegjës,përkatësisht Këshillit Organizativ në krye me zëvendëskryetarin e Medvegjës z.Florim Sahiti, si dhe të Shoqatës Humanitare “Medvegja”, sot u mbajt manifestimi tradicional “Takimet e
Vendlindjes”.
Ky manifestim, i mbajtur në fshatin Tupallë të Medvegjës, është një ngjarje shumë e rëndësishme për medvegjasit, pasi që ata mblidhen, takohen dhe festojnë në fshatin Tupallë për çdo vit, tashmë qe pesë dekada me radhë.

Por, ajo që e karakterizoi këtë “një maj”, ishte valimi i flamurit kombëtar shqiptar, gjë që i bëri të gjithë medvegjasit të ndihen mirë në shtëpinë e tyre, në Medvegjë. Këtë ndjenjë e forcoi edhe më tej prania e deputetit të parlamentit të Kosovës, z. Jeton Svirca. “Unë sot ndihem krenar sepse … sot gjendem para flamurit tonë kombëtar i cili qe 30 vite nuk ka qenë i shfaqur këtu” – theksoi z. Svirca.
Medvegje 01052014-2Ndërkaq, nëpërmjet një letre me vargje të fuqishme mallëngjyese dhe dashamirësie, manifestimin e kishte përshëndetur edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Republikës së Kosovës, z.Fadil Ismaili, i cili është pikërisht nga Tupalla.
“Vëllezër dhe motra… Jeta na katandisi gjithandej, por jo më shumë se sa vetëm një largësi fizike. Kaluam e mbijetuam furtunat e ndryshme, por… nuk u thyem. Nuk e thyem, sepse bashkë i vazhduam ëndrrat, bashkë i vazhduam festat tona” – tha në letrën e dërguar z.Ismaili.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe përfaqësuesit e institucioneve nga Presheva, Bujanovci, Kosova, Maqedonia dhe nga diaspora. Ndër ta ishin edhe figura të shquara kombëtare, si deputeti Riza Halimi, kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve z.Galip Beqiri, kryetari i komunës së Bujanocit z.Nagip Arifi, përfaqësuesit e shoqatës “Medvegja” z. Zenel Neziri dhe z. Fadil Selmani, si dhe shumë të tjerë.
Medvegje 01052014-3Programin e manifestimit e pasuruan edhe shumë artistë e këngëtarë, si Naim Abazi, Remzi Jakupi –Remi, Safete Selmani, Grupi Sevdalit, Sh.K.A ’’Shqiponjat e Medvegjës’’, Sh.K.A’’Zëri i Luginës’’nga Bujanoci, Grupi folklorik’’Shpëtimi’’ e të tjerë. Për fund, si ngjarja më e rëndësishme e ditës mund të cilësohet fillimi i ndërtimit të dy shtëpive të reja për dy familje shqiptare në Medvegjë, gjë që u mundësua në kuadër të aktivitetit humanitar të “Fondit Humanitar për Kosovë Lindore”.
Kështu, këtë ditë të veçantë, do ta mbajmë në mend për vullnetin dhe për shpresën që e morëm në vendlindjen tonë të dashur. Shpresën se, megjithatë, po vinë ditë më të mira për shqiptarët e Medvegjës.

Shkruan: Gëzim Zeqiri dhe Burim Uka
Tupallë, 1 maj 2014

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch