Home » Lajme, Vendore » Takimet e Vendlindjes “Tupalla 2013”

Takimet e Vendlindjes “Tupalla 2013”

Me rastin e 1 Majit

Takimet e Vendlindjes “Tupalla 2013”

Tupallë-Medvegjë, 24 prill(medvegja.net)

Takimet Tradicionale të Vendlindjes “Tupalla 2013” edhe këtë vit do të mbahen si rëndom, më 1 maj, në ambientet e shkollës fillore “Zenel Hajdini”, në Tupallë. Kësaj radhe, takimet tradicionale kulturore e sportive të shqiptarëve të Medvegjës do të organizohen nën patronatin e Kuvendit Komunal të Medvegjës, ka bërë të ditur për medvegja.net zoti Florim Sahiti, zëvendëskryetar i Komunës. Z. Sahiti i ka ftuar të gjithë qytetarët që t’i bashkëngjiten këtij manifestimi, i cili do të ketë aktivitete kulturore, sportive e tjera.

Është paraparë që në këtë aktivitet të marrin pjesë shoqëri kulturore-artistike, si “Shqiponjat e Medvegjës”, rapsodë e këngëtarë nga Kosova e Lugina, Grupi Folklorik “Shpëtimi” e tjera. Në këtë aktivitet do të ketë edhe promovim librash, ndërsa do të organizohet edhe turneu tradicional i futbollit, me ç’rast ekipet e interesuara mund të paraqiten deri më 1 maj, në orën 10:00, te komisioni përkatës.

Përgatitjet për mbajtjen e këtij manifestimi tradicional tani më janë në fazën finale, ndërsa janë të ftuar të marrin pjesë edhe kryetarët e komunave të Preshevës, Kamenicës, Bujanocit, Fushë-Kosovës, Prishtinës dhe natyrisht nikoqirët e komunës së Medvegjës. Të ftuar janë edhe disa deputetë nga Kuvendi i Kosovës, një zëvendëskryeministër  i Kosovës, kryetar të partive politike në Luginë dhe më gjerë si dhe ambasadori i Shqipërisë në Beograd.

Vlen të theksohet se këtë vit, duke filluar nga data 30 prill, Medvegjën do të kenë mundësi të vizitojnë edhe qytetarët me dokumente të Republikës së Kosovës, ndërsa kjo nuk do të vlejë për veturat me regjistrim të Kosovës.

Për informata shtesë, rreth organizimit të transportit dhe për çdo gjë tjetër, medvegja.net do të ju informojë me kohë./B.UKA/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch