Home » Lajme, Vendore » TAKIMET LOBUESE PËR KOSOVËN LINDORE ISHIN TË SUKSESSHME KONSIDERON SHOQATA ,,VATRA’’

TAKIMET LOBUESE PËR KOSOVËN LINDORE ISHIN TË SUKSESSHME KONSIDERON SHOQATA ,,VATRA’’

Në aktivitetet e parapara nga kryesia e delegacionit të ,,Vatrës”, çdo herë në përbërje të ndryshme, ka mbajtur takime me të gjitha partitë që participojnë në Parlamentin e Kosovës, dhe me përfaqësues të Qeverisë së Kosovës si: zv.Kryeministrin z. Hajredin Kuqi, Kryeparlamentarin z. Jakup Krasniqin, Kryetarin e OVL z. Muharrem Xhemajlin, përfaqësuesit e PDK-së, të LDK-së, AAK-së, LVV-je, AKR-së dhe Lëvizjes për Bashkim. Këto takime kishin për  qëllim sensibilizimin e opinionit të gjerë, por edhe të pozitës e opozitës në Kosovë se; problemi i Kosovës Lindore nuk është zgjidhur, andaj ne kërkuam nga të gjithë, që të na përkrahin sa më fuqishëm në zgjidhjen fatlume të kësaj çështje.

Në bisedimet eventuale, nëse bisedohet me Serbinë për pjesën e Veriut, atëherë me çdo kusht në agjendën e bisedimeve të futet edhe Kosova Lindore. Mendojmë se çdo insistim i palës kosovare për përfshirjen në agjendë edhe të problemit të Kosovës Lindore, vetëm sa e forcon pozicionin e palës kosovare për kërkesa reciproke. Dihet botërisht për koncesionet që iu janë bërë Serbisë në të kaluarën nga po këta shtete të fuqishme Evropiane, andaj tani ka ardhur koha që këto gabime të së kaluarës të përmirësohen, sepse që të eliminohen tërësisht mbase është e pamundur, ngase do të duhej të ktheheshin shumë e shumë toka shqiptare që na i kanë okupuar në të kaluarën, që të gjitha shtetet me të cilat kufizohen tokat shqiptare, (shih hartën; Greqi, Maqedoni, Serbi dhe Mali i Zi)

Ne konsiderojmë se Kosova Lindore padrejtësisht ka mbetur nën kufijtë administrativ të Serbisë, andaj kërkojmë me ngulm që kjo padrejtësi të përmirësohet dhe kjo pjesë e Kosovës të kthehet aty ku gjithmonë e ka pasur vendin, pra t’i bashkohet Kosovës.

Takimet ishin mjaft të përzemërta e vëllazërore, e njëkohësisht të gjithë premtuan se do të bëjnë gjithë ç’është e mundur në përkrahje, por edhe do të bëjnë trysni te të gjithë faktorët vendimmarrës, që kjo çështje të mos  mbetet pa u shtruar në tryezën e bisedimeve.

Gjithashtu, gjatë këtyre takimeve, ne kërkuam dhe jemi dakorduar me të gjithë, që të hapet një zyrë ndërlidhëse, e cila do të ndihmonte atë popullatë në zgjidhjen e problemeve jetësore, (arsim, kulturë, sport, tregti, lëvizje të lirë, aranzhime të ndryshme etj.) gjeri sa të bëhet zgjidhja përfundimtare, por e pranueshme për popullin shumicë të Kosovës Lindore. Për modalitetet dhe mënyrën teknike të funksionalizimit të kësaj zyre, do të bisedohet në të ardhmen edhe me përfaqësues të Qeverisë, gjersa të realizohet kërkesa.

Njëkohësisht është biseduar edhe për pajisjen me dokumentet e  identifikimit për popullatën e Kosovës Lindore, të cilët jetojnë në Kosovë e posaçërisht në Komunën e Gjilanit. Shqetësimi i popullatës qëndron në atë se; një pjesë e mirë e të rinjve  kanë mbetur pa dokumente identifikimi edhe në vendlindje, ngase atje kërkohet që të jenë prezent me rastin e kontrollimit në vendbanimin që tani një dekadë janë dëbuar me dhunë nga po të njëjtët organe. Është premtuar se do të bëjnë ç’është e mundur që të lehtësojnë procedurat për lejimin e realizimit të drejtës elementare, sepse ne mendojmë se kjo është shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Gjilan, më 29.10.2012                                                    Kryetari i ,,Vatrës”

Sejdulla Kadriu

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch