Home » Opinione » Të mendosh seriozisht për Luginën e Preshevës!

Të mendosh seriozisht për Luginën e Preshevës!

Data e 16 janarit do të duhej të jetë datë e zakonshme për shqiptarët e Luginës së Preshevës, por ja që Ivica Daçiq e bëri shumë të turbullt. Tani shqiptarët duhet ta presin në ankth, sikur shqiptarët e Republikës së Kosovës që e prisnin ndonjë date fatkeqe para 1999. Do të donim që16 janari për Luginën e Preshevës, të ngjasonte me datën e 12 qershorit e Republikës së Kosovës.

Situata politike dhe jo vetëm, në Luginë të Preshevës, paraqet një ngjajshmëri dhe të rikthen në kohë, gjatë angazhimit ushtarak dhe politik serb kundërshqiptar në Republikën e Kosovës në vitet e 80-ta dhe 90-ta.

Atëkohë, kinse në Kosovë ishin të rrezikuar serbët, gjatë vitit 1989 kasapi i Ballkanit Sllobodan Millosheviq e vizitoi Fushë Kosovën, dhe pikërisht aty në sallën ku mbahej takimi dëgjoheshin thirrjet “po na rrahin”, “po na rrahin”. Pas kësaj Millosheviqi shumë i qetë delë para turmës dhe merr rolin e heroit duke thënë fjalët “Askush nuk guxon t’ju rrahë”, “As një fije floku nuk guxojnë t’jua prekin”

Dhe në të vërtetë ashtu doli, askush nuk i preku, deri në vitin 1998.

Si mund të ishin aso kohe serbët e Kosovës të rrezikuar, kur ata jetonin në një sistem që vet e patën ngritur dhe e përkrahën pikërisht këtë politikë dhe këtë lider, që me vonë do t’ia shohin sherrin?!

Dhe sot, kur ekzistojnë fakte konkrete për gjenocidin serb mbi popullatën shqiptare në territorin e Republikës së Kosovës, është po ajo qeveri serbe, që tani vetëm sa ka ndryshuar metodologjinë gjenocidiale, po vepron njejtë edhe me shqiptarët etnik në Komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Është pikërisht ajo lojë e dhunës dhe e dëbimit, ndoshta edhe më e avancuar por më e heshtur nga mediat e shumta kësaj radhe definitivisht, që vazhdon të dëbojë të rinjë, të dëbojë familje të tëra nga ky territor shqiptar!

Shqiptarët e kësaj ane shkollohen, deri në nivel universitar. Dhe kur vie çështja e punësimit, … nuk ka! Kështu shkalla e papunësisë së shqiptarëve ka arritur mbi 70%.

Ky është dëbim i planifikuar.

Në Medvegjë nga 5000 e më tepër banorë sa jetonin para vitit 1998, tani janë jo më shumë se 400 banorë. Në vitin 2002 zyrtarisht jetonin 7.22% . Edhe ata pak banorë që jetojnë në atë komunë, janë të detyruar të mos flasin shqip, sepse në të kundërtën dihet se në çfarë situate do të gjinden ata.

Kjo komunë është bërë pothuajse 100% serbe.

Pse ia nisën spastrimit etnik me këtë komunë???

Arsyet: Banja e Sijarinës, banjë mrekullibërëse, fshati Tullarë me burimet e ujit mineral, dhe pasuria nëntokësore që është gjetur kohëve të fundit atje, siç është ajo me Oniks dhe shumë minerale tjera. Ka edhe shumë arsye tjera.

Në komunën e Bujanocit, shteti serb po mundohet të “rikthejë” serbë në atë pjesë. Jo për çështje humanitare apo të ngjajshme, por për të dalë në avantazh nacional dhe për të ngritur përqindjen e serbëve në këtë anë. Komuna e Bujanocit momentalisht është e përbërë nga 60% shqiptarë. Kështu shteti serb do të mundohet të “zbusë” këtë përqindje, dhe ndoshta edhe të marrë pushtetin në këtë komunë shqiptare.

Pastaj, edhe kjo komunë i ka pasuritë e saj, siç është Banja e Bujanocit, pastaj fabrika e ujit natyral dhe mineral si dhe lidhja hekurudhore Europë- Azi dhe autostrada që poashtu lidh Europën me Azinë.

Dhe platforma serbe për komunën plotësisht shqiptare, atë të Preshevës, duket se do të ndryshojë në këtë pikëpamje. Duke mos patur mundësi që të “zbus” popullatën me serb të ardhur nga e tërëSerbia, ajo instalon FRIKËN tek shqiptarët e kësaj komune, si metodë më e avansuar, për dëbim drejt Republikës së Kosovës.

Serbisë askund nuk i dhemb më shumë se sa rikujtimi i humbjes së të gjitha luftërave që i pati nisur vet ajo!

Shtetit serb i dhimbsen pasuritë dhe levërdia ekonomike që ka poashtu Presheva. Kalimi kufitar “Presheva” që lidh Europën me botën e Lindjes si dhe kalimi kufitar hekurudhor janë një nga zonat më fitimprurëse që nga Nishi e këtej.

Dhe për ta frikësuar popullin shqiptar ajo gjen mënyra nga më të paimagjinueshmet.

Kështu ngritja e PËRMENDORES kushtuar trimave të UÇPMB-së që dhanë jetën për çlirim nga ky pushtet i çmendur psikikisht, në Sheshin Qendror të qytetit të Preshevës siç duket është duke ia zënë rrugën shumë. Me këtë gjest, të bën të mendosh seSerbiai paska të zgjidhura të gjitha çështjet politike, thua se e paska të zgjidhur krizën e brendshme ekonomike, dhe se i paska vënë në pranga strukturën mafioze që është duke e udhëhequr pikërisht këtë shtet, nëse mund ta quajmë shtet.

Shqiptarët kësaj radhe do të duhet të unifikohen. Duhet ta dijnë se koha e pazareve ka kaluar. Ajo që është humbur, nuk kthehet. Diçka që vendoset në gurë, nuk guxon të hiqet. Qoftë edhe me një çmim shumë të lartë.

A duhet dialog?

Sigurisht se duhet. Vetëm se mbi baza të reciprocitetit. Republika e Kosovës e ka shansin që të kërkojë reciprocitet, nëse jo momentalisht në aspektin territorial, bile në avansimin e të drejtave të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës. Nëse Kosova nuk mund të bëj më shumë se kaq, atëherë Shqipëria mund të kërkojë nga OKB një seancë të jashtëzakonshme për kërcënimet e vazhdueshme që po i bëjnë Ivica Daçiq dhe Tomisllav Nikoliq.Serbiapati bërë kërkesë të ngjajshme lidhur me serbët në veri të Mitrovicës.

Po e përfundoj këtë këndvështrim me deklaratën e Kryetarit të Preshevës: “Po e rrënuan Lapidarin, unë do të jap dorëheqje si Kryetar dhe që nga ajo ditë ne, shqiptarët e Luginës, nuk do t’i njohim institucionet e Serbisë“

 

Fidan N. Shaqiri

http://www.facebook.com/fidan.shaqiri

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch