Home » Kulturë » TË SHKRUASH PËR “HYJNESHAT” E JETËS SONË, ËSHTË GJË E BUKUR…

TË SHKRUASH PËR “HYJNESHAT” E JETËS SONË, ËSHTË GJË E BUKUR…

(Përurohet një libër i  ri, nga Baxhul Merkaj)

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

1.

Kolegu e miku im, arsimtari veteran Qatip Mara, kishte një arsye “të fortë”, kur më telefonoi këto ditë. Ai ndodhej së bashku me shkrimtarin B.Markaj dhe kishin kenaqësinë të njoftonin për përurimin e një libri të ri të këtij kolegu, me emrin mjaft domethënës, “Hyjneshat”. Aq merak e kishte Baxhuli organizimin e kësaj veprimtarie, sa më mori në telefon edhe më pas, duke kërkuar që të isha i pranishëm, me të ftuarit e tjerë.

Për një lexues të vëmendshëm, emri i auorit Baxhul Merkaj nuk është i panjohur. Ai është studiues e kritik arti  dhe ka lindur në Lapardha te Vlorës, në vitin 1944. Ka mbaruar Liceun Artistik “Jordan Misja”, në Tiranë, më 1964 dhe Akademinë e Arteve, më 1971.  Ka shkruar e publikuar  afër 400 artikuj, esse dhe intervista, brenda e jashtë Atdheut, sidomos kushtuar figurave të shquara të artit shqiptar. Ka merituar dy çmime kombëtare në publicistikë dhe është autor i disa botimeve të tjera. Përmendim këtu edhe librin e tij të bukur e domethënës, me titullin “Personalitete elitare të artit shqiptar”, si një enciklopedi e veçantë, për disa nga artistët tanë më të njohur, nga të gjitha trevat shqiptare. Në faqet e tij, ai ka bërë një përmbledhje të jetëshkrimit dhe të veprimtarisë së disave nga këto figura, që nga Aleksandër Moisiu, Sandër Prosi, Odhise Paskali e Ibrahim Kodra dhe deri te artistët e ditëve tona.

Në vazhdimësi, për njohjen e  lexuesve me emrat e shquara të disa femrave shqiptare, ai publikoi këto ditë librin, me titullin kuptimplotë, “Hyjneshat”. Kështu, me qëllimin e mirë që, paraprakisht, të isha sa më i informuar për këtë libër të ri, Q. Mara më dërgoi përmes Internetit  kopertinën dhe hyrjen, që e ka shkruar Dukagjin Hata. Ndër të tjera, ky shkruan aty këto radhë: “Në novelat e këtij libri lëvizin e flasin me bëmat e tyre personazhe realë, pra të vërtetë e me dritëhijet e tyre. Por dhe personazhe jo realë, të krijuar nga autori. Ata janë sa të afërt në psikologji, por edhe të ndryshëm në profesione, me botëvështrime nga më të larmishmet, që përçojnë një kondicion të epërm njerëzor dhe estetik. Kështu, heronjtë e novelave janë dhjetë femra: mësuese, artiste, avokate, mjeke, gjinekologe etj. Ato i bashkon autori nëpërmjet ndjesive të tyre, nëpërmjet lajtmotivit të çdo femre shqiptare, por dhe femrave botërore, sipas devizës apostolike dhe thuajse me kumte hyjnore: “Mbill dashuri, se po mbolle dashuri, do të korrësh vetëm dashuri!…”.

2.

Për të kuvenduar rreth këtij libri të ri, me autor Baxhul Merkajn, sot paradite u organizua përurimi i tij, në mjediset e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve.  Ishin të pranishëm kolegë e miq të autorit, nga Tirana, Vlora etj.; shkrimtarë, artistë dhe punonjës të kulturës, shkencës dhe arteve, nga media e shkruar dhe ajo elektronike e tjerë.

Përurimin e hapi Nora Malaj dhe pas saj foli moderatori i veprimtarisë, Albert Zholi. Rreth përmbajtjes dhe veçorive të këtij libri publicistik e letrar,  foli Prof.Dr. Bardhosh Gaçe. Më tej, diskutuan me radhë: arsimtari Qatip Mara, avokati e poeti Selfo Mazreku, e bija e Baxhulit, Enkelejda Merkaj e të tjerë. Ata u ndalën në vlerat kryesore dhe përmbajtjen e “novelave” të këtij libri, siç i ka quajtur autori B.Merkaj. Nga ata u theksua se vërtet numri i “hyjneshave” në këtë libër është dhjetë, por nënkuptojnë e flasin në emër të mijëra femrave të botës, sepse ato janë “çelësi i jetës” dhe vazhdimësia e pandërprerë e saj. Me një gjuhë të gjetur e të pasur, autori e ka “qendisur” bukur portretin psikologjik e fizik të çdo personazhi të librit, që i ka krahasuar me figurat mitologjike dhe e ka pasqyruar mirë botën shpirtërore të tyre. Duke i lexuar portretet e regjisores Drita Agolli (Strazimiri), artisteve Margarita Xhepa, Drita Pelingu,  Drita Haxhiraj (Bardhi), Elvira Diamanti, Luiza Xhuvani  e Hajrie Rondo, juristes Drita Aga, Lilit e mamisë Athina, krijojmë përfytyrimin e plotë të vazhdueseve të denja të heroinave të lashtësisë shqiptare, që nga Teuta, Vojsava, Ajkuna e tjerë. Ishte mjaft mbresëlënës e domethënës çasti, kur personazheve të librit iu dhuruan buqeta me lule të freskëta.

Në këtë 100-vjetor të shpalljes së Pavarësisë sonë Kombëtare, ky libër është një si apel, i cili na thërret që t’i nderojmë dhe t’i vlerësojmë gjithnjë e më shumë e më mirë femrat, nënat e gratë, “kyçet” e vazhdimësisë së paçmuar të jetës sonë.

Bazuar në ato, që u thanë në këtë përurim, libri i B. Merkajt, “Hyjneshat” do të jetë i pranishëm jo vetëm në bibliotekat vetjake të personazheve të tij e të familjarëve të tyre, por dhe të një lexuesi të gjerë shqiptar. Kjo vjen se autori prekë ndjeshmërinë e të gjithëve për nderimin e respektin, që kemi dhe duhet të kemi për “hyjneshat” tona, për ato që e himnizojnë dhe e zbukurojnë jetën njerëzore.

Ishte kënaqësi për të gjithë pjesëmarrësit në këtë përurim, kur para tyre dolën këngëtarët popullorë të grupit, tashmë mjaft të njohur, “Anteu“, nën drejtimin e N.Çelës. Ata interpretuan me mjeshtëri këngë të trevave të Jugut të Shqipërisë dhe u duatrokitën fort nga dëgjuesit në sallë.

Në fund, pas fjalës falënderuese të autorit të librit, Baxhul Merkaj, gjatë koktejit të organizuar me këtë rast, të pranishmit në këtë përurim i vazhduan së bashku bisedat e tyre, duke ngritur dolli e duke e përgëzuar atë për punën e tij të përkushtuar dhe duke i shprehur besimin se, edhe në të ardhmen, ai do të jepë për lexuesit tanë botime të tillë, të bukur e cilësorë.

Tiranë, 14 janar 2012

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch