Home » Histori, Kulturë, Lajme » TELEISJA E FYTYRËS SË NUSES NË PRESHEVË ME RRETHINË

TELEISJA E FYTYRËS SË NUSES NË PRESHEVË ME RRETHINË

Shkruan : Xhemaledin SALIHU, profesor

Hyrje

Presheva në kohën antike, i takonte Dardanisë. Në kohëra të ndryshme, kjo qytezë u sundua nga romakët, bizantët, sllavët, turqit e jugosllavët, mirëpo asnjëherë nuk u dorëzua dhe me dinjitet e xhelozi të madhe ruajti dhe mbrojti traditën dhe kulturën popullore.

Ritet e dasmës shqiptare u ruajtën gjeneratë pas gjenerate dhe u kultivuan brez pas brezi, kështu që shpesh edhe sot janë të pranishme në dasmën shqiptare.

Dasmat preshevare dhe rrethinë ndodhnin nga e hëna deri të enjten apo nga e enjta deri të dielën. Pra, dasma ndodhte dhe shtrihej për disa ditë si në familjen e djalit, ashtu edhe në familjen e vajzës.

Ajo çfarë ka karakterizuar dasmat në Preshevë me rrethinë ishte hallallëku/lamtumira/ i vajzave nga familjarët e saj, më të afërmitë e nuses. Hallallëku, në dasmën preshevare ndodhte ditën e tretë të dasmës, natën kur nusja bëhej gati për të shkuar, të nesërmen te djali-dhëndrri, të enjtën apo të dielën, varësisht kur fillonte dasma.Nusja mirrej para dite, bile edhe në mëngjes, natën pa lind dielli.

Nusja vishej  nga telakja, në shumicën e viseve shqiptare, mirëpo në Preshevë me rrethinë nusën e vishte dhe e teleiste veshatorja, siç e quan edhe Mersine Veliu nga Presheva, plakë  që gjatë vite e praktikoi dhe luajti rolin e veshatores në dasmat e Preshevës.

Rituali i veshjes, i teleisjes dhe e vënies së kënasë përcillej me këngë të vajzave gjatë natës së kënasë, Kanaxheçit. Hallallëku ishe traditë dhe veçori e dasmave shqiptare të kësaj treve, si dhe më gjerë ndër shqiptarë.  Andaj kjo traditë dhe ky rit i ruajtur mirë, mund të shfrytëzohet edhe më tutje, por vetem me origjinalitetin e saj për festivale dhe efekte performative.  Kohëve të fundit në dasmat tona,  një grup vajzash të paguara i vejnë kënanë nuses, sakaq do të ishte shumë më simpatike dhe më efektive që këtë veprim ritualistik ta bëj dikush nga familjaret.

Kjo natë quhej Nata e Kënasë apo e Kënaxheçit.

Nata e kënasë, e vënies së kënasë, nuk duhet të njëjtësohet me pikturimin e fytyrës, e as me zbukurimin e fytyrës me aplikacione vezulluese-të quajtura japushturma. Teleisja me vënie telash e aplikacione të tjera nuk është pikturim. Sipas Prof. Dr. Drita

Halimi-Statovci,  pikturimi i fytyrës së nuses aplikohet drejtpërdrejtë në lëkuren e fytyrës, me dorë të lirë e me mjete të thjeshta. Madje pa asnjë shablon e mostër. Pikturohej, shminkohej, vizatohej, vendoseshin asprica apo sprinka, si dhe dekorimet-aplikacionet ngjitëse e të tjera drejtpërdrejt në lëkurë të fytyrës, të gjithat me dorë të lirë, duke u ndihmuar me mjete pune fare të pakëta dhe rustike, siç është një shkop i gëdhendur mirë për përvijm e konturim të vetullave e të qepallave dhe një shkop për të pikturuar e bartur aspricat në fytyrë.

Në Fjalorin e Gjuhës së Sotme shqipe, Prishtinë, 1981, f. 1980:

Teletis- 1.I vë tela nuses, nis e stolis nusen me tela 2.Zbukuroj dikë, i vë të bardhë e të kuq dhe e stolis me xhingla.

Teletisem- 1.Vë telat e nusërisë 2. Zbukurohem, vë të bardhë e të kuq e stolisem me xhingla, nisem e stolisem si nuse.

Telis- 1. I ngjit nuses sipas një zakoni të vjetër, në fytyrë e sidomos në ballë copa telash për ta zbukuruar.

Telisem- Ngjit sipas një zakoni të vjetër, në fytyrë e sidomos në ballë copa telash, kur nisem nuse. 

Në librin : Prof.Dr. Drita Halimi-Statovci, Pikturimi i fytyrës në Kosovë ndërmjet traditës dhe modernitetit, Prishtinë, 2018, f.11: “…, atëherë kjo përpjekje e imja le të mbetet dëshmi që pikturimi i fytyrës, i njohur si teleisje e nuses, të mos mbetet jasht vëmendjes së shkencës.

Po aty, f.12: “Pikturimi ose ngjyrosja e fytyrës, si dekor me funksion zbukurimi, ose për motive të tjera, shfaqet si dukuri tejet e lashtë përgjithësisht në botë dhe nuk trajtohet si dukuri moderne.”

Po aty, f.14: “Në lashtësi për ngjyrosje-pikturim, zakonisht përdoreshin materiale të ndryshme, lëndë natyrore të papërpunuara, si ato me origjinë bimore, ose me origjinë minerale, pastaj vajëra bimorë ose të kafshëve e të tjera.”

 Për teleisjen e nuses shkruan edhe studiuesi Neshat Mehmedi nga Tetova dhe e quan telehisje.

Në dasmat shqiptare, pos nuseve teleisen edhe gratë e reja në familje.

Teleisja e fytyrës së nuseve dhe grave të reja në Preshevë me rrethinë

Para se të filloj teleisja e fytyrës së nuseve dhe grave të reja bëhet heqja e qimeve nga fytyra e nuses apo depilimi i fytyrës me anë të një tretjeje e cila quhet AGDE sipas veshatores Mersine Veliu.Pra, riti i parë i teleisjes është pastrimi i fytyrës nga qimet e tepërta në fytyrë, i cili bëhet me agde.

Kjo tretje përfitohet kësisoji: në një enë hidhet 1 filxhan sheqer, i cili pastaj përzihet me ujë dhe kështu i tretur  i qitet limon pluhur dhe kështu sëbashku zihen me një valë. Kjo tretje e nxehtë qitet në një enë të lagur me ujë që të mos ngjitet tretja dhe ngjeshet tretja me duar të lagura, që të mos ngjitet, duke e ngjeshur tretjen formohet  tretja si top, pra e rrumbullakët. Pastaj, për përdorim kjo tretje shtrihet  në një formë si petulla apo në formë tjetër që i përshtatet fytyrës së nuses apo gruas së re. Ajo shtypet në faqen e nuses, pastaj tërhiqet me shpejtësi për t’i shkulur  qimet në fytyrë ose për ta kryer depilimin e fytyrës. Kështu pastrohet fytyra e nuses apo gruas së re nga qimet dhe pastaj vazhdohet pastrimi edhe më tutje i fytyrës.

Pas heqjes së qimeve nga fytyra vazhdon pastrimi i fytyrës së nuses me NISHADËR, e cila përfitohet kësisoji:

Në një enë shtypet Nishadër, kosej, gurkali/guri kaltërtë/, karanfil/ për erë/ limon pluhur deri sa e gjithë tretja të bëhet pluhur. Pastaj kësaj tretjeje i shtohet edhe 250 gr. tëlyen e dhjam i dhenëve. Sëbashku  shkrihen në një enë të posaçme deri sa të përfitohet një lëngë, i cili kullohet në një enë tjetër. Kësaj tretjeje të kulluar i shtohet lëvora e shtogut, jo e para, por e dyta shtresë, e gjelbërta dhe lëvora e trangut, të cilët zihen sëbashku nja 5 minuta, deri sa tretja të marrë ngjyrë të gjelbërtë. Pastaj kullohet në një enë tjetër dhe lihet deri sa të bëhet e vokët, jo të ftohet.

Më pastaj pluhuri si tretje dhe kjo tretja e gjelbërtë përzihen deri sa të fitohet një tretje e trashë, e cila rrahet me lugë deri sa ta marrë ngjyrën e bardhë  dhe deri sa të bëhet  krem i rrahur. Atëherë është e  gatshme për përdorimin, pastrimin e fytyrës së nuses dhe grave të reja.Pasi kryhet heqja e qimeve dhe pastrohet fytyra e nuses, atëherë fillon teleisja e nuses.

Në Preshevë veshatorja e fillonte  përgatitjen,  fytyrën e nuses, duke ia vuar një  tretje që sipas veshatores Mersine Veliu përgatitet kësisoji:

Pra, merret tutkalli/një ngjitës në zdrukthtari/, i cili mjaft duhet të tëhollohet që të jetë i gatshëm dhe i përshtatshëm për shtrirje, për lyerje të fytyrës së nuses.Tutkalli ngjitet faqeve dhe ballit, të cilëve u jep ngjyrë gështenje në të kuqe, pra ngjyrë të kuqërremtë. Pasi kjo tretje është shtrirë mirë e mirë në fytyrën e nuses, pastaj veshatorja vazhddon me vuarjen sprinkave/copëza teli/ ngjyrë shumë llojesh, në fytyrën e lyer të nuses, të cilat ngjiten në tutkall, në realitet në fytyrë të nuses. Sprinkat, sipas veshatores Mersine ose janë blerë ose i kanë mbaruar, duke e prerë telin me lloj lloj ngjyrash, me gërshërë apo edhe me thikë, për ta bërë një kolorit apo një ylber sprinkash vezulluese në fytyrën e nuses.

Në ritualin e teleisjes së fytyrës së nusevë dhe grave të reja në Preshevë, për rregullimin, ngjyrosjen e vetullave dhe qerpikëve të syve përdoret kjo tretje, e cila ndreqet kësisoji, në dy mënyra:

1.Fara e Mazidallit pjeket dhe shtypet  mirë, deri sa të merr ngjyrë të kaftë. Kjo tretje futet në një xhep stofi dhe me një kokërr qibriti/shkrepëse/ merret nga kjo copë tretja dhe lyhen vetullat dhe qerpikët e syve. Pra, bëhet ngjyrosja e vetullave dhe qerpikëve, sepse tretja bëhet ngjyrë e kaftë.

2.Thelbi i arrës  nxehet aq, deri sa të marrë ngjyrën e kaftë dhe atëherë shtypet deri në pluhur për përdorim.Tretja e tillë është vendosur në një arrnë shtofi, nga aty me një kokërr qibriti është marrë dhe janë lyer vetullat dhe qerpikët e syve të nuseve po edhe të grave.

Poashtu për dekorim është përdorur edhe teli vezullues, ngjyrë bronzit, i makarës dhe është vuar rreth kokës, në realitet është lëshuar teposhtë, pra vertikalisht. Kjo ka shërbyer për ta mbuluar fytyrën e nuses, që mos  ta shohin fytyrën  e saj, të tjerët, në Preshevë  thonë: për mos mësyshje të nuses.Dekorimi i këtillë ka edhe funksione të tjera.

Të nesërmen ia kanë zbuluar fytyrën nuses dhe i kanë vuar  japashtërma në ball,  në faqe dhe në mjekërr.

Për të gjitha tretjet që shkrova, për teleisjen, shënime më dha Mersine Veliu, veshatorja preshevare, e cila për disa dekada e kreu rolin e veshatores, apo si i thonë  ndryshe dhe gjetiu ndër shqiptarë, telakës.

Plaka Mersine Veliu ka praktikuar rolin e veshatoreve në shtëpitë shqiptare dhe ka bërë teleisjen e nuseve dhe grave të reja.  Deklarata e saj është se teleisjen e ka bë në qytet dhe në fshatra dhe se teleisja nuk ka pasur dallime të nuseve në fshatra dhe në qytet. Ajo thote se teleisja e nuseve dhe grave të reja, në këtë mënyrë ka ndodhur para vitevetë 70-ta të shekullit XX.

Lidhur me teleisjen e fytyrës së nuseve, e bëra një bisedë edhe me dy plaka të fshatit Miratoc të Preshevës, Znj. Lutfije Hebibi dhe Bejtije Emini.  

 Në pyetjen se a është përdorur zhiva për pikturimin e nuseve, përgjigja ishte e plakave se po.

Këto dy informatore thojnë se për teleisje është përdorur zhiva, e cila në një enë me krypë është shtypur dhe është përvëluar më tlyen. Kjo tretje është përdorur për teleisje.

Pastaj po këto plaka më vërtetojnë edhe përdorjen e qeramidës për pikturim të nuses, për t’ia skuqur faqet e saja, e cila është shtypur deri në pluhur të kuqërremtë.

Pastaj thojnë se kanë blerë kalema me ngjyrë, të cilët janë përdorur për ngjyrosje, pikturim të qerpikëve të syve dhe vetullave.

Nuse e teleisur ose pikturuar në formën e quajtur gjysëm tel-Prishtinë 1973. Marrë nga libri:Prof.Dr. Drita Halimi-Statovci, Pikturimi i Fytyrës në Kosovë…,  Prishtinë 2018, f.37. 

Riti i vëniesë së kënasë

Në natë e tretë të dasmës preshevare, natën e Kënaxheçit ndodh edhe vënia e kënasë, e cila përgatitet kësisoji:

Në një kalanicë/enë bote/ hidhet kënë, sipas nevojës edhe 2-3 lugë dhe me ujë të vluar përzihet deri sa të formohet tretja e duhur. Një kohë tretja lihet që të ftohet  dhe ajo bëhet gati për përdorim

Për fillim janë lyer duartë dhe lyerja është bërë sipas dëshirës së nuses apo shtëpiakes.

Shpesh është kërkuar që si /yrnek/model të lyhen vetëm gishtat. Kështu gishtat janë lidhur me pejë dhe janë lyer e pastaj janë hequr penjtë. Me rastin e heqjes së penjve kanë mbetur larat, gjegjësisht gishtat kanë qenë të lyer lara-lara, sepse aty ku ka pasur pejë ka mbetur ngjyra e bardhë apo ngjyra natyrale e gishtërinjve. Informatorja Mersine Veliu thotë se ky yrnek/model/ është quajtur kanaparmak/nga turqishtja: parmak-radhë shufrash prej hekuri apo druri, etj. /.

Shpesh ka pasur model dhe dëshirë që gishtat të ngjyrosen pika-pika, dikush ka pasur dëshirë dhe i ka lyer duartë komplet. Parimisht dhe në shumicën e rasteve janë lyer vetëm gishtërinjtë dhe shuplakat.

Pos nuses, lyerja e gishtave dhe shuplakave iu është bërë edhe të pranishmëve të tjerë, sidomos plakave, të cilat kur kanë marrë nga një grusht kënë-tretje të kënasë i kanë lyer vetëm shuplakat.

Në librin: Prof.Dr. Drita Halimi-Statovci, Pikturimi i fytyrës në Kosovë ndërmjet traditës dhe modernitetit, Prishtinë, 2018, f. 13, shkruan: “Është e njohur se vendet e Indisë, si dhe vendet Arabe zbatojnë të ashtuquajturën ngjyrosje me këna, të njohur si henna/këna/ dhe si mhendi/mendi/ art. Literatura thotë se kjo ngjyrosje me këna, zbatohet me qëllim të fertilitetit të grave, por edhe për bukuri dhe inkorporim të hareshëm, të gëzueshëm të gruas në një mjedis të ri. Ky lloj ngjyrosjeje ishte i njohur edhe për popujt e lashtë të Asirisë, Babilonisë, për Sumerët dhe për raste e periudha të veçanta jetësore e gjejmë të pranishme edhe në kulturën shqiptare.”

  Lutfije Hebibi dhe Bejtije Emini, plaka 86 vjeçare nga Miratoci i Preshevës

Në bisedë me Lutfije Hebibin dhe Bejtije Eminin, plaka 86 vjecare: Thojnë se ditën e tretë të dasmës, në natën e kënasë, Kënaxheçit mblidheshin vajzat, ndeznin qira dhe venin nuses kënan e Turqisë. Këna i vehej në tri pika, ndërsa venin edhe çikat, bijat, shoqet. Këtë veprim e kryente ndonjë veshatore nga familja apo dikush tjetër.

Vajzat me def, të familjes apo shoqet këndonin:

Kaj lulije kaj me lot,

Se t’ka dasht baba fortë.

Kaj lulije kaj me lot

Se t’ka dashtë vllavi fortë.

…………………………………………

E kënduan plakat nga Miratoci i Preshevës

E shënoi: Xhemaledin Salihu

Po ashtu është kënduar:

Shuni gra e shuni fëmijë

Do të majmë pak qetësi,

Pak qetësi duhet me majtë,

Për me ni o lulen tue kajtë.

Shuni gra e ja 5 dakika,

Se kjo natë osht për çika,

Kaj ol lule kaj se shkove,

N’gryk nuk na more.

E këndoi: Mersine Veliu nga Presheva

E shënoi: Xhemaledin Salihu

Shënimet lidhur me natën e kënasë m’i dhanë plakat nga Miratoca e Preshevës.

Përfundim

Hulumtova në terren mjaftë, duke dashur që të gjejë edhe informatore-bashkëbiseduese, plaka, gra, nuse mbi teleisjen e fytyrës, por gjeta vetën 3 informatore: Mersine Veliu, Lutfije Hebibi dhe Bejtije Emini, të cilave i falënderoj me shumë mirësi, sidomos Mersine Veliut, që më dha shumë informata lidhur me teleisjen e fytyrës së nuseve dhe grave të reja.

Ajo që dua të them se dy plakat dhe Mersine Veliu, edhepse më dhanë shumë informata lidhur me teleisjen e fytyrës së nuseve dhe grave të reja, nuk më gjetën fotografi nga lëmia, dmth nga teleisja e fytyrës së nuseve dhe grave të reja, pos dy plakat që më dhuruan një fotografi të përbashkët, përçka u jam shumë mirënjohës.

Poashtu, hulumtova dhe kërkova fotografi të asaj kohe, kur teleisja e fytyrës së nuseve dhe grave të reja ndodhte në dasmat dhe familjet shqiptare.

Duke pasur për bazë ato që i ceka më lart, mund të them lirisht që ritet e dasmës shqiptare në Preshevë ndryshojnë dukshëm nga koha e kaluar e deri më sot. Derisa përpara respektohej tradita e vjetër, prej viteve të shtatëdhjeta, sidomos tetëdhjeta të shekullit XX e këndej, dasma dhe ritet e saj kanë ndryshuar dukshëm. Vallja popullore që ishte pjesë e pandarë e dasmës shqiptare, e traditës dhe e riteve të saja, e cila u lind dhe u zhvillua së bashku me këngën popullore shqiptare si dhe në dasmën e traditën e saj shqiptare, thuaja që është zhdukur fare. Ato, që gjatë historisë dhe zhvillimit të popullit shqiptar u rritën dhe u zhvilluan krahas zhvillimit dhe rritës shqiptare, rrezikohen të zhduken tërësisht. Ritet e dasmës shqiptare, kënga popullore e sidomos vallja e burrave e teleisja, nata e kënasë që ishin përcjellëse besnike e jetesës së popullit shqiptar, e vuajtjeve, hidhërimeve dhe e gëzimeve jetësore të popullit gjatë shekujve, e që duhet punë dhe betejë shekullore për t’i mbrojtur, evidentuar dhe regjistruar ose dalëngadalë do të treten e do të harrohen.

REFERENCAT

1. Fjalor i Gjuhës së Sotme shqipe, Prishtinë, 1981

2. Prof.Dr. Drita Halimi-Statovci, Pikturimi i fytyrës në Kosovë ndërmjet traditës dhe modernitetit, Prishtinë, 2018

3.PhD-cand. Gureta/ Bajrami/ Breznica, Punimi: Veçori karakteristike të veshjes së nuses  dhe të nusërimit në rajonin e Kumanovës

4.Informator Mersine Veliu, plakë 85 vjeçare/1935/ nga Presheva, bisedova më 3 mars 2020 dhe më 9 korrik 2020.

5.Informator Bejtije Emini dhe Lutfije Hebibi, plaka 86 vjecare nga Miratoca e Preshevës, bisedën e bëra më 1 mars 2020

6.Xhemaledin Salihu, Ritet e dasmës shqiptare në  Preshevë me rrethinë, me theks të veçantë vallet e burrave në dasmën preshevare

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch