Home » Lajme » Thaçi-Daçiq, diskutojnë për zbatimin e marrëveshjes

Thaçi-Daçiq, diskutojnë për zbatimin e marrëveshjes

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Ivica Daçiq do të takohen sot në Bruksel në një darkë pune, ku pritet të diskutojnë të gjitha temat për të cilat dy palët nuk ia kanë dalë të bien në ujdi në takimet e grupeve të punës për zbatim.

Takimi në fjalë do nisë në orën 20. Do jetë kjo edhe një darkë pune në mes të dy kryeministrave ku prezente gjithashtu do jetë edhe ndërmjetësja e këtyre takimeve, baronesha Catherine Ashton dhe temë diskutimi do të jenë çështjet e pazgjidhura sa i përket telekomit, energjetikës, emërimit të komandantit të policisë, si dhe ligjit për amnisti.

Në takim do të marrin pjesë edhe zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi dhe koordinatori për bisedimet me Serbinë, Blerim Shala.

Dje, kryeministri Thaçi ka deklaruar se implementimi është jetik për çdo marrëveshje politike, dhe kjo do të ndodhë edhe tash.

“Kjo marrëveshje për Kosovën dhe për krejt rajonin është marrëveshje evropiane, është marrëveshje për rajonin pa kufij, për rajonin demokratizues, për rajonin euroatlantik, prandaj e them me bindje të plotë se do të lëvizim përpara dhe do të kemi sukses dhe të konsolidojmë shtetin do t ndërtojmë shoqërinë shumë etnike”, ka thënë kryeministri Thaçi.

E sipas Daçiqit takimi i sotëm me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin është kyç, sepse nga ai varet se çka do të gjendet në letrën e përfaqësuese së lartë të BE, Ketrin Eshton dhe komisionarit të për shtrirje, Shtefan Fyle.

Ai ka theksuar se tema e këtij takimi do të jetë krejt ajo mbi të cilat të dy palët nuk ia kanë dalë të bien në ujdi në takimet e grupeve të punës për zbatim.

Daçiq u ka thënë gazetarëve se në letrën e Fyles dhe të zonjës Eshton gjendet krejt që është jetësuar deri më tash nga Marrëveshja e nënshkruar më 19 prill me Prishtinën.

Ai ka shtuar se delegacioni i Serbisë në takimin e sotëm do të bëjë çmos që letra e Ashton dhe Fyles të jetë sa më përmbajtësore, respektivisht të ketë sa më shumë të dhëna të cilat do të flasin se çfarë ka bërë krejt Serbia gjatë një viti të shkuar, pra edhe në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit.
(RTK)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch