Home » Lajme, Ndërkombëtare » Thaçi – Daçiq pa marrëveshje, takimi i radhës më 4 mars

Thaçi – Daçiq pa marrëveshje, takimi i radhës më 4 mars

Ka përfunduar dita e dytë e rrethit të pestë të bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryeministrave: Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.Në një deklaratë të lëshuar nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, thuhet se të dy kryeministrat kanë zhvilluar takime të martën dhe të mërkurën në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve dhe se “kanë zhvilluar diskutime të thella”.”Ata janë khtyer në kryeqytetet e tyre për konsultime dhe do të kthehen më 4 mars në Bruksel për takimin e radhës”, citohet të ketë thënë baronesha Ashton, duke shtuar se “kryeministrat janë të kënaqur me përparimin thelbësor që kanë arritur, ashtu sikurse edhe unë”.
Këtu edhe përfundon deklarata e zonjës Ashton. Nuk ka ende informacione se për çfarë përparimesh bëhet fjalë saktësisht, transmeton REL.
Takimet e këtyre dy ditëve thuhet të kenë pasur temë kryesore diskutimi çështjen e strukturave paralele të Serbisë në veri.
Sipas burimeve të bllokut, takimi i dy kryeministrave ka kaluar në atmosferë të mirë dhe konstruktive, por, megjithatë, deklarata zyrtare për rrjedhën e tij nuk janë bërë publike.
“Ne tani jemi duke diskutuar për çështje të vështira, siç është veriu i Kosovës, andaj është e qartë se duhen shumë konsultime dhe sqarime të hollësive, sepse kjo nuk është temë e lehtë”, kanë thënë burimet e BE-së.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi pas takimit të sotshëm ka bërë me dije, se tani grupet profesionale do të qartësojnë më mirë dhe në detaje çështjet të cilat janë diskutuar.
Sipas tij, takimi ka qenë në frymë konstruktive.
“Mund të them se ka qenë edhe sot një takim në frymën konstruktive në frymën e një përkushtimi për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme duke respektuar kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, në gjetjen e një zgjidhje për normalizimin e situatës në veri të Kosovës, për shpërbërjen e strukturave të sigurisë sa më shpejtë që është e mundur, për rend dhe ligj që të funksionojë sistemi i drejtësisë në kuadër të legjislacioni kosovar. Në të njëjtën kohë për domosdoshmërinë e organizimit të zgjedhjeve të lira edhe në katër komunat në veri brenda këtij viti”, ka thënë Thaçi.
Ai ka paralajmëruar takime të grupeve të ndryshme për të diskutuar detajet.
“Mund të them se në ditët e ardhshme do të takohen grupet profesionale që t’i qartësojnë më mirë dhe në detaje të gjitha këto gjëra, për t’u takuar sërish në nivel të kryeministrave më datën 4 mars. Dua të theksoj se është një frymë e mirë për të lëvizur drejt përmbylljes apo zgjidhjes së të gjitha problemeve që janë grumbulluar në atë pjesë të Kosovës tash e 13 vjet”, u shpreh kryeministri Thaçi, i cili në dha sqarime në pyetjen e një gazetari nëse është arritur marrëveshje për shpërbërjen e strukturave paralele
“Të gjithë janë të vetëdijshëm se strukturat paralele të Serbisë duhet të shëprbëhen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe kjo do të ndodhë. Strukturat e sigurisë do të shpërbëhen, ndërsa do të gjejmë forma dhe mundësi të tjera sa i përket sistemit të edukimit, shëndetësisë, shërbyesve civilë që të adaptohen apo që të transformohen”, tha Thaçi.
Kryeministri i Kosovës ka takuar edhe dy krerët e institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian: kryetarin e Këshillit Evropian, Herman van Rompuy, dhe kryetarin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.
Në të dyja këto takime, liderët e BE-së kanë shfaqur shpresën se Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë të jenë konstruktive në dialog.
Ata kanë thënë se rezultatet e këtij procesi do të jenë esenciale për përparimin e Prishtinës dhe të Beogradit në procesin e integrimit evropian.
Për më tepër, Barroso e ka quajtur këtë javë kyçe për bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë.
Bisedimet, të ndërmjetësuara nga BE-ja dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Pas takimit në Bruksel, Daçiq ka bërë të ditur se në takim është diskutuar edhe për modalitetet e funksionimit të institucioneve në veri.

“Kur flasim edhe për konstituim të institucioneve, flasim për sundim të ligjit, në fakt ata flasin, ndërsa ne themi se nuk kemi struktura paralele. Flasim edhe për arsimin dhe financimin e tyre”, është shprehur  Daçiq.

Kryeministri serb ka thënë se transformimi i institucioneve paralele në Serbi do të ndodhë vetëm pasi të bëhet e qartë se kush do t’i zëvendësoj ato.

“Ne, sigurisht, nuk do t’i largojmë institucionet tona nga Kosova përderisa nuk bëhet e qartë se kush do t’i zëvendësojë dhe se çfarë organesh do të jenë ato. Ne pajtohemi që ato të jenë institucione të bashkësisë së komunave serbe në Kosovë”, ka thënë Daçiq./KOHA.net/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch