Home » Lajme, Politikë, Vendore » Thaçi – Duhet të përcaktohet kufiri i gjatë prej 400 kilometrash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Thaçi – Duhet të përcaktohet kufiri i gjatë prej 400 kilometrash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Presidenti Thaçi sot sërish ka deklaruar se duhet të përcaktohet kufiri i gjatë prej 400 kilometrash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Derisa kryeministri Haradinaj, ka shprehur siguri se nuk do të ketë ndryshim të kufijve të Kosovës, ka qenë sot komisionari Johannes Hahn, i cili nuk ka dashur të komentojë idetë për shkëmbimin ose korrigjimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se çdo lloj marrëveshjeje dypalëshe nuk duhet të rrezikojë stabilitetin e rajonit, por të kontribuojë për stabilitet.

Presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar edhe sot se Kosova duhet ta mbyllë kapitullin e konfliktit me Serbinë në një formulë të përhershme dhe të qëndrueshme.

Ai në një intervistë për EWB-në tha se anëtarësimi në BE dhe NATO, e cila është një dëshirë e 92% e popullsisë së Kosovës, është e pakuptimtë derisa të zgjidhen çështjet e hapura bilaterale.

“Unë jam kundër kufijve etnikë. Por unë nuk jam edhe naiv. Unë e di se Serbia preferon t`i tërheqë këmbët në njohjen e pashmangshme të Kosovës. Ata do të dëshironin të ruanin status-quo, por ky harbim nuk është i mundur për të ruajtur më’, u shpreh ai.

Për më tepër, kreu i vendit tonë tha se duhet përcaktuar kufirin e gjatë 400 km midis Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur nëse marrëveshja e re mbi korrigjimin e kufijve do të zëvendësojë marrëveshje të caktuara ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në dialogun në Bruksel, sidomos sa i përket formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, Thaçi tha se fajtor për vonesa në këtë drejtim vijnë kryesisht nga Serbia.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nga Durrrësi i Shqipërisë ka folur për temën më të përfolur në vend, atë të shkëmbimit të territoreve apo ndarjes së Kosovës.

Haradinaj ka thënë se Kosova i ka kufijtë e vet me Shqipërinë, Serbinë dhe me të gjithë të tjerët, kufij këta që duhet të respektohen. Kësisoj shefi i ekzekutivit ka thënë se nuk do të ketë ndryshim kufijsh.

“Desha me shtu për kufijtë, Kosova i ka kufijtë e vet me Shqipërinë me Serbinë me të gjitha dhe duhet t’i respektojmë kufijtë që i kemi”. Haradinaj i bëri këto komente pas takimit të kryeministrave të Ballkanit perëndimor në Durrës.

Komisionari për Zgjerim Johannes Hahn nuk ka dashur të komentojë idetë për shkëmbimin ose korrigjimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se çdo lloj marrëveshjeje dypalëshe nuk duhet të rrezikojë stabilitetin e rajonit, por të kontribuojë për stabilitet.

“Mendoj se nuk është e përshtatshme në këtë fazë të bëjmë komente për negociatat në vazhdim. Presupozoj se takimi në Bruksel nuk do të jetë i fundit, do të ketë edhe një takim tjetër, dhe do të kërkojë kohë që të ketë një marrëveshje, Nuk jam i gatshëm për koment. Ne nuk do të pranojmë asnjë anëtar të ri, nëse nuk janë zgjidhur problemet. Çdo lloj marrëveshjeje dypalëshe nuk duhet të rrezikojë stabilitetin e rajonit, por të kontribuojë për stabilitetin e rajonit. Ky duhet të jetë objektivi ynë sa më shumë stabilitet në gjithë rajonin”, tha Hahn.

Përmes një kounikate për media zyrtarë të LDK kanë thënë se presidenti Hashim Thaçi nuk ka mandate që ta nxjerrë në pazar territorin e Kosovës.

Avdullah Hoti shef i GP të LDK ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të lejojë që Thaçi dhe Vuçiq të bëjnë pazar me territorin e Kosovës. Ai shton se presidenti Thaçi nuk ka mandat kushtetues për veprimet të tilla.

Hoti ka thënë se kushdo që hyn në lojëra të tilla do të bartë pasojat kushtetuese dhe politike.

“Kosova është një dhe e pandashme. Territori i Kosovës nuk mund të nxirret në pazar. Presidenti Thaçi duhet të ndalet. Presidenti Thaçi nuk ka mandat kushtetues për veprime të tilla. Negociatat për territorin e Kosovës janë kundërkushtetuese dhe kushdo që hyn në lojëra të tilla do të bartë pasojat kushtetuese dhe politike”, thuhet në reagimin e LDK-së

Sipas tyre ky subjekt politikë do të refuzojë çdo marrëveshje që bëhet pa mandat të Kuvendit dhe pa pajtueshmëri të gjerë të forcave relevante politike dhe të qytetarëve të vendit.

/RTK/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch