Presidenti Hashim Thaçi, pas vizitës në Podgoricë, ka qëndruar sot në Shkup, ku ka takuar liderët e partive politike shqiptare dhe kryeministrin Zoran Zaev.
Ai ka folur për fazën finale të dialogut, duke thënë se marrëveshja me Serbinë do të jetë një kompromis i debatueshëm në Prishtinë dhe Beograd.
“Duhet të jemi realistë, duhet të përmbyllet procesi i demarkimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, e që është rreth 430 kilometra. Marrëveshja do të jetë e frymës evropiane dhe e koordinuar në plotni me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim, do të kemi një proces kompleks, në të cilin do të ketë debate dhe refuzime jo të lehta”, ka shtuar Thaçi.
E kryeministri i Maqedonisë ka thënë se ky shtet e mbështet zgjidhjen që e forcon paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Është e rëndësishme që liderët e rajonit të bashkohen në rrugën drejt integrimit euroatlantik”, ka thënë Zaev.
Ndërsa, presidenti Thaçi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve, duke shtuar edhe ndërtimin e autostradës, e cila do të mundësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave dhe do të ndikojë në rritjen e bashkëpunimit ekonomik.