Home » Lajme, Ndërkombëtare » Thaçi: Është duke ndodhur progres në këtë proces të negocimit

Thaçi: Është duke ndodhur progres në këtë proces të negocimit

Është ndërprerë për disa orë takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq në Bruksel, për shkak të obligimeve që shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton ka ndaj Këshillit të Evropës. Takimi pritet të rifillojë në orën 17:00. Kryeministri Hashim Thaçi gjatë pushimit të takimit ka thënë se ka progres në negociimin e planit të zbatimit të marrëveshjes së prillit.

Edhe gjatë ditës së sotme në Bruksel po bëhen përpjekje për arritjen e pajtueshmërisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e planit për marrëveshjen e arritur më 19 prill. Takimi i nisur në orën 11:00 ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiq me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton është ndërprerë për disa orë.

Kryediplomatja evropiane ndërkohë ka zhvilluar takime bilaterale me të dy kryeministrat, ndërsa takimi i përbashkët është shtyrë për orën 17:00, për shkak se Ashton duhet t’i drejtohet Këshillit të Evropës Gjatë pushimit së takimit, kryeministri Hashim Thaçi në një deklaratë për media ka vlerësuar se negociimi i planit të zbatimit është duke shënuar progres.

“Është duke ndodhur progres në këtë proces të negociimit për planin e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit. Jemi në rrugë të mbarë për marrëveshje, jemi duke i vlerësuar komentet e fundit që do t’i japim për draftin përfundimtar”, ka thënë Thaçi.

Kreu i Qeverisë së Kosovës ka shfaqur shpresën se marrëveshja do të arrihet në vazhdim të takimit, teksa ka thënë se zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit, është obligim i të dyja palëve.

“Shpresoj që do të arrihet marrëveshja dhe Beogradi do ta qartësojë pozicionin që ende e ka, por në çdo rrethanë edhe shteti i Kosovës edhe Serbia e ka obligime prej marrëveshjes së 19 shkurtit dhe ne duhet ta respektojmë në plotni”, tha ai.

Në planin për të cilin palët po bisedojnë janë të parapara afatet e implementimit të marrëveshjes që do të zgjas gjashtë muaj, sikurse edhe mekanizmat implementues, që janë institucionet e Kosovës, EULEX-i, KFOR-i dhe Serbia me autoritetin që ka sipas marrëveshjes së 19 prillit.

Ndryshe, takimi i sotëm është vazhdim i takimit të nisur dje, nga i cili nuk doli ndonjë rezultat konkret. Ndërmjetësuesja e takimit, kryediplomatja evropiane, Catherine Ashton ka thënë se është e sigurtë në përkushtimit e të dy kryeministrave që marrëveshja e prillit të zbatohet në terren dhe se për këtë pret që palët të pajtohen në takimin e sotëm.
(RTK)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch