Home » Lajme, Rajonale » Thaçi: Marrëveshje racionale, nuk është ideale

Thaçi: Marrëveshje racionale, nuk është ideale

Prishtinë, 20 prill – Marrëveshja e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Policia dhe gjyqësia në veri do të punojnë sipas ligjeve të Kosovës dhe do të ruhet karakteri unitar i vendit. Kështu tha kryeministri Hashim Thaçi në një konferencë për media pas kthimit nga Brukseli. Ai u bëri thirrje qytetarëve të veriut që mos t’i frikësohen kësaj marrëveshje, ngase para së gjithash, ajo është në të mirën e vetë atyre.Kryeministri Hashim Thaçi, tha se me marrëveshjen e arritur, Kosova dhe Serbia kanë hapur një kapitull të ri dhe janë përcaktuar për europianizimin e rajonit. Sipas kryeministrit Thaçi, me këtë marrëveshje ka fituar Kosova, Serbia, rajoni, Bashkimi Evropian dhe mbi të gjitha ka fituar opsioni i paqes dhe stabilitetit. Thaçi tha se e di që kjo nuk është marrëveshje ideale.

“Është një marrëveshje racionale, nuk është ideale, jam shumë i vetëdijshëm, por aty kemi negociuar me Serbinë pas një konflikti njëshekullor. Është marrëveshja e parë që nënshkruhet në nivele politike të tilla mes Kosovës dhe Serbisë, pra marrëveshje ndërshtetërore”, tha ai, transmeton RTK.

Gjithsesi, sipas Thaçit, marrëveshja i hap rrugë shtrirjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në këtë pjesë të vendit.

“Me këtë marrëveshje do të normalizojmë dhe funksionalizojmë gjendjen në vendin tonë. Do ta shtrijmë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërisë në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës. Do të normalizojmë gjendjen në veri dhe do të çimentojmë të ardhmen tonë evropiane”, u shpreh Thaçi.

Kryeministri Thaçi, tha se marrëveshja hap perspektivë për qytetarët e veriut të vendit që të kthehen në pronat e tyre, të lëvizin lirshëm dhe të jetojnë pa frikë, andaj i ftoi ata që mos të bien pre e atyre që për 14 vjet e kanë mbajtur peng gjendjen në veri.

“I ftoj të mos i frikësohen marrëveshjes, mos t’u frikësohen institucioneve të Kosovës. Me shtrirjen e rendit dhe ligjit, do të ketë mundësi më të mëdha për investime, zhvillim dhe punësim, por edhe për krijimin e ambientit demokratik dhe shumetnik”, tha ai.

Thaçi, nuk dha ndonjë përgjigje direkte se kur FSK-ja, do të ketë qasje në veri, por tha se NATO, ka dhënë garanci për implementimin e marrëveshjes.

“Ne kemi një qëllim, një vizion, koordinimin e plotë të të gjitha aktiviteteve tona me NATO-n dhe mendoj se kjo është ajo që e kemi marrë garanci nga NATO, për të punuar për implementimin e kësaj marrëveshje”, tha ai.

Kryeministri i vendit, tha se ka takuar edhe drejtuesit e subjekteve politike mbështetëse të kësaj marrëveshje, të cilët i falënderoi për mbështetjen. E për të marrë mbështetjen edhe të Kuvendit të Kosovës, Thaçi tha se i ka dërguar kërkesë zyrtare Kryesisë së Kuvendit për mbajtjen e një seancë të jashtëzakonshme të dielën në orën 20.

(KOHA)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch