Home » Lajme, Rajonale, Vendore » Thaçi: Nuk kemi presion, ama asnjë lloj presioni

Thaçi: Nuk kemi presion, ama asnjë lloj presioni

“2 prilli do të jetë vendimtar për marrëveshjen. Ne jemi shumë komod për atë që është në tavolinë, sepse çdo gjë që është në tavolinë është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës, ligjet dhe Pakon e Ahtisarit”, tha kryeministri Thaçi.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi raportoi para Kuvendit për takimin e shtatë me kryeministrin e Serbisë Ivica Daçiq në Bruksel me ndërmjetësimin e baroneshës Ashton.

Kreu i Qeverisë tha se takimi i 2 prillit do të jetë vendimtar për arritjen e marrëveshjes, ndërsa shtoi se kjo marrëveshje do të mbikëqyret nga EULEX-i, KFOR-i dhe institucionet e Kosovës. Ai përsëriti se nuk do të ketë asnjë marrëveshje që del jashtë Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Deputetët gjatë debatit kërkuan që çdo marrëveshje të ratifikohet në Kuvend

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po hyn në fazën më të ndjeshme dhe më të vështirë për Serbinë, tha kryeministri Hashim Thaçi, sipas të cilit, ky është moment i vështirë për Serbinë, për faktin se asaj i duhet që pa kushte t’i shpërbëjë strukturat paralele të sigurisë, të cilat i ka ushqyer vetë për 13 vjet. Thaçi tha se në këtë proces, nuk do të pranohet asgjë që del jashtë Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

“Nuk do të lejojmë që të riciklojnë në Kosovë modelet e dështuara të rajonit, qoftë ajo Republika Srpskes, ndonjë ndarje e Kosovës, autonomi, status special, status të veçantë, apo ndonjë status të modelit të Tirolit apo Katalonisë. Ne nuk kemi asnjë presion, ama asnjë lloj presioni nga askush”, tha Thaçi.

Sipas Thaçit, Kosova shkon në takimin e radhës e gatshme për marrëveshje, e cila do të përfshinte jo vetëm çështjen e asociacionit dhe shpërbërjen e pakusht të strukturave paralele, por edhe çështje të tjera shumë të ndjeshme si ajo e personave të pagjetur, telekomunikacionit, energjetikës e të tjera.

“2 prilli do të jetë vendimtar për marrëveshjen. Ne jemi shumë komod për atë që është në tavolinë, sepse çdo gjë që është në tavolinë është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës, ligjet dhe Pakon e Ahtisarit”, tha Thaçi.

Gjatë debatit, deputetët kërkuan që nëse marrëveshja arrihet, të ratifikohet në Kuvend. Deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti, tha se një gjë e tillë është obligative.

“Të gjitha këto qëndrime që janë fiksuar nga delegacioni i Kosovës të bëhen tekst dhe të vijnë në Parlament. Ky është detyrim, sepse ne po themi që po shkojmë nga fundi i këtyre bisedimeve”, tha Hamiti.

Në të njëjtën linjë ishte edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini.

“Çfarëdo marrëveshje që arrihet, është obligative që të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës dhe ky Kuvend e ka procedurën e vetë të ratifikimit dhe e ka të drejtën ta ratifikojë apo jo”, tha Gjini.

Ndërsa, Liburn Aliu nga Lëvizja Vetëvendosje tha se ky process i dialogut i shkon në favor vetëm serbëve dhe Serbisë.

“Nga i tërë ky process rrjedh normalizimi në mes të Serbisë dhe BE-së, dhe abnormalizimi i Kosovës nga brenda, rrjedh normalizim mes Thaçit e Daçiqit, por abnormalizim i marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe serbëve, rrjedh madje normalizim i marrëdhënieve dhe lidhje direkte mes serbëve të Kosovës dhe Serbisë dhe ndarje me taksa e kufi mes shqiptarëve të Luginës së Preshevës me Kosovën”, tha Aliu.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Ivica Daçiq do të takohen më 2 prill në takimin e tetë në Bruksel, në të cilin pritet të arrihet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kryeministri Thaçi tha se ka marrë zotimin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s se do të jetë garantues për implementimin e asaj marrëveshjeje. Ai, po ashtu, tha se Kosova pret që edhe Këshilli i Sigurimit të përgatis një rezolutë të re, përmes të cilës do ta bëjë Kosovën anëtare të OKB-së si një shtet paqedashës./RTK/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch