Home » Lajme » Thaçi president i Kosovës: opozita e quan “lajm të keq”

Thaçi president i Kosovës: opozita e quan “lajm të keq”

Në një seancë me shumë tensione, Hashim Thaçi është zgjedhur president i pestë i Kosovës së pasluftës. Opozita këtë e quan “lajm të keq për vendin”

Hashim ThaçiNë një seancë të tensionuar, me gaz lotsjellës dhe tërheqje zvarrë të deputetëve opozitarë, kryetar i partisë më të madhe parlamentare në Kosovë (PDK) dhe ish udhëheqësi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi është zgjedhur president i pestë i Kosovës së pasluftës. Ai në këtë post e trashëgon Atifete Jahjagën, gruan e parë presidente.

Deri te zgjedhja president, u desh të zhvillohen tre raunde votimesh, pasi që në dy të parat, zëvendëskryeministri Thaçi dështoi të merr dy të tretat e votave, aq sa kërkon Kushtetuta. Por, herën e tretë, Kushtetua lejon zgjedhjen president me shumicën e thjeshtë, që nënkupton 61 votë nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës.

Herën e parë Thaçi mori 50 vota, në të dytën 64 dhe herën e fundit 71 votë.

Kundërkandidati i tij, Rafet Rama i cili në këtë mesele ishte vetëm për të plotësuar kriterin kushtetues, (dy ose më shumë kandidatë për president), në tri votimet mori vetëm 6 vota, herën e parë 4 vota të dytën 2 dhe të tretën asnjë votë. Herën e fundit Rama nuk e votoi as vetveten.

Pas shpalljes president, Thaçi falënderoi deputetët për besimin që ia kanë dhënë.

“Ky besim është një përgjegjësi më tepër për t’i shërbyer vendit. Ju falënderoj shumë i nderuar ambasador për qëndrimin tuaj me ne gjatë tërë ditës. Dëshiroj që të falënderoj të gjithë deputetët e të gjitha partive politike që ishin prezentë sot në votim”, deklaroi Thaçi.

Ai tha se do të punojë në shërbim të vendit dhe në shërbim të qytetarëve duke respektuar kushtetutën dhe institucionet. “Duke punuar për rend dhe ligj. Në shërbim të të gjithëve për të ndërtuar Kosovën e re, Kosovën Evropiane”, deklaroi ai.

Megjithatë, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës kaloi me shumë tensione.

Opozita hodhi dy herë gaz lotsjellës, duke detyruar ndërprerjen e përkohshme të punimeve. Më pas Kryesia e Kuvendit suspendoi shumicën e deputetëve opozitarë, disa nga të cilët u nxorën zvarrë nga Policia Speciale.

Në kundërpërgjigje, qindra protestues të opozitës u përleshen me policinë në afërsi të Kuvendit, ku disa prej tyre u lënduan. Protestuesit hodhën koktej molotovi në drejtim të objektit të Kuvendit dhe eskortave policore, ndërsa Policia ua demoloi dhjetëra tenda ku ata qëndronin dit e natë.

Për opozitën, zgjedhja e Hashim Thaçin president është lajm i keq, që nuk i kontribuon zgjidhjes së krizës politike gjashtëmujore, por e thellon edhe më shumë atë.

Kosova, nga gushti i vitit të kaluar është në krizë të thellë politike. Shkas janë bërë dy marrëveshjen e qeveritarëve me Serbinë dhe Malin e Zi.

Në anën tjerë, qindra simpatizant të PDK-së, kanë festuar në Prishtinë zgjedhjen e Thaçit president. Ata kanë ndezur fishekzjarre dhe kanë brohoritur PDK-PDK.

Hashim Thaçi është 47 vjeçar. I lindur në Borojë të komunës së Skënderajt në vitin 1968, Thaçi në kohën e studimeve emigroi në Zvicër, ku edhe filloi veprimtarinë e tij politike. Ai ka qenë ish-udhëheqësi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me nofkën “Gjarpri”.

Pas përfundimit të luftës ka qenë kryeministri i qeverisë së përkohshme për disa muaj, ndërsa është themelues i Partisë Demokratike të Kosovës nga viti 1999. Në vitin 2007 fiton zgjedhjet parlamentare dhe u zgjidhet kryeministër i Kosovës, post që e mbajti dy mandate, deri më 2014.

Posti i presidentit të Kosovës zgjat 5 vjet. Para tij këtë në këtë post ka qenë i ndjeri Ibrahim Rugova, Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli dhe Atifete Jahjaga.  Pacolli ka qëndruar më së paku, vetëm 30 ditë, pasi shkeli kushtetutën. Thaçi merr mandatin nga Jahjaga me 7 prill.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch