Home » Lajme, Vendore » Thaçi: S’ka dialog të drejtpërdrejtë me Serbinë

Thaçi: S’ka dialog të drejtpërdrejtë me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar të dielën se ende nuk ka ndonjë lëvizje sa i takon çështjes së bisedimeve me Serbinë.
Thaçi ka theksuar se pas refuzimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën nga ana serbe, tash e tutje gjithçka varet nga ndërmjetësuesja e dialogut baronesha Ashton.
“Adresa për çdo përgjigje është në Bruksel dhe konkretisht te baronesha Ashton. Të tjera negociata nuk do të ketë, tjetër adresë nuk do të ketë dhe dialog të drejtpërdrejtë nuk do të ketë”, ka thënë Thaçi, pas promovimit të librit “Vitet me Tony Blair”, të autorit Alastair Campbell.
Kreu i ekzekutivit kosovar, Hashim Thaçi, ka hedhur poshtë zërat se ndërmjetësues i ri në dialogun Kosovë – Serbi, mund të jetë komisionari për Zgjerim Stefan Fyle.
“Adresa ndërmjetësuese ka qenë Brukseli, ka qenë baronesha Ashton dhe Kosova do ta mbështesë këtë proces të udhëhequr nga baronesha Ashton. Idetë e tjera, nuk kanë ndonjë validitet, nuk kanë ndonjë qasje serioze dhe është vetëm pretendim për zvarritje apo manovrim diplomatik nga ana e Serbisë”.
“Nëse ka diçka Beogradi për të prezantuar, duhet të prezantohet në Bruksel dhe konkretisht te baronesha Ashton, e cila e ka mbështetjen e plotë të të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian. Por, mirëpresim mbështetjen e gjithë faktorëve relevant në Bruksel dhe garancinë gjithmonë të Shteteve të Bashkuar të Amerikës”, ka deklaruar Thaçi, transmeton REL.
Mediat në Beograd, duke u mbështetur në burime diplomatike kanë shkruar se ndërmjetësues i ri në dialogun Kosovë – Serbi, me gjasë, do të jetë komisionari për Zgjerim Stefan Fyle.
Në mediat serbe është thënë se përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, e ka përfunduar rolin e saj të ndërmjetësueses në dialogun Beograd – Prishtinë, ndërsa Stefan Fyle, edhe më herët ka treguar interesim për këtë rol.
Analistët politikë në Prishtinë, konsiderojnë se një gjë e tillë edhe mund të ndodhë pasi që Brukseli zyrtar e ka lidhur shumë ngushtë procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi me integrimet evropiane.
Analisti Ardian Arifaj nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave – KIPRED, zëvendësimin e mundshme të baroneshës Ashton me komisionarin për Zgjerim, Stefan Fyle, në dialogun Prishtinë – Beograd ka thënë se e sheh në këtë mënyrë:
Të dy shtetet duhet të ndërmarrin reforma shumë të mëdha brenda shtetit…
“Po një gjë e tillë edhe mund të ndodhë. Ndoshta nuk është më natyralja, është në njëfarë mënyrë defekt i gabimit që e ka bërë Brukseli që ka lidhur shumë ngushtë procesin e dialogut me procesin e integrimeve evropian”.
“Edhe pse bashkëpunimi rajonal është një prej kushteve kryesore për integrim në BE, megjithatë dialogu nuk është i tërë procesi i integrimit. Të dy shtetet duhet të ndërmarrin reforma shumë të mëdha brenda shtetit, e të cilat këto dy shtete tash i kanë lënë anash duke besuar se vetëm dialogu do të mjaftojë për të ecur drejt BE-së”, është shprehur Arifaj.
Ndryshe, lidhur me çështjen e dialogut Kosovë – Serbi kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se: “është në duart e lidershipit të Serbisë të pranojë ose jo marrëveshjen. Ne i kemi dhënë propozimet tona, të cilat janë kushtetuese dhe ligjore, dhe nuk do të lëvizim nga ky pozicion”.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch