Home » Lajme, Vendore » Thaçi: Udhëtojmë me qëllimin më të mirë për marrëveshje

Thaçi: Udhëtojmë me qëllimin më të mirë për marrëveshje

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, të takohen në Bruksel të mërkurën, më 17 prill, bëhet e ditur përmes një komunikate.

”Kam kërkuar nga ta të vijnë në një frymë konstruktive, të gatshëm për të eksploruar opsionet e ndryshme dhe për t’u pajtuar mbi një kompromis të ndërsjellë”, citohet të ketë thënë baronesha Ashton.

Nderkohe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka konfirmuar ftesën nga baronesha Ashton, për takimin e së mërkurës në një takim me gazetarët të mbajtur para pak qastesh, në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës ”Adem Jashari”.

”Kemi qenë afër marrëveshjes në takimin e fundit, por ende ka dallime. Unë besoj dhe shpresoj që gjatë këtyre ditëve Beogradi ka reflektuar që të jetë më fleksibil”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Ai ka thene se pozicioni i Kosovës në këtë takim është i qartë dhe në përputhje të plotë më Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Ai përsëriti kushtet për marrëveshje të delegacionit të Kosovës në bisedimet e mëparshme në Bruksel – shpërbërjen e strukturave ilegale të Serbisë në veri të Kosovës, lëvizjen e lirë të njerëzve e të mallrave, funksionimin e gjyqësisë e të sistemit unik të sigurisë në kuadër të ligjeve të Kosovës, që do të sigurohen nga EULEX-i, KFOR-i dhe institucionet e Kosovës; zgjedhjet e lira për komunat me organizim të OSBE-së, si dhe formimin e Asociacionit të katër komunave pa kompetenca ekzekutive e legjislative.

Po ashtu ai theksoi se propozimet e Kosovës përputhen me ato të BE-së dhe mbështeten pa rezervë nga SHBA.

”Ne udhëtojmë me qëllimin më të mirë, që të arrihet marrëveshja më në fund për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi”, ka thënë kryeministri Thaçi.
(RTK)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch