Home » Lajme, Ndërkombëtare » THAÇI – VUÇIQIT: HISTORIA NUK RISHKRUHET, SERBIA KA QENË AGRESORI

THAÇI – VUÇIQIT: HISTORIA NUK RISHKRUHET, SERBIA KA QENË AGRESORI

Presidenti Hashim Thaçi në replikën e tij kundër presidentit serb, Aleksander Vucic ia ka numëruar atij me fakte të bëmat dhe masakrat e kryera nga shteti serb në Kosovë.

“Dihet botërisht kush është agresori dhe kush është viktima. Nuk ka dhe nuk do të ndodhë rishkrimi i historisë. Lufta ka ndodhur në shekullin 20-të, prandaj duhet të shikojmë pa drama, pa teatër, pa spektakle, por të pranojmë realitetin. Meqë u përmenden gjëra jo të qëndrueshme, detyrohem të numëroj ca fakte para jush: I pëlqeu apo jo dikujt duhet ditur se shteti i Serbisë ka vrarë 13.500 shqiptarë. Forcat policore, ushtarake e paramilitare serbe kanë dhunuar 20 mijë femra shqiptare. Për 13.500 shqiptarë të vrarë e për 20 mijë femra të dhunuara asnjë i akuzuar, e lëre më i dënuar. 1 milionë shqiptar të dëbuar me dhunë nga shteti serb. 40% e arkitekturës e shkatërruar. I akuzuar Slobodan Milloshevic po i padënuar. 400 masakra kundër shqiptarëve, asnjë i akuzuar e lëre më i dënuar. Vetëm në fshatin Izbice, 160 të vrare, njerëz të moshuar, gra fëmijë. Në Krushë, 250 civilë të vrarë; gra, pleq fëmijë, 64 të pagjetur, askush i dënuar. Në fshatin Mehë 360 civilë të vrarë. Në fshatin studime 160 të vrarë. Vazhdojmë me Reçak, Obri, e masakra të tjera.  Ata që thirren shumë në drejtësi ua rikujtoj se luftëtarët e Kosovës kanë kaluar nëpër procedura të drejtësisë të UNMIK-ut, paralelisht me tribunalin e Hagës dhe me Eulexin tash e 20 vite. Kosova duke dashur të tregojë përgjegjësinë e lartë shtetërore, duke besuar në të vërtetën, në drejtësi e në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare i ka themeluar vet Dhomat e Specializuara dhe do t’u përgjigjet autoriteteve të tyre në një proces kredibil. Pavarësisht se ne jemi viktima, sot, në Kosovë më tepër ka të dënuar shqiptar për krime lufte se sa serbë, derisa në Serbi nuk ka asnjë serb të dënuar dhe madje është mbyllur zyra për krime të luftës. Unë besoj plotësisht në luftën e pastër, por nuk e kontestoj se ndonjë luftëtar ka devijuar”, ka theksuar presidenti Thaçi, duke reaguar kësisoj pas të pavërtetave të deklaruara nga presidenti serb, i cili tentoi ta viktimizojë popullin serb për luftën në Kosovë.

“Prishtina po thoshte se ka ndodhur spastrim i tmerrshëm etnik nga forcat serbe, por unë do t’ju jap faktet se aty kanë qenë 1.4 milionë shqiptarë e sot janë 1.7 milionë. Kanë qenë 200 mijë serbë e tani 105 mijë serbë. Këto janë shifrat dhe faktet se kush e ka bërë këtë spastrim etnik. Nuk po them se çdo herë kemi pas të drejtë por më duhet të them se kjo qasje e një anshme jo vetëm se vret të vërtetën por edhe gjasat e mirëfillta për arritjen e kompromisit mes dy palëve”, ka thënë paraprakisht Vuçiq. “Ne nuk kemi përdorur asnjë lloj force për dallim nga ana tjetër, ata kanë përdorur forcë duke e rrahur negociatorin serb vetëm pse ka folur me zë për problemin e Kosovës..Të gjithë e fajësojnë Serbinë por ne nuk kemi krijuar taksë kundër tyre, nuk kemi krijuar ushtri në veri, pse duhet që të fajësohemi. Meqë folëm për Interpolin, Prishtina këtu tha se vetëm krimi i organizuar ka përfituar këtu. Jo, unë dëshiroj që Prishtina të punojë shumë më mirë kundër krimit por sot është vendi më i keq në Evropë për këtë çështje. Ne do të vazhdojmë me dialogun tonë sapo ata  t’i heqin taksat, nuk jam shumë optimistë dhe po ju them gjithë juve se brengat e mia sot janë më të mëdha sesa kanë qenë dje. Shpresoj që një ditë do të jemi në gjendje që të arrijmë këtë marrëveshje me Prishtinën por në periudhën e fundit çdo gjë që kanë bërë ka qenë e papërgjegjshme, na kanë çuar mbrapa 7-8 vite, kemi nevojë për përkrahjen e OKB-së’”, ka nënvizuar Vuçiq.

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch