Home » Histori » Thesaret e pashait të Janinës

Thesaret e pashait të Janinës

 

 

 

 

 

Demir Alizoti

 

THESARET E ALI PASHAIT

JETESA NË SARAJET E SULLTANIT TË JANINËS

FUNDI TRAGJIK I PASHAIT ME DY VARRE[1]

 

I-                   Thesaret e pashait të Janinës

 

Thesaret që la pas Ali Pashë Tepelena kanë tërhequr e nxitur prej kohësh interesin dhe fantazinë e shkrimtarëve, historianëve, arkeologëve, e sidomos të njerëzve ëndërrimtarë të apasionuar për gjetjen e thesarëve. Një dëshirë e tillë s’është shuar edhe në ditët tona, ndonëse ajo është e mbuluar nga një mister i madh. Gazetat njoftuan, pak kohë më parë për gërmime në mjediset brënda kalasë së Tepelenës, por përfundimet e tyre ende s’janë bërë të njohura.

Në fakt pashai ka lënë dy thesare: njëri ka qënë thesari zyrtar i pashallëkut të Janinës, ndërsa i dyti jo zyrtar.

Lidhur me këtë të dytin, ka treguar interes të veçantë historiani dhe turkologu Mykerem Janina. Ai madje pretendonte se e ka prejardhjen  nga familja e pashait vetë, si rrjedhojë e përligjte përpjekjen për gjetjen e thesarit. Në vitin 1926 ai kishte qënë i pranishëm në zhytjet e polombarëve në liqenin e Janinës, rreth brigjeve të ishullit atje. Sipas disa thënieve të ndryshme, një natë me fortunë dhe errësirë të thellë, varka me thesarin brënda saj, që ndiqte varkën e pashait vetë, pësoi avari dhe u mbyt me gjithë thesarin, ndërsa njerëzit në të mezi dolën të gjallë në breg. Kërkimet e polombarëve nuk dhanë asnjë rezultat duke e lënë misterin të gjallë si legjendë dhe ëndërr joshëse.

Më vonë Mykerem Janina arrin të mësojë një fakt tjetër, sipas të cilit një katranip i Thanas Vajës,që jetonte në Amerikë, kishte gjetur një letër të shkruar nga vetë pashai. Thanas Vaja ishte njeriu që i qëndroi besnik pashait tërë jetën. Atij pashai i besoi edhe sigurimin e jetës së Vasiliqsë, të cilën Thanasi e largoi nga ishulli i Janinës. Letra e shkruar shqip me gërma të çrregullta greqisht e urdhëronte Thanasin që ta varroste thesarin në varrezat e xhamisë së vogël të ishullit

Shenja tregon vendin ku qe fshehur thesari

 

Madje urdhëri qe që Thanasi t’i vriste të gjithë dëshmitarët, sapo thesari të groposej.

Kur e mori këtë lajm, Mykerem Janina ishte shumë i gëzuar. I ngazëlluar ai mendonte se kishte ardhur dita e shumëpritur që do ta bënte atë të pasur.  Pas disa ditësh, ai tha se kërkesa e katranipit të Thanas Vajës, për të bërë gërmime na varrezat e xhamisë si i vetmi trashëgimtar i Thanasit, nuk ishte aprovuar nga autoritetet e Janinës. Refuzimi i kërkesës ishte formuluar kështu : Nuk ka thesar në Janinë, sepse e veja e pashait, Vasiliqia, ia kishte dhënë këtë thesar një veneciani.

Në lidhje me venecianin, Mykerem Janina jep variantin që vijon : pas ekzekutimit të pashait, Vasiliqia vetinternohet në ishullin e Misollongjit, ku njihet me kontin venetikas Alfredo de Maralba. Edhe ai e mbante veten të fshehur në atë ishull nga frika e një hakmarrjeje. Ishte një person sa i fisshëm, aq dhe i dyshimtë. Duke qënë të dy të huaj të fshehur në atë ishull, bënin takime të shpeshta dhe të gjata. Vasiliqia me gotën e rakisë përpara, zhvillonte biseda interesante me kontin, të cilit i fliste për jetën e saj. Të njëjtën gjë bënte edhe konti. Ai fliste lirshëm dhe bukur greqisht. Të folurit e tij të ëmbël bënte për vete këdo që i ndodhej përballë. Vasiliqia e mallosur për biseda mondane nga jeta që kishte kaluar me pashanë, gjente kënaqësi gjatë këtyre bisedave. Në njerën ndër këto biseda, ajo e kishte kaluar masën e të pirit dhe i jep kontit të dhëna të hollësishme për vendndodhjen e thesarit të të shoqit. Për kontin, këto të dhëna ishin të mjafta që ai të nisej pa humbur kohë për në Janinë. Në marrëveshje me kapitenin e një fregate venetikase që vizitonte shpesh portet e Mesdheut e të detit Jon, konti Alfredo de Maralba, duke angazhuar edhe pesë bashkëpuntorë, ekspertë për punë që kërkonin guxim e vendosmëri deri në aventura të rrezikshme, zbarkon në portin e Prevezës. Të prezantuar si tregtarë venetikas nisen  për në Janinë.

Duke përfituar nga kaosi që ndodhej në qytet pas ekzekutimit të pashait dhe duke patur koordinatat e sakta të vendndodhjes së thesarit, ata gjatë natës ngarkojnë pesë mushka me arkat e thesarit të Ali Pashait. Pastaj të qetë, kthehen në Prevezë ku i priste fregata e ankoruar në një pikë të fshehtë të limanit. Pika e caktuar bënte pjesë në marrëveshjen e bërë ndërmjet tyre. Për fundin e kësaj fregate ka dy të dhëna. Sipas njerës prej tyre, ajo mbytet nga një furtunë shumë e fuqishme. Sipas variantit të dytë, fregata veneciane grabitet nga një anije pirate marokene dhe thesari i Ali Pashait i shitet një pashai maroken.

 

 

II. Jetesa në sarajet e Sulltanit të Janinës

Ali Pashë Tepelena, me forcimin e pushtetit të tij, po i jepte jetës së tij personale dhe oborrit madhështinë dhe përmasat e një monarku të madh e të plotëfuqishëm. Ndërtoi një bllok ndërtesash të mëdha e shumë të bukura për kohën e tyre, të njohura si sarajet e Litharicës.

Sarajet e Litharices

Në këtë bllok, afër sarajit të pashait, ndodheshin edhe saraje të tjerë, ku banonin dhe punonin nëpunësat që drejtonin administratën e Pashallëkut të Janinës si dhe garda personale e pashait.

Aty afër, ishte dhe saraji i haremit të pashait. Ushtarët e gardës, në pjesën më të madhe, ishin mirditorë dhe lumjanë me trupa atletikë. Në krye të tyre qëndronin kapedanët me veshjet e tyre karakteristike.

Në sarajin ku qëndronte pashai kishte dhoma të mëdha dhe një sallon

madhështor audiencash, të gjitha të shtruara me sixhade persiane dhe me perde të rënda.

Ne nje skaj te sallonit te audiencave qendronte Ali Pashai

Gravura e Ali Pashait nga Jos CartWright, ulur ne poltronen e tij karakteristike me karabinen  e Napoleonit dhe dhuraten e sulltanit te Krimese prane.

 

Dritaret ishin të mëdha dhe xhamat e tyre me ngjyra ishin sjellë enkas nga punishtet e famshme të Venecias. Pjesa më e madhe të dritareve të këtij saraji shikonte nga liqeni. Në një skaj të sallonit të audiencave qëndronte Ali Pashai. Në sarajin qendror ishte një apartament intim ku jetonte pashai me Vasiliqinë. Sipas shkrimtarit anglez William Palmer, autorit të romanit historik me titull “Sulltani i Janinës – Ali Pashë Tepelena”, në apartamentin në fjalë, ishte krijuar dhe një ambient i veçantë në formën e një kishe të vogël. Aty Vasiliqia kryente lirshëm ritet ortodokse të fesë së saj. Ka të dhëna, sipas Mykerem Janinës, që pikërisht nga shkallët e fshehta të kësaj kishëze hyhej në bodrumet ku ruhej thesari i pashait. Shkallët i dinin vetëm dy veta : pashai dhe Vasiliqia. Ajo, duke qënë e dehur, këtë sekret ia bëri të ditur kontit venetikas, Alfredo de Maralba.

Sikundër duket edhe nga gravura, salloni i audiencave të Ali Pashait, me tavanet dhe muret e gdhëndura me ornamente artistike, nuk kishte dallim nga ato të monarkëve të vendeve perëndimore. Në krye të këtij salloni, ulur mbi një minder më të lartë se minderët e tjerë, e kishte vendin Ali Pashai, me një veshje të pasur e me një qëndrim impozant. Afër ai mbante të varura dy nga dhuratat që i quante më të vyerat : karabinën që ia kishte dhuruar Napoleon Bonaparti (kondakun e saj më vonë e kish zbukuruar me gurë të çmuar) dhe kompletin e shpatave të dhuruara nga Sulltani i Tatarëve të Krimesë, rebeli Orhan Giraj, i ndëshkuar me internim në Janinë nga Sulltani. Në gravurën e pashait, piktori anglez Jos Cartwright, ka theksuar shikimin depërtues të tij, ku siç thotë edhe si vetë, spikat një zgjuarësi që shpreh edhe dinakëri.

Në katin e parë të pallatit qendror, sikundër edhe të pallateve të tjera, por me përmasa më të vogla, ishin kuzhinat, ku gatuheshin dhe përgatiteshin gjellët e ditës. Vetëm në kuzhinën e pallatit qendror punonin tridhjet veta. Ky numër përfshinte kuzhinierët, ndihmësit e tyre, enëlarësit si dhe veqilharxhet në lëvizje të vazhdueshme që sillnin lëndën e parë të gatimeve. Kuzhina i shëmbëllente një punishteje të madhe që nuk kishte pushim për asnjë çast. Afër vatrave të zjarrit të vazhdueshëm, ishin banjot e larjes me avull, ose të ashtuquajtura hamame. Ato ishin të gatshme për çdo orë të ditës dhe të natës. Në këto hamame ishin edhe hamamxhinjtë që ndihmonin personat që laheshin. Si në të gjitha oborret mbretërore të kohës, rreth njëzet djelmosha të moshës 16-20  vjeçare të veshur me fustanella dhe me këmisha me mëngë treçerekëshe, të pastra dhe të bardha si bora, sipër të cilave ishin jelekët e kadifesë ngjyrë vishnje ose jeshile, anash të qëndisura me ornamente me fije ari, shërbenin për të çuar gjellët në ambientet ku shtrohej sofra. Ata quheshin shërbëtorë të brendshëm dhe gjatë gjithë kohës vraponin si fluturat duke ecur zbathur që të mos krijonin zhurmë. Në grupin e djelmoshave të shërbimit të brendshëm kishte një hierarki të rreptë dhe një kod komunikimi vetëm me anën e syve. Djaloshi që rrinte vazhdimisht në këmbë prapa pashait gjatë gjithë kohës së ngrënies, vetëm nëpërmjet lëvizjes së syve të tij, komandonte shërbimet që

Djaloshi qe sherben zbathur brenda

duhet të kryenin djelmoshat e tjerë. Sipas zakonit të kohës, ngrënia bëhej duke u ulur këmbëkryq rreth sofrës, në krye të së cilës ulej pashai.

Biografët e pashait na thonë se Ali Pashai deshte të kishte përhera gjatë ngrënies shoqëri në sofër. Vetë pashai pinte shumë rrallë, por kur e shihte të nevojshme që të sillej rakia, dhe ajo sillej me faqore të bukura veneciane, pija vazhdonte për sa kohë deshte pashai. Uji dhe lëngjet që servireshin në sofër piheshin me gota të zbukuruara me ornamente argjëndi të sjella nga tregëtarë venetikas. Ngrënia në sofër ishte pa zhurmë dhe ceremoniale; dëgjoheshin batuta të qeta dhe qeshjet karakteristike të pashait. Ushqimi hahej në enën e përbashkët që vendosej në mes të sofrës, ndërsa copat e mishit dhe zogjtë i ndante pashai me dorën e vet.

Djelmoshat e shërbimit me legene dhe ibrikë të shndritshëm nëpër duar, u shërbenin personave të ulur rreth sofrës të lanin duart para dhe pas ngrënies. Për fshirjen e duarve ata zgjatnin peshqirë të rendë me xhufka ari.

Pasi mbaronte ngrënia, njerëzit e sofrës uleshin në minderet e vendosura rreth dhomës. Pas kësaj, silleshin me një ceremonial karakteristik nargjiletë e duhanit dhe kafja me një aromë dehëse. Gjatë kafes biseda vazhdonte të zhvillohej e qetë dhe kjo vazhdonte e tillë deri sa ngrihej nga vendi pashai, i cili largohej duke i përshëndetur me vendosjen e dorës së djathtë nga koka në gjoks. Pas largimit të pashait, adjutantët dhe shambelanët përcillnin personat që kishin qënë në sofrën e pashait. Djelmoshat që shërbenin si kamarierë mëngjezeve dhe darkave, kishin detyra të tjera që i bënin vetëm ata. Ngrinin dhe shtronin dysheqet e rënda të mbushura me lesh, ndiznin llambat e vajgurit si dhe qirinjtë e shandaneve të argjënda. Dhomat e gjumit kishin një komoditet të rrallë për kohën e tyre. Secila kishte tualet dhe banjë të veçantë. Ngjitur me këtë ambient ishte musandra ku vendoseshin dysheqet dhe çarçafet e bardha të qëndisura me lloj lloj ngjyrash dhe motivesh. Këto u bënë shumë përshtypje Bajronit dhe shokut të tij nga Universiteti i Cambridgit John Cam Hob-house, gjatë kohës që ata ishin vizitorë te Pashai i Janinës.

Në raste festash dhe të ndonjë ngjarjeje të rëndësishme, këto gosti merrnin një karakter të veçantë. Në sofër, afër pashait, uleshin klerikët e të gjitha feve që respektoheshin në Janinë. Pas tyre uleshin dhe vizitorët e huaj që ndodheshin në Janinë. Në këto lloj gostish të veçanta, ishte e pranishme orkestra dhe grupi i valltarëve. Ky grup formohej nga djelmosha belhollë dhe flokë shumë të gjatë. Gjatë kërcimit dhe përkuljeve, flokët e gjata të valltarëve arrinin deri poshtë në dysheme. Kur të ftuarit ishin të kënaqur nga orkestra dhe valltarët, shkonin e u vinin në ballë atyre monedha ari, te cilat mbaheshin në ballin e tyre për një kohë të gjatë.

Wiliam Palmer, kur përshkruan jetën e brendshme të Ali Pashait, e cilëson atë si njeri gazmor e shakaxhi dhe shton se ai ka përfaqësuar një sundimtar sa gjaksor aq edhe romantik.

 

III. Fundi tragjik i pashait me dy varre

 

Pozicioni gjeostrategjik i pashallëkut të Janinës dhe gjeopolitika që filloi të ndjekë sundimtari i saj, Ali Pashë Tepelena, synonte shkëputje të plotë nga Porta e Lartë e Stambollit dhe krijimin e një shteti të pavarur. Duke parë këto qëndrime dhe veprime të Ali Pashait, u vendos eliminimi i tij. Më të vendosur në këtë drejtim kanë qënë Sulltan Mahmudi II (1808 – 1839)

 

 

 

 

Sulltan Mahmudi II, i tridhjeti ne rradhen e tridhjetegjashte sulltaneve te perandorise turke

 

dhe këshilltari i tij shumë intrigant Alet Efendiu, një armik që e urrente Ali Pashanë deri në vdekje

Fillimisht ky mision iu besua Ismail Pasho Beut (1770 – 1821), njeri i oborrit të Ali Pashait dhe i afërt me Muhtarin, djalin e madh të pashait. Ai nuk pati suksesin e pritur, sepse nuk kishte staturën e nevojshme politike dhe ushtarake për të mposhtur Kryezotin e Epirit, atë që kohët e fundit kishin filluar ta quanin, shpesh e më shpesh, Sulltani i Janinës. Pas kësaj, ky mision iu ngarkua Hurshid Pashait, një ushtaraku profesionist të dalluar në organizimin dhe realizimin me sukses të disa fushatave luftarake. Ai faktikisht rrethimin e Janinës e kishte filluar që më 1820, por preferoi taktikën e bindjes me anën e bisedimeve. Si element akuze kundër Ali Pashait shfrytzoi korrespondencën që ai mbante me krerët e organizatës “Filiki Eterias” që po përgatitte revolucionin për shpalljen e pavarësisë së Greqisë. Kjo korrespondencë kishte rënë në dorë të Hurshid Pashait dhe ai mendoi të përfitonte nga ajo për t’i bërë presion Ali Pashait dhe të realizonte kështu dorëzimin e tij pa kushte.

Një nga këto letra iu çua Ali Pashait nga një delegacion i përbërë nga ushtarakë të zgjedhur nga shtabi i Hurshid Pashait dhe në krye të tyre u caktua Mehmet Pashai. Ky i fundit, disa muaj më vonë do të ishte edhe xhelati që do t’i priste kokën Aliut.

Delegacioni i Hurshidit u prit me nderimet që i përkisnin dhe para se ta futnin në konakët e ndërtesës ku do të zhvilloheshin bisedimet, e kaluan përpara pozicioneve ku ishin vendosur topat dhe grumbujt me gjyle e fuçi baruti. Topçinjtë me trupa atletike dhe me llërët e përveshur mbanin në duar pishtarë të ndezur dhe shikimin e kishin të përqëndruar nga ushtarët osmanë që kishin filluar të rrethonin Kastron, kalanë mbrojtëse të Janinës.

Biseda u zhvillua e qetë dhe dërgata e Hurshitit, me letrën në dorë, si argument fajësie, u përpoq që Aliu të bindej e të dorëzohej pa kushte. Sipas William Palmerit, kjo lëvizje e Hurshitit u konsiderua si dobësi e përgatitjes së ushtrisë osmane. Aliu doli me kundërpropozime. Ky qëndrim i tij mbështetej edhe në përkrahjen që po i jep-te popullata vendase si edhe në lajmet inkurajuese që vinin nga përgatitjet e Revolu-cionit Grek. Aliu i kërkoi delegacionit që marrëveshja të bëhej në bazë të kushteve të mëposhtme të diktuara prej tij :

  1. Ali Pashai të njihej si kryezot i Epirit dhe t’i akordohej një titull mbretëror.
  2. Të dekretohej nga Sulltani një amnisti e gjerë për të gjithë personat që kishin mbështetur e ndihmuar pashanë.

Përgjigja e Portës së Lartë erdhi e shpejtë dhe ishte ultimative. Ajo kërkonte që Ali Pashai dhe të bijtë të dorëzoheshin pa kushte. Një përgjigje e tillë u bë shkak që të fillonin menjëherë veprimet luftarake. I rënduar nga këmbët, i hipur në një vig që e mbanin katër nga ushtarët e tij më besnikë, kalonte nga një postacion në tjetrin dhe duke u folur topçinjve me emër, sikur t’i kish të njohur të vjetër, u jepte atyre zemër e kurajo.

I rrethuar në Kastro me ushtarët dhe topat e tij, Aliu organizoi dhe realizoi veprime luftarake të suksesshme. Aksionet kryesore i realizoi me breshëri të fuqishme arti-lerie, por pati edhe aksione të befasishme të trupave nga Kastroja në drejtim të kampit të ushtrisë osmane.. Trupat që dilnin nga Kastroja i komandonte vetë Ali Pashai i hipur në kalin e tij të bardhë duke patur afër tij si armëmbushës trimin e rrallë dhe besnikun me kokë Thanas Vajën. Si nishanxhi i mirë që ishte arriti të palosë disa ush-tarë dhe oficerë osmanë. Duke përfituar nga një grumbullim i forcave osmane në një festë fetare në xhami, me qitje të pandërprerë topash arriti të asgjësojë 60 oficerë dhe 300 ushtarë. Aksionin e ndoqi me dylbi nga bedenat e kalasë dhe kur arriti të dallojë dëmin që u kishte shkaktuar rrethuesve thrri i ngazëllyer :

– Le ta shohin se Ali Pashai nuk ka vdekur dhe le ta dinë se ai nuk vdes kollaj.

Krahas përleshjeve që zhvilloheshin rreth Kastros, aksionet e pashait i ndihmonte me veprimet e tij diversioniste kapedan Marko Boçari që vepronte me shkathësi në zonat periferike të Janinës. Në këto çaste ushtria rrethuese po kalonte vështirësi të pa-parashikuara. U përhap edhe lajmi se një ushtri prej 6000 vetësh të zgjedhur po grumbullohej në Gjirokastër për t’i shkuar në ndihmë pashait në Janinë. Kjo forcë ushtarake nuk arriti të futej në Janinë dhe veprimet e saj luftarake i realizoi me aksione guerilesh, të cilat i shkaktuan dëme të rëndësishme trupave osmane.

Para kësaj situate të rënduar, Hurshit Pashai u detyrua t’i bënte propozime të reja Ali Pashait. I premtonte se do të ndërhynte personalisht pranë Portës së Lartë dhe pas amnistisë e siguronte se do t’i jepej një pashallëk në Anadoll. Edhe para këtyre propozimeve joshëse Aliu vazhdoi të këmbëngulë në kërkesat e mëposhtme :

  1. T’i dorëzohej Ismail Pasho Beu
  2. T’i paraqitej në një kohë sa më të afërt fermani që falte atë dhe bijtë e tij që mbaheshin peng.

Edhe këto propozime të Ali Pashait nuk u pranuan dhe u vendos që si presion ndaj tij të ekzekutoheshin të tre djemtë dhe nipi i tij. Në përgatitjen e këtij skenari një rol të rëndësishëm pati Alet Efendiu, personazh me ndikim të madh në oborrin e sulltanit dhe një armik i betuar i pashait.

Kur rrethimi i Janinës po hynte në vitin e dytë, mbërriti në Janinë lajmi tronditës : tre djemve të pashait, Muhtarit, Veliut, Saliut dhe nipit të tij, djalit të Veliut, Mehmetit, u ishin prerë kokat. Pasi ia kishin treguar sulltanit, kokat ishin ekspozuar te “guri i turpit” për t’i parë populli.

Mehmeti, djali i pashem i Veliut

 

Kur Sulltan Mahmudi II kishte parë në tepsinë e florinjtë atë kokë të hijshme të Mehmetit, kishte lëshuar shprehjen më idiote që mund të ketë thënë një sulltan :

–          Ç’paskam bërë kështu, atë e mendoja të moshuar sa i jati !

Në Janinë situata sa vinte e rëndohej : lajmi i ekzekutimit të bijve të pashait, lajmi se Ali Pashai kishte ndrruar fe dhe se ishte pagëzuar, shumë ushtarë të vdekur, shumë të tjerë të sëmurë dhe dezertorët që shtoheshin për ditë, e kishin vënë pashanë në një pozitë të vështirë. Këtë situatë të rënduar e shfrytëzoi Hurshid Pashai dhe i dërgoi Ali Pashait për marrëveshje sekretarin e tij personal. I propozoi të dorëzohej dhe i premtoi se fermani i amnistisë do të vinte shumë shpejt nga Stambolli. Ali Pashaj para se të jepte përgjigje, e çoi sekretarin në depot e Kastros, ku mbi njera tjetrën qëndronin stivë mbi një mijë fuçi baruti. Aty nxori nga beli naganten e tij dhe mori nishan fuçitë. Sekretari i Hurshidit u zverdh dhe filloi të dridhej. Atëhere pashai me të qeshurën e tij karakteristike parashtroi kërkesat e mëposhtme :

1.  T’i jepej fund dhe pa kushte rrethimit të Janinës.

2. Të dekretohej një amnisti e gjerë. Në rast të kundërt, duke qënë ai në krye të 1800 ushtarëve besnikë, do ta hidhtë në erë Kastron dhe një pjesë të mirë të qytetit të Janinës.

Më 14 janar 1822, Hurshidi e njoftoi Ali Pashanë se po pritej fermani i sulltanit dhe sa të mbrrinte ai, i kërkonte të vendosej provizorisht në ndërtesën dykatëshe të Manastirit të Shën Pandelimonit të ndodhur në Ishullin e Liqenit të Janinës.

Ndertesa dykateshe e Manstirit te Shen Pandelimonit, sot muze i Ali Pashait

 

me Vasiliqinë, Thanas Vajën dhe dymbëdhjetë nga ushtarët e gardës së tij, hipën në një varkë të madhe që i zbarkoi në ishull. Sa kishte filluar të errësohej dhe ishin marrë masat që të mos kishte asnjeri nëpër rrugën që do të kalonte pashai. Grupi ecte kokëulur në një heshtje që të kallte frikë dhe që prishej herë pas here nga hapat e ngadalta të atyre që shkelnin kalldrëmin e rrugës. Ditën e nëntë të qëndrimit në manastir, Hurshidi i dërgoi adjutantin e tij dhe kërkoi ndjesë për mosardhjen e tij në takimin e premtuar me preteks se ishte i sëmurë. Adjutanti që pruri këtë lajm shtoi se fermani i sulltanit kishte mbrritur dhe para se ai të shpallej zyrtarisht, duhej që Ali Pashai në shenjë nënështrimi t’i dërgonte rojtarit të depos së barutit, gurin e madh të tespive të pashait.

Mbetet enigmë se si pranoi Ali Pashai të dorëzonte depon e fuçive të barutit, shpërthimi i së cilës bashkë me një pjesë të Janinës do të asgjësonte pothuaj gjithë ushtrinë osmane që kish ngritur çadrat para Kastros.

Pasi u muarr në dorëzim Kastroja nga oficerët e Hurshit Pashait, filloi zbatimi i planit për eliminimin e Aliut. Mehmet Pashai, një nga oficerët më trima dhe më të ashpër të shtabit të Hurshidit në krye të tridhjetë ushtarëve nga më të përgatiturit, u nis për në ishull. Ali Pashai, me të parë ushtarët që po i afroheshin heshtazi manastirit e kuptoi se qe tradhëtuar. Urdhëroi njerëzit e tij të qëllonin mbi ushtarët që po tentonin të rrethonin manastirin. Edhe ai vetë filloi të qëllojë dhe si nishanxhi i mirë që kish qënë e plagosi Mehmetin në dorë, por plumbi i dytë që do ta linte të vdekur atë, u pengua nga pelerina e trashë e Mehmetit.

Gjatë shkëmbimit të zjarit u plagos edhe Ali Pashai nga dy plumba që erdhën nga kati i parë i ndërtesës. Vrimat e tyre ruhen edhe në ditët tona në dyshemenë e dhomës ku luftonte Aliu. Plaga që i kishin hapur nën vete Ali Pashait plumbat e ardhura nga pjesa e poshtëme e dhomës, ishte shumë e rëndë. Vasiliqia me të dëgjuar rënkimet e pashait, pa pyetur për plumbat që vazhdonin nga të gjitha anët, u vërsul mbi trupin e Aliut dhe e vendosi në gjoksin e saj kokën e pashait që ajo e kish dashur aq shumë. Gjendja po rëndohej dhe Aliu thirri Thanas Vajën. Me zërin që po i mekej e porositi që Vasiliqinë më mirë ta vriste se sa t’ua dorëzonte ushtarëve osmanë. Me të nbaruar këtë porosi ai dha shpirt në krahët e Vasiliqisë duke shtrënguar fort duart e Thanasit, sikur të desh t’i merrte me vete ato. Gjendja u rëndua shumë. Rezistenca e mëtejshme u bë e pamundur dhe ata u dorëzuan pasi Vasiliqia me Thanasin kishin arritur të iknin nga manastiri nga një derë e vogël në pjesën e pasme të tij. Mehmet Pashai hyri më vrap në dhomën ku shtrihej kufoma e Ali Pashait. Ai e tërhoqi zvarrë me njerëzit e tij deri në krye të shkallëve, ku dhe ia prenë kokën.

I dyti nga e majta, Mehmet Pashai me dore te plagosur qe kerkon ta terheqe Ali Pashane

 

Koka e prerë iu dërgua menjëherë Hurshitit dhe pashallarëve të tjerë të shtabit të tij. Ata

po prisnin me ankth përfundimin e këtij operacioni. Sapo e panë atë kokë që akoma po vazhdonte të rridhte gjak, ata të heshtur u ngritën që të gjithë në këmbë. Kjo ishte përshëndetja e fundit që ushtarakët dinë t’u bëjnë armiqve të tyre që dinë të rezistojnë me trimëri deri në fund të jetës së tyre.

Që t’i bindnin banorët e Janinës, koka e Ali Pashait u ekspozua për tre ditë me radhë para hyrjes kryesore të Kastros. Më 25 janar 1822 trupi i Ali Pashait u varros pranë Eminesë, gruas së tij të parë, në varrezat e Fetije Xhamisë, ku ruhet edhe sot e kësaj dite. Pastaj, koka e futur në një kacek me mjaltë iu dorëzua kalorësve të shpejtë tartarë për ta çuar në Stamboll. Pasi ia treguan sulltanit e ekspozuan te “guri i turpit”, siç bëhej zakonisht për të gjithë sundimtarët që tradhëtonin sulltanin.

Koka e prere e Ali Pashait e ekspozuar te “guri i turpit” dhe perballe saj nje turist anglez qe deshi ta bleje ate.

 

Kërkuan ta blinin shumë njerëz, midis të cilëve edhe një turist angles që deshi ta ekspozonte në Londër këtë kokë që i ishte dukur interesante. Mirpo atë e bleu shoku i rinisë së Ali Pashait, Dervish Sulejmani, i cili pagoi shumë më tepër se të tjerët. Ai e varrosi kokën e Ali Pashait te varrezat e Silivrikapesë, afër murit rrethues të Stambollit të vjetër pranë tre djemve dhe nipit të tij. Të pesë varret, me gurrët e lartë të vendosur në kokat e tyre nga Dervish Sulejmani dhe shqiptarë të tjerë me banim në Stamboll qëndrojnë në këmbë edhe sot e kësaj dite. Dervish Sulejmani ka shkruar në varrin e Ali Pashë Tepelenës epitafin e mëposhtëm :

“Vetëm zoti ynë i madhërishëm është i përjetshëm.

Të gjithë të tjerët jemi kalimtarë në këtë botë. Mi-

dis këtyre kalimtarëve, në këtë copë tokë, fle sundi-

mtari i dikurshëm i Janinës, i famshmi Ali Pashë

Tepelena i cili sundoi i pavarur për më shumë se

tridhjet vjet”

Për eliminimin e Ali Pashait, Hurshidit iu dha një kompensim prej dy milion e gjysmë grosh dhe shpata e Ali Pashait me dorëzën e saj të zbukuruar me shumë gurë të çmuar. Thesari i Pashallëkut të Janinës nuk doli aq i vlefshëm sa pritej. Një pjesë e mirë e tij kishte shkuar si ndihmë për Revolucionin Grek. Ky thesar i ngarkuar me 50 mushka u dërgua në Stamboll. Sipas kronikave të kohës ai u llogarit në dyzet milionë grosh. Për thesarin personal të pashait u pyet gjatë dhe u kërcënua Vasiliqia që vazhdimisht bëri të paditurën dhe diti të heshtë.

Le të shohim shkurtimisht se ku përfunduan pasardhësit e mbetur gjallë, pas ekzekutimit të tre djemve dhe nipit të Ali Pashait. Djali i madh i Muhtarit, Hyseni vdiq në Selanik pa lënë trashëgimtarë. Djali i dytë i tij, Mahmuti, heroi i Tepelenës, u internua nëErzurumdhe pasi u amnistua jetoi në Stamboll deri në vitin 1863, duke bredhur si dervish. Edhe ky nuk la trashëgimtarë. Djali i dytë i Veliut, Selimi, pasi u lirua nga internimi në Anadoll, u emërua prefekt i Beogradit, ku dhe vdiq duke lënë tre djem. Ismaili, djali i tretë i Veliut që mbrojti Kastron pas largimit të gjyshit në ishull, u çua në Stamboll. Aty ra në sy për inteligjencën e tij dhe si pasojë u emërua antar i Këshillit Sulltanor. Vdiq më 1875.

 

Demir ALIZOTI

 



[1] Ky shkrim eshte pergatitur ne baze te tregimeve gojore te z. Mykerem Janina dhe romanit ne versionin turqisht te shkrimtarit anglez William Palmer “Sulltani i Janines” perkthyer tashme ne doreshkrim nga Demir Alizoti

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch