Home » Kulturë, Lajme » TIRANË: ARRITI NUMRI I RI I REVISTËS “DITURIA”

TIRANË: ARRITI NUMRI I RI I REVISTËS “DITURIA”

Ibrahim HajdarmatajNga: Ibrahim Hajdarmataj

 

 

 

 

 

 

 

1.

Është viti i 8-të që, në Boras të Suedisë, botohet revista e përmuajshme me emrin simbolik, “Dituria” dhe e-mail: dituria@live.se. Atë e përgatitë dhe e nxjerr në qarkullim Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni” e atij qyteti. Kryeredaktor i revistës është publicisti, shkrimtari dhe arsimtari Sokol Demaku. Ndërsa, në këshillin botues bëjnë pjesë disa veta, si nga Suedia, por dhe nga trojet shqiptare.

Në vazhdim të numrave të mëparshëm, këto ditë, pra në shtator 2014, doli numri i ri 7, i kësaj reviste. Disa kopje të saj, redaksia i dërgoi për bashkëpunëtorë e miq të saj dhe arritën në kryeqytetin Tiranë. Gjithësej, revista ka 24 faqe dhe shkrimet ilustrohen me mjaft fotografi.

Dituria ballina

Ballinat e nr.7, të Revistës “Dituria”, Boras-Suedi

2.

Ja, po nisim ta shfletojmë këtë numr të ri të revistës “Dituria”. Në faqen e parë dhe, me vazhdim në katër faqe të tjera, në rubrikën “Nga mërgata”,  është botuar reportazhi i Sokol Demakut, “Me shqiptarët e Athinës”. Siç është e kuptueshme, në fillim, autori jep disa të dhëna për këtë kryeqytet të Greqisë. Autori i shkrimit, aty përuroi e paraqiti para bashkatdhetarëve librin e tij me poezi, “Lundra ime”. Përveç të tjerëve, ishte i pranishëm Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Dashnor Dervishi. Për këtë libër foli gazetarja e mësuesja Bardha Mançe. Gjithashtu, folën edhe të ftuar tjerë, të cilët e uruan autorin S.Demaku për krijimtarinë e tij. Më tej, në këtë reportazh flitet për organizimin e një mbrëmjeje të bukur dhe mbresëlënëse, me anatarë të Shoqërisë shqiptare “Vëllazërimi”, për jetën e tyre në shtetin fqinj etj.

Tashmë, është bërë e njohur se, me nismën e Sokol Demakut u botuan në Tiranë 1.000 kopje të libri për fëmijë “Djali e Tigri”, me autor shkrimtarin suedez  Lars Vestman. Një pjesë të këtyre librave i dhuroi vetë Sokoli, për shkollat 9-vjeçare të qyteteve Tiranë e Durrës dhe Mirditë, por dhe i dërgoi në shkolla të Tetovës. Ndërsa, disa nga këta libra pata kënaqësinë që t’i dërgoja unë, në shkollën e fshatit Zogaj, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) dhe në një shkollë e në bibliotekën e qytetit të Gjakovës. Një shkrim për këtë gjë, është botuar në faqet vijuese të kësaj reviste.

Në rubrikën “Intervista e Diturisë” është botuar biseda e prof. Murat Gecaj, me poeten e talentuar Mimoza Agalliu. Aty, ajo flet shkurtimisht për jetën dhe botimet e saj. Ndërsa autori Sejdo Harka boton portretin e publicistit dhe studiuesit të njohur, prof. Murat Gecaj.

Si zakonisht, vend me rëndësi në këtë revistë i jepet krijimtarisë letrare. Kështu, në prozë është botuar tregimi me autor Kristaq Turtullin, “Mëdyshje” dhe një fragment nga Vilhelme Vranari-Haxhiraj, me titullin “Faktori kohë, si vlerë”. Ndrsa në “Faqen e poezisë” janë botuar krijime të reja nga autorët: Mimoza Mezini, Delvina Kërluku, Gentiana Zagoridha, Neki Lulaj, Mirvete Kabashi-Leku e Sadije Aliti.

Në mbyllje janë botuar materiale për argëtimin e lexuesve të moshaave të ndryshme, si nga Bardhyl Selimi për matematikën dhe më tej, “Anekdota popullore shqiptare”.

E përgëzojmë  stafin e revistës “Dituria” për botimin e këtij numri të ri dhe lexim të këndshëm, për lexuesit!

Tiranë, 7 shtator 2014

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch