Home » Kulturë » TIRANË: NGA AIITC SHPËRNDAHEN ÇMIMET VJETORE-2011, PËR LETËRSINË DHE ARTET

TIRANË: NGA AIITC SHPËRNDAHEN ÇMIMET VJETORE-2011, PËR LETËRSINË DHE ARTET

Nga:  Prof.Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

 

Tashmë, siç është bërë praktikë e përvitshme, në kryeqytetin Tiranë, nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve,  u organizua ceremonia e shpërndarjes së çmimeve për vitin 2011, për letërsinë e artet, që jepen nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC).

Ishin të pranishëm shkrimtarë e poetë, punonjë të artit, kulturës e shkencës, profesorë dhe akademikë, nga media e shkruar dhe ajo elektronike e tjerë. Ndërmjet tyre, ishte edhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Prof.Dr. Luan Malltezi.

Moderatorja e veprimtarisë, Afërdita Hyseni ia dha fjalën Dr. Ramiz Zekaj, drejtor i AIITC. Ndër të tjera, ai theksoi se ky konkurs, tashmë, është bërë i përvitshëm, me pjesëmarrje nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e Diaspora shqiptare. Ai i shërben nxitjes së krijimtarisë në fushën e studimeve, në letërsi dhe arte figurative. Për këtë arsye dhe pjesëmarrja në të, është gjithnjë në rritje. Pas tij, foli Dr. Enver Bytyçi  dhe përshëndeti zv.ministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Suzana Turku. Me interes u dëgjua nga të pranishmit fjala e të ftuarit të nderit, nga Egjipti, Ismet Qazimi.

Në këtë tubim mbresëlënës, jo vetëm për krijuesit në fusha të ndryshme, por dhe për të gjithë pjesëmarrësit, instrumentistë të orkestrës së Ansamblit Shtetëror luajtën pjesë të bukura muzikore. Ndërsa krijueset e reja, Besjana Papa e Valbona Hykaj, recituan nga poezitë e tyre më të bukura.

Pastaj, në emër të jurive përkatëse, fituesit pjesëmarrës në konkurs i shpallën: Prof. Dritan Egro, Prof. Skënder Kamberi e Prof. Visar Zhiti. Konkretisht, ata i shpërndanë çmimet, sipas kategorive të ndryshme.

Libri më i mirë, në fushën e shkencës dhe të kulturës islame, u cilësua “Rrugëtim i fesë islame në Shqipëri, 1912-1967”, me autor Ali Bashën (pas vdekjes). Me çmim të dytë u nderua libri,  “Krerët fetarë në Lëvzjen Kombëtare Shqiptare, në Vilajetin e Kosovës, 1878-1912”, me autor Mr. Nuridin Ahmeti. Ndërsa me çmime të treta u nderuan librat: “Institucionet islame të Shkodrës” (me autor Smajl Bala) e “Kronologjia shqiptare dhe kalendarët arabë-osmanë” (me autor Dr. Ibrahim Gashin-pas vdekjes).

Peisazhi më i bukur,  në penelat e piktorëve shqiptarë, u vlerësua punimi i autorit Ervis Kosova dhe me çmim të dytë u nderua Vullnet Alushaj.

Ndërsa për krijimtarinë më të mirë nga moshat e reja, në prozë dhe në poezi, me tematikë “E bukura në shpirt dhe në jetë”, u vlerësuan disa autorë. Me çmim të parë u nderuan Elona Skeja e Besjana Papa, me çmim të dytë Valbona Hykaj dhe me çmim të tretë: Dorina Behari, Olsi Paja, Rovena Xhili e Romario Xhaferri.

Të gjitha çmimet u shoqëruan me diplomat përkatëse.

Në mbyllje të veprimtarisë, pjesëmarrësit morën pjesë në një koktej të përbashkët.

Tiranë, 11 qershor 2011

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch