Home » Kulturë » TIRANË: PËRUROHET LIBRI I RI KUSHTUAR ARTISTIT POPULLOR, AZIS NDREU

TIRANË: PËRUROHET LIBRI I RI KUSHTUAR ARTISTIT POPULLOR, AZIS NDREU

Nga: Murat Gecaj

Shkrimtari Viron Kona, duke folur në përurim

Sot në mesditë, në sallën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit Tiranë, u organizua përurimi i librit, “Ezopi i Dibrës”, kushtuar artistit të njohur popullor Azis Ndreu-“Mjeshtër i Madh” e shkruar nga Xhezair Abazi. Pjesëmarrës ishin familjarë e bashkëkrahinas të A.Ndreut, punonjës të artit e kulturës , arsimit e shkencës, nga media  e shkruar dhe ajo elektronike etj.

Veprimtarinë e drejtoi Bujar Kapexhiu. Në emër të ShB “Onufri” përshëndeti Afërdita Cesula. Ndërsa për jetën dhe krijimtarinë e artistit të shquar popullor Azis Ndreu, i pari foli koreografi Skënder Selimi-“Mjeshtër i Madh”.Ai e quajti atë supertalent, rapsod, valltar e artist popullor, fitues i shumë çmimeve kombëtare dhe laureat i Festivalit të Moskës. Rreth ndihmesës së A.Ndreut në studimin e trashëgimisë popullore, sidomos të Dibrës, u ndal dr.Gafurr Muka. Ndërsa prof.Vaso Tola e vlerësoi atë një figuraë mbarëkombëtare, që trashëgoi e transmetoi traditat më të mira të artit popullor shqiptar.

Për ndihmesën e A.Ndreut në historiografinë kombëtare shqiptare foli prof.Adem Bungu. Dibra i dha forca mendore, shpirtërore e fizike këtij artisti popullor, që të mbetet përherë në kujtesën e brazave, si të sotëm dhe atyre që do të vijnë, u shpreh Lumturi Çela.

Pamja nga salla, ku u zhvillua veprimtaria…

Në këtë veprimtari ishin të ftuar e folën rreth këtij libri të ri dhe figurës së nderuar të Azis Ndreut edhe shkrimtarë e studiues, nga krahina të tjera të vendit, pra jo vetëm nga Dibra. Të tillë ishin ata nga Përmeti, Mallakastra e Kolonja. U ndoq me interes të veçantë dhe kumtimi i shkrimtarit të njohur, me origjinë nga Vlora, Viron Kona. Ai e vlerësoi lart punën e palodhur e profesionale të hartuesit të librit dhe evidentoi vlerat, që ai përmban për të njohur trashëgiminë e këtij artisti të veçantë popullor dhe terë krahinës së Dibrës, në përgjithësi.

Gjatë përurimit u lexua përshëndetja e dërguar, në pamundësi pjesëmarrjeje, nga kryetari i bashkisë në Dibrën e Madhe, Ruzhdi Lata.

Në vazhdimësi, secili sipas mënyrës së tij, me nderim e respekt folën edhe kolegë, miq e bashkëpunëtorë të Azis Ndreut, duke sjellë kujtime nga njohjet dhe puna e përbashkët me të. Të tillë ishin: regjisori Skënder Carja, artistët Veli Rada e Luftar Paja, valltari shumë i njohur Besim Zekthi etj. Ndërsa poeti Xhelal Luca recitoi një vjershë me vargje të A.Ndreut, shkruar 35 vjet më parë.

Ngohtësisht u duartrokit nga pjesëmarrësit edhe kënga e disa anëtarëve të ansamblit artistik “Valët e Drinit”, e cila i kushtohet rapsodit të mirënjohur popullor, Azis Ndreu.

Këngë popullore, nga pjesëtarë të ansamblit “Valët e Drinit”, kushtuar A.Ndreut

Në mbyllje të kësaj veprimtarie përuruese, Xhezair Abazi, autori i librit të ri, “Ezopi i Dibrës”(Azis Ndreu), i përshëndeti si folësit e pjesëmarrësit dhe bashkëpunëtorët, që ndihmuan në hartimin dhe botimin e tij.

Pastaj, të gjithë së bashku, vazhduan bisedat e kujtimet e tyre për artistin e paharruar popullor, Azis Ndreu-“Mjeshtër I Madh”, në koktejtin ne shtruar me këtë rast.

(Fotot nga: M.Gecaj)

Tiranë, 7 dhjetor 2013 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch