Home » Kulturë, Lajme » Titull: Tema dhe motive të ndryshme në poezi të poetit Bahri Shytit

Titull: Tema dhe motive të ndryshme në poezi të poetit Bahri Shytit

Në Mitrovicë në Qendrën Kulturore “Rexhep Mitrovica”, u promovua libri “Dhembje dhe krenari”, i autorit Bahri Shytit, botues Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani” në Suedi.
Mitrovicë, 18 gusht 2018
Në Mitrovicë në Qendrën Kulturore “Rexhep Mitrovica”, u promovua libri “Dhembje dhe krenari”, i autorit Bahri Shytit, botues Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani” në Suedi. Ky libër është një përmbledhje me poezi, në të cilën trajtohen tema të luftës, lirisë, aktualitetit të sotëm, por edhe dashurisë. Një libër me përmbledhje poezish me motive të ndryshme. Në të mund të gjejmë poezi që i kushtohen dwshmorwve dhe heroizmit tw tyre, tema të aktualitetit të sotëm për shqiptarët, poezi që flasin për dashurinë, poezi që flasin për jetën.
Promovimi i këtij libri u mbajt nën përkujdesjen e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi. Kryetari i kësaj shoqate, Hysen Ibrahimi, njëherit edhe redaktor i lbrit “Dhembje dhe krenari”, tha ndër të tjera se autori Shyti, është një ndër poetët më kritik dhe më i drejtpërdrejtë, që pasqyrojnë përjetimin tragjik dhe dëshirën e tij të shkuarjes dhe zhvillimit më përpara të popullit shqiptar. “Çdo ngecje, pengesë dhe sfidë…, poeti Shyti e godet, sepse e përjeton rëndë, me një intensitet të fuqishëm emocional, sikundër kur arrihet diç e mirë në interes të vendit nga vetë ne shqiptarët, ai shpërthen me poezi artistike në mbështetje të së mirës. Këtë të mirë ai e përjeton jo vetëm përmes poezisë, por edhe përmes këngës që rrezaton lirizëm të kulluar poetik e kombëtar”, tha Ibrahimi në recensionin e tij.
Ndërkaq, z. Haki Shyti, në recensionin e tij, tha se poeti Bahri Shyti ka trajtuar tema të ndryshme, duke veçuar ndriçimin e momentit të varrimit të vëllait, bashkë me disa dëshmorë të tjerë, të rënë më 1998, në zonën e Ashlanit, ku ishte gjetur forca dhe ishte kënduar himni kombëtar në rrethana krejt të jashtëzakonshme. “Poezia e tij është plot dashuri dhe respekt për dëshmorët, për atdheun, për ata që punojnë e kontribuojnë për të mirën e popullit e të atdheut, por edhe plot urrejtje ndaj injorantëve e “patriotëve” të rrejshëm që në shpirt kanë vetëm interesin personal”, tha Shyti.
Ky është libri i tretë i autorit Bahri Shyti, pas librit të parë: Kosovë ty të përkulëm dhe i dyti ishte libri “Lotë e këngë të mërgimtarit”. Bahri Shyti është një mërgimtar që jeton dhe vepron në Gjermani. Me shkrimet e tij, ai vlerëson vlerat kombëtare, simbolet, por edhe kontributet e atyre që I respektojnë këto vlera.
Gjatë promovimit të librit “Dhembje dhe krenari”, u interpretuan edhe disa poezi. Ndërkaq, në fjalët e rastit, Ibrahim Xhaka, ish komandant në Zonën e Shalës gjatë luftës së UCK-së kujtoi ofansivin e shtatorit 1998 kur makineria serbe kishte përdorur arsenal të fuqishëm për të sulmuar fshatin Ashlan ku ishte i vendosur edhe shtabi i UCK-së. Në atë ofansivë kishin rënë disa dëshmorë dhe disa martirë. Ai moment, ku në ceremoninë e varrimit të tyre ishte kënduar himni kombëtar. Dhe ai moment është përfshirë në poezinë e Bahri Shytit në librin “Dhembje dhe krenari”.
Pjesa më kreative e këtij manifestimi ishte interpretimi i disa poezive nga halla e Bahri Shytit, znj. Sevdije Shyti, e cila edhepse në moshë të shtyer, kishte memorie të mirë dhe kishte përzgjedhur disa poezi që përcillnin mesazh edhe në ditët e sotme.
Në fund, autori Bahri Shyti falendëroi pjesëmarrësit në këtë ceremoni të promovimit të librit të tij. Ai falendëroi në veçanti kryetarin e SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, Hysen Ibrahimin, për të cilin tha se është i gatshëm të ndihmojë secilin veprimtar apo krijues, sa herë që është e nevojshme.

Me këtë rast, SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, më saktë kryetari Hysen Ibrahimi, në emer të Kryesisë së SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, i ndau mirënjohje Bahri Shytit, për kontributin shumëvjeçar në shërbim të çështjës kombëtare dhe për krijimtarinë letrare.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch