Home » Opinione » “Traktati i Paqes Kosovë-Serbi”, pa Luginën e Preshevës?

“Traktati i Paqes Kosovë-Serbi”, pa Luginën e Preshevës?

nehatjysenii3Shkruan: Nehat Hyseni

 

Shqiptarët e Luginës së Preshevës ndjehen të anashkaluar, duke u lënë  nën mëshirën e regjimit antishqiptar të Serbisë. Prandaj edhe presionet e Serbisë ndaj shqiptarve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nuk kanë të ndalur , duke shkaktuar shpërngulje të tyre alarmante. Lidershipi i  Luginës i është lënë stihisë dhe është duke vepruar si i “pa kokë”. Shqiptarët e Luginës po i paguajnë të gjitha “faturat” e papërgjegjësive të liderëve shqiptarë në Luginë, Kosovë e Shqipëri, duke u lënë jashtë Dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, “Marrëveshjes historike” të 19 prillit 2013, dhe së fundi (ndoshta) edhe jashtë “Traktatit të Paqes Kosovë-Serbi”?

Lugina e tradhëtuar?

Pas nëshkrimit të “Marrëveshjes historike” për normailizimin e marëdhënieve Kosovë – Serbi, më 19 prill 2013 në Bruksel, midis Kryeministrit Thaçi dhe Daçiq, me ndërmjetësimin e Komisioneres së Lartë të Këshillit të BE-së, baroneshës Catherine Ashton, Zëvendëskryeministri i Kosovës, z. Hajredin Kuçi deklaroi se “ Dialogu teknik është shpallur i mbyllur, ndërsa ai politik  ka mbetur t’i japë zgjidhje edhe një numri të vogël temash”.

Ndërkaq, askund nuk përmendet fati i shqiptarve të Luginës së Preshevës! Andaj, me të drejtë ata ndjehen të anashkaluar, të margjinalizuar dhe të tradhëtuar nga Qeveria e “Kosovës nënë”, duke u lënë nën mëshirën e regjimit antishqiptar të Serbisë, pa kurrëfarë mbështetje dhe përkrahje materiale, ekonomike e politike, duke ia lënë duartë e lira Qeverisë së Serbisë që të veproj sipas dëshirës së vet me ta.

 

Presionet e Serbisë

Prandaj edhe presionet e Serbisë ndaj shqiptarve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, nuk kanë të ndalur. Në arsim ndihet ashpër mungesa e teksteve dhe mjeteve mësimore, në pamundësi për t’u importuar nga Kosova, meqë Serbia që nga data e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 shkurt 2008, e ka ndaluar atë, si dhe mediat e shkruara. Andaj, arsimi shqip mezi frymon në Luginë, duke shfrytëzuar forma alternative të mbijetesës.

Papunësia e madhe e shqiptarve ka shkaktuar ekzodus të paparë të tyre. Edhe pasiguria e shkaktuar nga shetitja e xhandarmerisë dhe ushtrisë serbe, sidomos në viset malore të Karadakut të Preshevës dhe Bujanocit, e kanë bërë të veten. Kurse, Medvegja ka të shpërngulur mbi 90% të shqiptarve dhe aty nuk kanë mbetur më shumë se 10% e tyre.

Sikur nuk u mjaftua me këtë gjendje të mjerueshme dhe të pashpresë të shqiptarve, Serbia këto ditë ka aktualizuar çështjen dhe ka shtuar presionet për ndryshimin e pamjes së Flamurit  kombëtar të shqiptarve.

 

Ftesat e të rinjëve për ushtri

Një ndër format më të rënda të presionit kundër shqiptarve në Kosovë dikuri, kurse në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë tani, janë ftesat e të rinjëve shqiptarë për kryerjen e obligimit ushtarak në ushtrinë serbe.
Siq e dijmë, nga ky shkak, gjatë kohës së regjimit të Sllobodan Millosheviqit, nga Kosova u detyruan të shpërngulen me dhjetëra mijë të rinjë shqiptarë, duke e lënë vendlindjen e tyre dhe duke ia mësyrë ekzodit dhe rrugës së pakthim.
Ndërkaq, në Luginën e Preshevës, procesi i shpërnguljes së shqiptarve drejtë vendeve të Europës perëndimore për shkaqe ekonomike, por edhe të sigurisë dhe presioneve të ndryshme, moti kohë ka marrë hov të madh. Gjithashtu edhe në drejtim të Kosovës, sidomos nga viti 1999 dhe pas konfliktit të armatosur në Luginë të organizuar nga UÇPMB në vitin 2000-2001, kjo shpërngulje mori hov dhe impulse të reja.
Kurse tani, thirrja e të rinjëve shqiptarë për ta kryer shërbimin ushtarak në ushtrinë serbe, praktikisht do të thotë spastrim etnik, i orkestruar dhe organizuar mire nga shteti serb, duke i detyruar të rinjtë shqiptarë që t’ia mësyejnë shpërnguljes.
Me këtë veprim Qeveria e Serbisë është duke vepruar në dy binarë. Derisa nga njëra anë ajo tregon “vullnetin e mirë” për zhvillimin e dialogut me Kosovën në Bruksel,  për “normalizimin e marêdhënieve me Kosovën”, nga ana tjetër merr hapa konkret drejtë spastrimit etnik të Serbisë  nga shqiptarët.

 

Liderët si  të “pa kokë”!

Pra, Lugina e Preshevës, siç po e shohim, mbeti jashtë agjendës së Dialogut Kosovë-Serbi në nivel kryeministrash, me ndërmjetësimin e Komisoneres së lartë, Baroneshës Catherine Ashton në Bruksel.

 

Dhe kjo sikur  nuk mjaftoi. Tani Serbia është trimëruar që ta zbatojë “Programin sekret” të  Qeverisë së saj të vitit 2002 për spastrimin etnik të Luginës nga shqiptarët. Në këtë rrugë askush nuk po e ndalë: as Bashkësia Europiane, as Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.

 

Kurse, lidershipi i Luginës së Preshevës, në mungesë të mbajtjes së një tubimi mbarëkombëtar, ashtu si e mbajtën serbët tubimin e tyre në Kuvendin e Serbisë në fillim të vitit 2013, mu në kohën e tensioneve të larta dhe në vlugun e agresivitetit shtetëror serb për heqjen e Lapidarit të UÇPMB-së para ndërtesës së Kuvendit  Komunal në Preshevë, tani i ka duertë e lira, i është lënë stihisë, anarkisë, deklarimeve megalomane e fjalamanisë “patriotike” dhe është duke vepruar si e “pa kokë”.

 

Ku mbeti Lapidari ?

Shumë çështje reth Lapidarit, edhepse kanë kaluar tetë muaj nga grabitja spektakulare e tij nga xhandarmeria serbe, kanë mbetur të pasqaruara dhe enigmatike.
Poashtu edhe sjellja e disa liderëve politikë të shqiptarve të Luginës shënoi kulmin e papërgjegjësisë politike e morale, si para opinionit të gjerë mbarëshqiptarë, poashtu dhe sidomos ndaj faktorit ndêrkombëtarë. Kurse, për papërgjegjësinë e tyre ndaj shqiptarve të Luginës dhe familjarëve të dëshmorëve të lirisë, as të mos flasim fare!
Kjo papërgjegjësi politike e tyre, duke mos u koordinuar në mënyrë të mirëfilltë aktivitetet me konsultime  paraprake dhe të sinqerta  me Tiranën  dhe Prishtinën zyrtare, si dhe në partneritet të plotë me faktorin  ndërkombëtarë, sidomos me ambasadat e vendeve që i konsiderojmë si miqë strategjik si psh. SHBA-të, Britanisë së madhe, Gjermanisê, Francës, Zvicrës, Turqisë dhe të vendeve të tjera të BE-së.
Moskoordinimi i këtillë dhe mosharmonizimi i qëndrimeve dhe veprimeve tona politike pati pasoja katastrofale dhe  nuk kishte se si të përfundonte ndryshe, pos me mossukses.
Mjerisht, ishim dëshmitarë të gjithë për përfundimin poshtërues të rastit të Lapidarit, duke u hequr pa kurrëfarë organizimi minimal të rrezistencës “së butë qytetare” nga faktorët politik shqiptarë të Luginës. Pra, lidershipi politik i shqiptarve të Luginës nuk tregoi as minimumin e përgjegjësisë politike dhe morale.
Prandaj, sjellja e tyre e papërgjegjëshme u denua anekënd shqiptarisë, duke u cilêsuar me epitetet më poshtëruese dhe më denigruese: si “matrapazë politik”, “të pamoralshëm”, “pa ndjenja minimale kombëtare” etj.

Mjerisht, avazi i sjelljes së papërgjëshme të tyre nuk përfundoi me Lapidarin. Bile as nuk u morën mësimet e domosdoshme nga ai pësim dhe debakël politik që u pësua me rastin e poshtërimit dhe përdhosjes së Lapidarit.

 

 

 

Margjinalizimi i Luginës

Si rezultat i kësaj papërgjegjësie të skajshme të tyre, Lugina e Preshevës nuk arriti që të shtrohet as në tryezën e dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton  në Bruksel. Bile nuk u arritë as që kjo çështje të shtrohet në margjinat e saj!
Ftesa e Qeverisë së Kosovës e bërë në media nga Zëvendêskryeministri Kuçi që edhe “shqiptarët e Luginës t’i paraqesin kërkesat e veta” lidhur me formimin e Asociacionit të komunave shqiptare në Serbi”, jo vetëm që nuk u përfill fare, por edhe u kundêrshtua haptas nga kryetari aktual i komunës së Preshevës, z.Ragmi Mustafa, duke dalur në media me deklaratë të befasishme dhe hakmarrëse ndaj Qeverisë së Kosovēs dhe duke dhënë deklarata të papërgjegjëshme dhe joserioze, pa kurrëfarë konsultimesh paraprake as me “Grupin e unitetit” që përfshinë liderët e partive politike të Luginës, por as me partinë e vet politike!

Kjo papërgjegjësi politike ka ndikuar në margjinalizimin tragjik të çështjes së shqiptarve të kësaj treve, me pasoja të dëmshme dhe  afatgjata e historike për statusin e Luginës së Preshevës.

 

“Shkëmbimi i territoreve” i papranueshëm!

Mbështetja politike që i bëhej nga z. Ragmi Mustafa në mënyrë të stërpërsëritur  tezês së  Kryeministrit dhe kryetarit të SPS-it z. Daçiq, pra pasuesit të Sllobodan Millosheviqit për “ndarjen e Kosovês” dhe “shkëmbimin e territoreve” që sipas Daçiqit do ta “qetësonte rajonin”, kurse Ragmi Mustafa don ta paraqes si mundësi për kinse “bashkëngjitjen e Luginës me Kosovën”.

 

E gjithë kjo lojë e papërgjegjëshme me fatin e shqiptarve të Luginës dhe të Kosovës na servohet pikërisht në momentin më delikat të fazës së dialogut të Brukselit, e dëmtoi rëndë pozitën dialoguese të Qeverisë së Kosovës dhe e favorizoi opcionin e radikalëve serbë për bashkëngjitjen e veriut të Kosovës me Serbinë.

Në këtë mënyrë, pra, nga Lugina e Preshevës, ose më saktë, nga një pjesë e spektrit politik të shqiptarve, që aktualisht qeverisin me pushtetin lokal në Preshevë dhe Bujanoc, u sfidua edhe politika aktuale dhe pozicioni i BE-së, e sidomos i Gjermanisë dhe SHBA-së për mosndryshimin e kufijve ndërshtetërorë në Ballkan.

 

Papjekuria politike?

Pra, kjo qasje kundër Qeverisë së Kosovës dhe Shqipêrisê, si dhe kundër BE-së dhe SHB-së, është e dëmshme për politikën mbarëkombëtare shqiptare.
Andaj, ajo është e dëmshme dhe tragjike edhe për Luginën e Preshevës, kurse favorizon tezën e Daçiqit për “shkēmbim territoresh”. Prandaj, sjelljet e tilla të dëmshme  duhet të ndërpriten!

Natyrisht, ka edhe nga ata shqiptarë që joshen pas parullave dhe deklaratave megalomane dhe nuk kanë kapacitete shkencore e politike për të gjykuar karakterin e dëmshëm të sjelljes së atillë të papërgjegjëshme dhe të dëmshme politike. Duke mos pasur mundësi të analizave politike, qofshin ato edhe sipërfaqësore, për ta pyetur veten: vallë,  a mundemi që ne Lugina e Preshevës të bashkohemi me Kosovën, pa e pyetur Kosovën fare  dhe pa u konsultuar  dhe mbështetur nga faktori ndërkombëtarë?

Pastaj, a mundemi ne shqiptarët e Luginës të veprojmë kundër parimeve dhe standardeve e qëndrimeve tê bashkësisë ndërkombëtare dhe t’i sjellim mirëqenie dhe zgjidhje problemeve të Luginēs së Preshevës?

Sigurisht se përgjigja do të ishte negative. Këtë e dijnë të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre partive politike, nivelin e tyre arsimor, kulturor dhe mjedisin ku jetojnë.
S’ do mend se pjekuria politike e veprimit të shqiptarve të Luginês së Preshevês është e domosdoshme dhe është kusht i pakapërcyeshëm për realizimin e synimeve dhe aspiratave të tyre për ndërtimin e ardhmërisë së  më të sigurtë dhe të lumtur në këto troje të tyre stërgjyshore që janë pjesë e gjeografisë gjithëshqiptare.
Nuk mundemi dhe nuk guxojmë kurrësesi të pozicionohemi kundër faktorit  gjithëkombētar dhe atij ndërkombëtar dhe të deklarohemi se kētë po e bëjmë “për të mirën” e shqiptarve të Luginës së Preshevës, duke çuar ujë në mullirin e armiqêve tanë!

Veprimet e mirëkoordinuara politike duhet të jenê pragmatike dhe vizionare, në funksion të ardhmërisë tonë të qartë dhe misionit kombëtar që duhet realizuar pa asnjë hezitim.

Pse nuk u miratua Platforma?


Andaj, Propozimi i kêrkuar i zgjidhjes së çështjes së Luginës, që do të duhej të shërbej si Platformë e jona duhet punuar me metodologjinë politike tê BE-së, duke u punuar në mënyrë të thuktë, të qartë dhe profesionale. Nuk guxon të ket më shumê se 2-3 faqe tekst me radhorë të mesëm.
Ashtu si i kemi bërë sa e sa herê domumentacionet, si psh. për Referendumin dhe  dokumenta të tjerë, edhe ky dokument do të duhej të ishte në tavolinën e bisedimeve të Brukselit, konform kërkesave të Qeverisë së Kosovês.
Pra, “Propozimi..” , për dallim nga “Masat urgjente…” që u miratua më 9 mar 2013 nga Kuvendi i këshilltarëve shqiptarë, kishte karakter deskriptiv, ishte i punuar me një metodologji arkaike dhe nuk përmbante Propozimin e masave dhe veprimeve konkrete për sanimin e gjendjes aktuale të mjerueshme.

 

Ndoshta kjo ndodhi sepse dikush nga ne deshti “shumë më tepër”, pra “bashkimin me Kosovën”, duke mbështetur opcionin e Daçiqit për “shkëmbium territoresh”?

 

Apo ndoshta nuk e kuptuam drejtë  se kush i shtron çështjet: ne apo dikush tjetër në tavolinën e bisedimeve në Bruksel?

 

Sido që të jetë puna, megjithatë mbetet që shqiptarët e Luginës t’i paguajnë të gjitha faturat e papërgjegjësive, fodëllëkut, veprimit kalkulantesk , “biznespolitikës” dhe papjekurisë së kobëshme politike të liderëve shqiptarë në Luginë, Kosovë e Shqipëri, duke mbetur jashtë Dialogut, “Marrëveshjes historike” të 19 prillit 2013, dhe së fundi (ndoshta) edhe jashtë “Traktatit të Paqes Kosovë-Serbi” që aktualisht është duke u përgatitur.

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch