Home » Kulturë, Lajme » TRASHËGIMIA KULTURORE DHE NATYRORE E KARADAKUT TË PRESHEVËS, JOSHËSE PËR PUSHIME DHE TËRHEQËSE PËR TURIZMIN MALOR

Shkruan: XHEMALEDIN SALIHU, profesor

 

Mali  masiv i Karadakut shtrihet në Republikën e Maqedonisë, Republikën e Kosovës dhe Republikën e Serbisë. Karadaku përfshinë komunën e Shkupit, Kumanovës, Likovës, Han Elezit, Kaçanikut, Vitisë, Gjilanit, Preshevës dhe një pjesë të Bujanocit.

Karadaku i Preshevës shtrihet në perëndim të Preshevës dhe fillon nga Karadaku i Kumanovës, kufizohet me vijën administrative në jug, në përëndim me vijën administrative të Karadakut të Gjilanit, mbaron në veri me  Grykën e Konçulit, në komunën e Bujanocit, ndërsa në lindje përkufizohet me fushën e Preshevës.

Karadaku i Preshevës përfshinë këto fshatra të komunës së Preshevës : Kurbalinë, Stanecin, Seferët, Peçenën, Caravajkën, Depcën, Buhiçin, Ilincën, Ranatocin, Maxheren, Gosponicën, Bukocin, Garen, Bërçecin dhe Shoshajën e Epërme.

Vlerat e Trashëgimisë kulturore dhe  asaj natyrore të Karadakut të Preshevës kanë një mundësi të pa shfrytëzuar: për pushime verore dhe turizëm malor.

Karadaku i Preshevës përfshin 45,4% të territorit të komunës së Preshevës.

Popullata e Karadakut të Preshevës është  shqiptare, me përkatësi fetare muslimane dhe katolike.

Popullata e Karadakut të Preshevës gjatë historisë ishte gjithmonë nën presionin e pushtuesve të ndryshëm. Andaj edhe nga kjo trevë ndodhën shpërngulje të mëdha.

Shpërnguljet e popullatës së Karadakut të Preshevës nuk ndodhin vetëm si pasojë e presioneve dhe shtypjeve të pushtuesve, por edhe si pasojë e kushteve ekonomike, kushteve për jetesë, të cilat ishin  të vështira, pa rrugë, pa kushte për një jetesë normale. Në vitin 1961, Karadaku i Preshevës kishte 3.804 banorë,ndërsa sipas regjistrimit të vitit 2002, Karadaku i Preshevës kishte 1.860 banorë.

Të themi se pas viteve të 2.000-ta fshatra të tëra të kësaj Malësie kanë mbetur pa asnjë banor.

Gjermani Spiridon Gopçeviq udhëtoi më 1888 me tren nëpër hekurudhën e posandërtuar Vranjë-Shkup për në Selanik dhe  kështu e përshkroi Karadakun:” Karadaku është mal i dendur dhe nëse shikohet nga hekurudha duket shumë i gjallë dhe i bujshëm.

Rruga Preshevë-Gjilan u asfaltua në vitin 1979, në gjatësi prej 30 km. Kjo rrugë i lidh shumicën e katundeve të Karadakut të Preshevës dhe ndikoi shumë në zvogëlimin e shpërnguljes së popullatës të Karadakut.

Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës me seli në Preshevë, më vitin 2012/2013 realizoi projektin: „Trashëgimia joë, puna jonë“, në evidentimin, regjistrimin, fotografimin, filmimin dhe krijimin e dokumentacionit për 335 vlera të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të komunës së Preshevës, ndërsa në Karadak evidentoi 89 vlera dhe me këtë rast erdhëm në përfundim se Malësia-Karadaku i Preshevës ka kushte të volitshme për zhvillimin e turizmit malor, me vlera të shumta të trashëgimisë arkeologjike, ndërtimore, fetare, natyrore.

Në kilometrin e 6-të udhës rajonale Preshevë-Gjilan, në të majtë gjendet një kompleks I tëtrë I pikave të trashëgimisë natyrore dhe arkeologjike, të cilat janë joshëse për pushime dhe  mund të shfrytëzohen  për pushime dhe për turizmin malor. Kështu në lartësinë mbidetare prej  847   m gjendet parku natyror “Livadhi I Shehut” në të cilin, më herët, qytetarët e komunës së Preshevës, por edhe vizitorë të tjerë e shfrytëzonin për pikniqe në fund të javës, për pushime një ditore familjare, ku familjet preshevare argëtoheshin, luanin fëmijët dhe gatuanin flija e gatime të tjera vendase, sepse terreni I rrafshët I livadhit ia mundësonte këtë dedikim të pushimit, rekreacion dhe ka ajër të pastër e  ujë të pijshëm.

Livadhi i Shehut të Preshevës, kohëve të fundit është dëmtuar shumë, sidomos me vendosjen e kazermës ushtarake, sepse më banorët e Preshevës nuk marrin guzimin për të dalë te Livadhi si më parë, gjatë fundjavës mbushej Livadhi me vizitore dhe pushues.

Udha në jug të Livadhit lidh një rrafshënaltë, të cilën banorët e Preshevës e quajnë Çadrat e Sulltan Muratit, e cila mundëson pushim dhe vizitë të vendasve e vizitorëve, por edhe turistëve të huaj, për ta parë rrafshënaltën: “Çadrat e Sulltan Muratit”, në të cilën pushoi ushtria e Sulltan Muratit, pas Betejës së Maricës, më 1371, për tu relaksuar, për Betejën e Kosovës.Pra, kjo pikë e trashëgimisë mundëson turizmin historik në Karadak.Vetem duhet vuar një tabelë informimi, në korridorin 10, në autoudhën Shkup-Preshevë-Beograd, për turistët turqë e tjerë.Për këtë shkruajnë  Haxhi-Vasileviqi, Albanologu gjerman Hani, Novakoviqi,  e tjerë.

Pastaj, duke shkuar në jug të këtij kompleksi natyror-arkeologjik, gjithë natyrë e bukur, joshëse për syrin e vizitorit, me ujë të pijshëm, me ajër të shëndetshëm, ku frymon çlirshëm njeriu.

Në jug të këtij kompleksi gjendet , poashtu Livadhi I Valës, me plotë gjelbrim, natyrë të bukur, ujë të pijshëm, ajër të shëndetshëm, por edhe vend për terrene sportive për lojë dhe çlodhje.

Livadhi i Valës gjendet në vendin e quajtur Valë. E quajnë edhe Livadhi i Selver Ramadanit, përshkak të pronës së tij: aty janë arat e tij, livadhi dhe ka ujë të bollshëm, natyrë me ajër shumtë të shëndetshëm.

Livadhi i Valës mund të shfrytëzohet për pushime, pikniqe dhe qendër rekreative-sportive-kulturore.

Para viteve të 60-ta, Spitali I Shkupit, përshkak të ajrit të shëndetshëm dhe të pastër, nga komuna e Preshevës e kishte kërkuar vendin e cekur, këtë kompleks për të ndërtuan Sanatorium , për shërimin e mushkërive dhe frymëmarrjeve, pra zhvillimin e turizmit shëndetsor. Mirëpo, pasi Presheva gjendej në Republikën e Serbisë, nuk iu lejua kërkesa e Spitalit të Shkupit.

Po në këtë kompleks gjendet vendbanimi i vjetër Vala, i cili nuk ekziston më, është vendbanim i zhdukur dhe përmendet vetëm si emërtim toponimie.Pra, këtu mundësohet zhvillimi i turizmit historik.Ai gjendet me lartësi mbidetare 833 m.

Në fund të këtij kompleksi gjendet Kalaja e Preshevës, e cila daton nga shekulli IV para erës sonë, e rindërtuar nga Perandoria osmane dhe Serbët pas vitit 1912. Kalaja me murin,  pusin dhe me hapësirën e saj impozante jep motiv çdo vizitori vendor dhe të huaj ta shijoj madhështinë e Kalasë ilire-dardane-shqiptare.

“ Kështjella është themeluar në parahistori nga populli vendor-ilirët, përkatësisht fisi ilir-dardanët, para më shumë se 2.ooo vjet. Është rindërtuar në antikitet dhe mesjetë. Kjo kështjellë është dëshmitare e historisë së gjatë dhe të vrullshme të vendbanimit të Preshevës” shkruan Dr. Jahi Staneci.

Kalaja e Preshevës gjendet në lartësinë mbidetare 743 m.

Udha e asfaltuar Preshevë-Gjilan jep mundësinë e afrimit të vizitorëve deri në kompleksin natyror-arkeologjik: Livadhi i Shehut, rrafshënalta Çadrat e Sulltan Muratit, Livadhi i Valës, vendbanimi i vjetër Valë dhe Kalaja, por udha për në të gjitha këto pika të trashëgimisë kulturore dhe natyrore duhet hapur, shtruar , asfalltuar dhe elektrifikuar që nga kjo udhë rajonale deri në Kalanë e Preshevës.

Duke udhëtuar në udhën Preshevë-Gjilan, për në Republikën e Kosovës, në kilometrin e 8-të të udhës, nëtë djathtë gjendet katundi Ilincë I Karadakut.Udha e shtruar deri në katund të jep mundësinë e arritjes deri aty, mirëpo për të arritur deri te Shpella e Ilincës, object I trashëgimisë natyrore,  duhet udhëtuar në jug të katundit, në një rrugë të pa rregulluar dhe të pa asfalltuar, e cila ia pamundëson qasjen e dashamirëve dhe vizitorëve vendor e të jashtëm bukuritë e kësaj shpelle. E gjithë natyra për rreth Shpellës së Ilincës është e bukur, sidomos verës me gjelbrim, me ujra të shumtë, natyrë të bukur dhe ajër të pastër e të freskët. Sidomos joshëse është brendia e Shpellës.

Shpella e Ilincës është në mbrojtje ligjore, por nuk është hulumtuar, përshkak edhe e rritë kërshërinë e vizitorëve, sidomos kërshërinë e turistëve speleologë. Pra, në të ardhmenë ka nevojë që komuna e Preshevë ta bëjë rregullimin e rrugës dhë ndriçimin e saj deri te Shpella e Ilincës.Shpella e Ilincës gjendet në  lartësinë mbidetare 733 m.
Duke vazhduar udhën drejt Gjilanit,në kilometrin e 10,  nëpër zigzaket dhe kthesat e kësaj udhe rajonale arrijmë në kompleksin edukativo-arsimor, sportiv, rekreativ e pushimor, në kompleksin e shkollës fillore “Migjeni” në Caravajkë, shkollë, e cila përfshinë të gjithë fëmijët e vendbanimeve të Karadakut.

Të themi se për rreth këtij kompleksi gjenden edhe vende e pika të trashëgimisë kulturore:

gërmadhat e Mullirit , Hanit  dhe Çezma e Idriz Seferit, në të djathtë të kësaj udhe.

Kompleksi I përmendur jep mundësi për pushime verore, për rekreacion, për lojëra sportive, për takime të vendlindjes, për takime letrare e kulturore, sepse në lokalet e shkollës fillore mund të adaptohen edhe dhoma fjetjeje. Kuptohet se natyra është e bukur, me freski të ajrit, ujë të pijshëm dhe ajër të shëndetshëm.Poashtu në afërsi të kompleksit gjendet pellgu I lumit Llapushnicë, I cili kalon nëpër “Urat” e udhës Preshevë-Gjilan, dikund te Maxherja bashkohet me Moravën e Binçit dhe kështu sëbashku derdhen në Moravicë si dhe vendbanimi I vjetër, Llapushnica, në të djathtë të këtij lumi.

Shpella e Arushës ndodhet rrëzë malit Ostrovicë, në juglindje.Së pari, Shpellën e Arushës e zbuloi studiuesi Dr. Jahi Murati, për të cilën ai thotë se shpella nuk është hulumtuar dhe se është shumë e gjatë. Shpella ka dhoma dhe korridore, në brendi është përplot me stalaktite dhe stalagmite. Pra, po qese ndërtohet dhe elektrifikohet udha deri te shpella, atëherë mundëson zhvillimin e turizmit speleologjik dhe ate malor.Me bukurinë e saj në brendi shpreh kërshërinë e vizitorëve vendor e të huaj. Shpella e Arushës gjendet në lartësinë mbidetare 764 m.

Oda e Can Seferit, kompleksi I shtëpive të familjes së Can Seferit jep mundësi bujarije shqiptare dhe pushimi.Në Odën e Can Seferit , mysafirët vendor apo të huaj gostiten me kafe dhe me ujë të freskët mali të Seferëve. Edhe këtu hasëm në mikpritje shqiptare : bukë, e kripë e zemër.

Familja e Can Seferit-Kosumit jeton në Gjilan, por punët e bujqësisë dhe blegtorisë i kryejnë në katund.

Oda gjendet në lartësinë mbidetare 887 m.

Kulla e Madhe e Sejdiajve në Stanec, shumë e vjetër, e ndërtuar para 150-200 vjetëve, e mbajtur shumë mirë dhe e renovuar nga familja Sejdiu, i qëndroi motit dhe kohërave të furishme,  me krenari qëndron edhe sot.  Ajo gjendet në lartësinë mbidetare 823 m.

Kalaja e Stanecit, Kisha katolike në Gosponicë, Caravajkë,Udha e Nemcit, Mullinjtë, Çezmet, kullosat, shtëpitë e vjetra në Mëhallën e Myrtajve në Ranatoc, në Karadakun e Preshevës, të cilat janë përplotë me vjetërsina:kosha,hambarë, maxhe të miellit, sofra, e tjerë  japin mundësi të zhvillimit të turizmit malor dhe janë joshëse për pushime, rekreacion e vizita.

Pastaj Karadaku I Preshevës është I pasur me vorbulla karstike: “Lugjet” plot gjelbrim në Ilincë, vorbulla karstike “Hardhuçi” në Caravajkë e të tjera që mund të zgjojnë kërshërinë dhejanë joshëse për vizitorë vendor, por edhe të huaj, me formën e tyre dhe bukuritë.

 

Karadaku I Preshevës pati një histori të pasur gjatë historisë së saj, kështu në Kardak janë ndërtuar përmendore dëshmorëve të luftërave të ndryshme që zgjojnë interesin e vizitorëve vendor dhe atyre të huaj, sikur që është Përmendorja te Isaukaj të Caravajkës, kushtuar popullatës të djegur nga njësitet partizane gjatë LDB, përmendorja e Nijazi Azemit nga Vitia e tjerë.Këto dhe përmendoret të tjera japin mundësinë e zhvillimit të turizmit historik.

Poashtu, majet e larta të Malit të Karadakut: Ostrovica, me lartësi prej 1.168 m, Maja e Madhe mbi Preshevë, me lartësi prej 1.034 m dhe Kodra e Peçenës, me lartësi prej 977 m,japin bukurinë që tërheq edhe malorët dhe vizitorët vendor, por edhe të huaj e që mundëson zhvillimin e turizmit gjeografik.

Në kilometrin e 11, të udhës rajonale Preshevë-Gjilan, në të majtë gjendet Vila Ada. Ajo me restorantin, në pronësi të Skender Selimit Musahut nga Presheva, ka kushte të mira për ta pranuar dhe gostitur vizitorin e pushimeve verore dhe të turizmit malor në Karadakun e Preshevës.

Ajo, poashtu ka dhoma fjetjeje për pushuesit vendor dhe të huaj

Në Karadakun e Preshevës rriten pyjet gjethrënëse : ahu, bungu, qarri, shkoza, krekëza.

Në Karadakun e Preshevës jetojnë këta shpezë dhe shtazë: thëllënza e egër, pula e egër, kaprrolli, lepuri, ujku, dhelpëra, derri i egër që mundësojnë gjuetinë në Karadak.

Edhe sporti i gjuetisë mund të aplikohet këtu për vendasit dhe për turistët, sepse gjuetia në këto zona të Karadakut të Preshevës është shumë e përshtatshme.

Ushqimi që shërbehet është ai tradicional i zonës dhe të gjitha ushqimet janë bio.
Korridori 10, autoudha, udha rajonale M25 Preshevë-Gjilan, e cila thuajse e përshkon gjithë Karadakun i japin mundësi të mëdha këtij rajoni zhvillimin e turizmit malor dhe bukuritë që e përshkojnë Karadakun e Preshevës janë joshëse për pushime, rekreacion, pikniqe.
Referencat

 

1.Dr. Jahi Staneci, Presheva në fotografi dhe fjalë(Monografi), Prishtinë, 2010

2.Dr. Jahi M. Staneci, Si iu shkëput Karadaku Kosovës?, Bujku, 22 prill 1996, f. 7

3..Jahi Murati, Savremene socijalne-geografske i ekonomske karakteristike presevske komune, Vranjski glasnik, knj. XI, Vranje, 1975, f. 377-431
4.Demush&Metush berisha, Karadaku i Preshevës mburrje dhe krenari, Prishtinë, 2010

5.Jovan F. Trifunoski, Kumanovsko-Presevska Crna Gora, Beograd,1951

6.Radovan Rsumovic, Presevska potolina, Vranjski glasnik, knj V, Vranje, 1969

7.Spiridon Gopcevic, Stara Srbija i Makedonija(Putovanje po Staroj srbiji)Beograd, 1890

8.Mehmet Jusufi, Vështrim gjeografik i Preshevës me rrethinë, “Përparimi”, nr.7-8, Prishtinë, 1965

9.Aleksandar Stojanovski, Vranjski kadiluk u XVI veku, Vranje 1985

10.Jova Hadzivasilevic, Juzna Stara Srbija, Presevska oblast, knj. II, Beograd, 1913
11.J.G.v. Hahn, Reise Belgrad nach Salonik, Ëien, 1868
12.Benedikt Kuripesic, Putopis kroz Bosnu, Srbiju, Bugarsku i Rumeliju 1530, Sarajevo, 1950

 

Prishtinë, më 11 maj 2017

 

No comments yet... Be the first to leave a reply!

Leave a Reply

You must be logged in to post a comment.

© 2017 KosovaLindore – Portal Informativ · RSS · Designed by Kosovalindore · Powered by wordpress