Home » Kulturë » TRASHËGIMIA KULTURORE DHE NATYRORE NË PRESHEVË

TRASHËGIMIA KULTURORE DHE NATYRORE NË PRESHEVË

Komuna e Preshevës zenë vendin qendror në Luginë të Preshevës, e cila shtrihet përgjatë lumit Moravicë.

Nëpër Preshevë kalojnë : Autoudha  dhe Hekurudha Beograd-Selanik

Lugina e Moravës dhe ajo e Vardarit, kryesisht ishin të banuara nga fisi Iliro- Dardan, pra Presheva shtrihej në pjesën qendrore të Mbretërisë Dardane. Këtë e dëshmojnë të dhënat arkeologjike, antropologjike, kulturo-historike, gjuhësore, etnologjike, e të tjera.

Pra, në këtë pjesë të Ballkanit, në Luginën e Preshevës, edhepse u gërshetuan shumë lëvizje  dhe kultura, popullata vendase autoktone shqiptare arrti ta ruajë materialin arkeologjik, i cili vërteton autoktoninë e saj shumë shekullore dhe vjetërsinë e saj.

Gjeturinat arkeologjike, lokalitetet, objektet dhe vlerat arkeologjike në Preshevë janë të hershme, të kohës parahistorike, të kohës antike, të mesjetës, por edhe më vonë.

 

Gjendja e tanishme e Trashëgimisë

 

Presheva, gjatë historisë së saj të bujshme dhe të pasur pati periudha të ndryshme të progresit kulturor. Andaj edhe trashëgimia e saj është e pasur dhe e bollshme nëpër periudha të ndryshme kohore. Në Preshevë, trashëgimia na ka mbetur,  si nga periudha parahistorike, ashtu edhe nga periudha e kohës së vjetër, nga periudha e kohës së mesjetës dhe nga periudha e kohës së re. Secila prej këtyre periudhave në vete ka pasuri të bollshme të trashëgimisë kulturore. Asnjë prej këtyre periudhave, gjegjësisht trashëgimia e tyre kulturore dhe natyrore nuk është hulumtuar, studjuar, identifikuar, regjistruar, ruajtur dhe mbrojtur sa duhet. Kështu, sot kemi shumë lokaliteti, objekte dhe vlera e pasuri të trashëgimisë kulturore, sidomos asaj shqiptare të rrezikuar, të prishur, të huazuar, aspak të ruajtura, aspak të mbrojtura dhe aspak të përkujdesura nga shtetit.Pra, gjendja edhe pozita e trashëgimisë kulturore dhe asaj natyrore në komunën e Preshevës është e vështirë me tendencë të shkatërrimit total të saj. Kështu u prish Hamami i Vjetër i Preshevës, për tu ndërtuar një ndërtesë moderne, disa katëshe në Preshevë. Pastaj përmbi qytetin e Preshëvës së Vjetër dhe Varrezave të Vjetra të Preshevës u ndërtuan shtëpi private. Livadhi i Shehut, një park natyror për pushime, rekreacione dhe pikniqe u dëmtua shumë dhe aty u përqëndrua një kazermë ushtarake.

Shpella e Ilincës, Vrella e Ilincës, Shpella e Arushës, Guri i Shpuem, Kalaja e Preshevës, etj. janë lanë në mëshirën e natyrës, por edhe prishjes nga dora e njeriut.

 

Hulumtime arkeologjike në Preshevë

 

Hulumtime arkeologjike në komunën e Preshevës kanë ndodhur spontanisht nga individë entuziastë, vullnetarë si psh: Dr. Jahi Staneci, Sabedin Hetemi e ndonjë tjetër.

Hulumtime arkeologjike grupore në Preshevë kanë ndodhur më vitin 1966, 1967,1968 dhe në vitet 1977/78.Të gjitha këto hulumtime kishin të bëjnë me rekognoscim, ndërsa gërmime të vogla të pjesëshme sondazhi kanë ndodhur  në Kështjellën e Bushtranit, më 1977 dhe në Kacipup të Rahovicës, më 1977/78, nga arkeologë serbë të Muzeut Popullor të Vranjës, me ndonjë angazhim të arkeologëve maqedonë nga Shkupi. Pra, kanë munguar kuadrotë shqiptare në këto ekspedita

Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë ka realizuar një projekt : “Trashëgimia jonë, puna e jonë, na e njohim Trashëgiminë tonë, thesarin tonë”, me të cilin është bërë evidentimi, digjitalizimi dhe është krijuar një bazë e të dhënave për trashëgiminë kulturore e natyrore. Me këtë projekt janë regjistruar 382 vlera të trashëgimisë kulturore e natyrore në komunën e Preshevës, ndërsa Enti për mbrojtjen e Monumenteve kulturore në Nish ka regjistruar dhe mbrojtur me ligj vetëm 136 vlera të trashëgimisë në Preshevë.

 

A.Lokalitete arkeologjike

 

Kacipupi në Rahovicë, Oppidumi Dardan është lokalitet parahistorik, gjendet në pjesën perëndimore të Rahovicës. Kacipupi është vendbanim i fortifikuar dardan dhe zhvillohet nga shekulli VII deri në shek. II e I para erës së re. Janë gjetur fragmente të keramikës Imbars dhe Pitose të vogla.

 

 Kacipupi në Rahovicë

 

Kalaja e Bushtranit daton nga fund i shek.VIII dhe në fillim të shek.VII dhe duke u mbështetur në gërmimet që janë bërë  në Kala ka pasur jetë edhe në kohërat më të hershme, në atë të Neolitit, gjatë viteve 231-200. p.e.s.

Kalaja e Bushtranit

 

Bostanishta në Zhunicë është një qytet i zhdukur, i cili ishte qendër e rëndësishme ekonomike dhe kulturore gjatë shek. VI-IV të para erës sonë. Ai shtrihej në veri-jug të autoudhës Nish-Shkup.

Në Bostanishtë u gjet një banjë termo-publike dhe ujësjellësi. Këtu u gjetën edhe gypa qeramike që sollën ujin për ujësjellës në këtë lokalitet.

Bostanishta në Zhunicë

Lokaliteti Përzhar gjendet në perëndim të Preshevës, në të majtë të udhës Preshevë-Gjilan. Këtu janë gjetur Varreza të Vjetra, që i përkasin shek.I para Krishtit. Pozita e varreve ishte në drejtin lindje-perëndim, që vërteton origjinën dardane të varrezave.

Në lokalitet janë gjetur qeramike, e cila shërbente si shtrojë dhe mbulojë e varreve.

Përzhari në Preshevë

 

Kalaja e Preshevës daton nga koha iliro-romake dhe është ndërtuar aty kah shek.VI ose VII.

Dr Jahi Staneci shkruan : “ Kështjella legjendare dhe rrënojat e vendbanimit të zhvilluar antik, të cilat gjenden në skajin perëndimor të Preshevës, rrëzë kodrinës së kështjellës janë sinonime të lashtësisë dhe civilizimit antik të këtij qyteti. Ky vendbanim antik tashmë ka zbritur në fushë, është zgjëruar…

Kalaja e Preshevës

 

 

Qyteti i Vjetër i Preshevës gjendet rrëzë Kalasë  së Preshevës, në kohën antike datonte si venbanim. Këtu janë gjetur maja të shigjetave, gjylpëra, sopata e te tjera si dhe monedha të kohës antike e bizantine sidomos të kohës së Justinianit e që ato ruhen në Muzeun e Vranjës.

 

B. Objekte sakrale: kisha, xhami, teqe, tyrbe,

 

Gërmadhat e Kishës Katolike në Raincë gjenden përskaj Autoudhës Nish-Preshevë-Shkup. Për këtë kishë flasin themelet, tullat dhe tjegullat të formatit romak, të gjetura në këtë vend.

Gërmadhat e Kishës katolike në Raincë

 

Vorret e Moçme në Zhunicë gjenden në lindje të fshatit, në arat e punuara. Këtu u gjetën gurë dhe tulla të varrezave të vjetra, të kohës antike të vonshme, por të mbuluara me pllaka të mëdha prej guri

Guri i Shpuem gjendet në jug perëndim të qytetit të Preshevës. Ai ishte objekt kulti, në realitet kishë gjysmë e futur në tokë shkëmbore, me zgavër në mes, në brendinë e të cilës hasen  freska.

Guri i Shpuem në Preshevë

 

Xhamia e Ibrahim Pashës në Preshevë është objekti i parë i fesë islame në Preshevë. Atik Xhamia apo Xhamia e Ibrahim Pashës e ndërtuar më 1678, kurse e rindërtuar më 1804

Xhamija e Vjetër në Preshevë

 

Teqja e Preshevës afër Xhamisë së Vjetër u ndërtua në mes viteve 1698-1700. E ndërtuan Shehët e Preshevës. Atëherë ishte e rrethuar me muri të lartë, ka pasur Hanin për udhëtarë, kuzhinën dhe ahurin e kafshëve të karavaneve. Këtu u ndërtua Tyrbja, e cila edhe sot ekziston në kompleksin e kësaj Teqeje. Teqja i perkët sektës “Halveti”

 

 

C.Objekte të banimit: shtëpi, shtëpi kulla, oda

 

Në Preshevë: Shtëpia e Familjes Esadi në qendër dhe ndërtesa e komunës së Preshevës janë objekte ndërtimore-arkitekture qytetare, fundi i shek.XIX dhe fillimi i shek XX

Kulla e Sejdiajve shumë e Vjetër, e ndërtuar para 150-200 vjetëve.

Oda e Can /Hasan/ Seferit, daja i Idriz Seferit.

Shtëpia e Esad Agës në Preshevë

 

Në  Preshevës hasim edhe në ndërtesa ndihmëse: ahuri, plemja, hambari, koshi, koteci, mbistreha, kolibja e qenit, kuzhina verore e tjerë.

 

D.Objekte publike: Hane, çajtore, mullinjë, çezme

 

Hanet më të njohura në kohën e Turqisë ishin: Hani i Rexhep-Agës  në Çukarkë të Preshevës, Hani në Kompleksin e  Teqës së Preshevës, Hani i Qorvelisë dhe Hani i Rrahmonëve në Preshevë.

Çajtoret e vjetra më të njohura ishin : Çajtorja e Xhavit Azizit-Qorrit dhe dhe ajo e Ymer Efendisë.

Mullinjtë e vjetër të Preshevës datojnë shumë herët, janë të shumtë në numër, por neve po i cekim disa: Mulliri i Rashëve në Preshevë, Mulliri i Ramadan Kadriut të Haxhiajve në Rahovicë dhe Mulliri i Ismail Gaxhajve në Tërrnavë.

Mulliri i Rashëve në Preshevë

 

Presheva është e njohur dhe e dëgjuar për nga burimet dhe çezmat e shumta publike, por po i cekim më të njohurat: Çezma e Madhe në Mëhallën e Kuklarëve, Çezma e Mëhallës së Alimetëve, Çezma e Krroit të Keq në Preshevë dhe Çezma e Idriz Seferit në Caravajkë.

E. Përmendoret, bustet, lapidari, pllaka përkujtimore

Më e njohuri është Lapidari I Dëshmorëve të Luftës së UÇPMB-së, në qendër të qytetit, të cilin e hoqën forcat policore serbe para një kohe, busti i Abdullah Krashnicës në qendër të qytettit e tjerë.

 

Vlerat e trashëgimisë natyrore në Luginën e Preshevës
Në Luginën e Preshevës, ekzistojnë disa objekte natyrore të cilat dallohen me vlera të posaçme, si: Shpella e Ilincës, Shpella e Arushës, Burimi Bajka, Kërrusja e Preshevës, Lisi te Tërllat e të tjerë.

Lisi në Rahovicë

 

 

REFERENCAT

 

1.Xhemaledin Salihu, Kultura shqiptare në Preshevë 1945-1995, Preshevë, 1999

/Punimi i dr. Jahi Stanecit/.

2.Dr Jahi Staneci, Presheva në fotografi dhe fjalë(monografi), Prishtinë,2010

3. Burbuqe A. Agushi, Presheva me rrethinë në zhvillimin arkitektonik urbanistik, Prishtinë, 2009

4. Sami Agushi, Çka fshihet nga e kaluara historike në Luginën e Preshevës? presheva.com, 08/09/2011/

5. Dr.sci Naser Kamberi, Gjetjet arkeologjike në lokalitetin Bostanishtë, Bunishtë të Zhunicës dhe nekropolet e lokalitetit Përshk /Përzharë/dokumentojnë antropogjenezën dardane, Gjimnazisti, Preshevë, 2010, nr.2.

6.Aleksandar Stojanovski, Vranjski Kadiluk u XVI veku, Vranje, 1985

7.Milan Jovanovic, Arheoloska istrazivanja u 1966. i 1967. godini, Vranjski glasnik, knj. III, Vranje, 1967

8. I njëjti, Arheoloska istrazivanja u 1968.godini, Vranjski glasnik,knj. IV, Vranje, 1968

9.Mihajlo Kostic, Presevska kotlina, Drustveno-geografska studija, Vranjski glasnik, knj.V, Vranje, 1969

10.Jovan Hadzi-Vasiljevic, Juzna Stara srbija, Presevska oblast, knjiga druga, Beograd, 1913

11.Mirjana Vukmanovic i Petar Popovic, Sondazna istrazivanja gradinskih naselja na podrucju Vranjsko-Presevske kotline,Godisnjak, knj.XX, Centar za Balkanoloska ispitivanja ANU BiH, Sarajevo, 1992

12.Jovan F. Trifunoski, Kumanovsko-Presevska Crna Gora, Beograd, 1951

13.I njëjti, Moravica, istocno-presevski sela, Godisen zbornik, knj. 1, Filozofski Fakultet na Univerzitetot-Skopje, Skopje, 1948

14. Prof Dr. Kristo Frashëri në “Përhapja e Islamizmit te Shqiptarët” në gazetën Fakti, më 11 shtator 2006, Shkup.

15. Franjo Raçki, Bogomil i Patareni, posebna izdanja srpske kraljevske akademije, knjiga LXXXVI, Beograd, 1931

16. Nexhat Ibrahimi, Natyra, manifestimet, problemet dhe perspektiva e zgjimit islam në Ballkan, Zëriislam.com, 2009.

17. Nexhat Ibrahimi, Islami në Ballkan para shekullit XV, bot. II, Prizren, 2000

18.Nexhat Ibrahimi, Islami dhe myslimanët në tokat shqiptare dhe në Ballkanin mesjetar, Shkup, 2003

19. Thomas Ë Arnold, Historia e përhapjes së Islamit, Prishtinë, 2004

20.Bashkësia Islame e Kosovës. 2002, ëëë. Islamgjakova.net, 23 shkurt 2010

21.Qerim Lita : Shaban Efendia, atdhetar i devotshëm, Kumanovë, 2010.

22..S.Bajgora, R. Shkodra, KBI në Preshevë, revista “Dituria Islame”, nr. 216-217

23.Grup autorësh, Arsimi fillor shqip në komunën e Preshevës : 1945-1995, Preshevë, 2001

24.. Dr. Skender Rizaj, Kaza Preseova 1896/7. godine, Vranjski glasnik, knj.IV, Vranje, 1968

25. Lista e Xhamive të komunës së Preshevësdhe vitet e ndërtimeve të tyre përkatëse e Bashkësisë komunale Islame e Preshevës, të datës 24 nëntor 1998.

26. Lista e Xhamive e Këshillit të Bashkësisë Islame, të datës 28 mars 2012.

21.Rexhep Selimi, Presheva gjatë fazës së parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare(1839-1881), “Zgjimi”, nr.16, Preshevë, 1998.

22.Xhevabi Hoxha, Generalni plan Preseva, mreza naselja i izgradjenost prostora, Pristina, 1998

23. Dr. Jahi Staneci, Xhamia e Vjetër e Preshevës (Monografi), Prishtinë, 2011.

25. Behluli, Demir, Arabeska origjinale në xhami të Kosovës Lindore(1984-1994)(Monografi), Gjilan, “Dituria Islame”, 1995

28. Akti nr.908, të datës 27.08.2009 i Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore nëNish

32. Bisedë me Jahja Ahmedin, sekretar i KBI në Preshevë, më 23,26,27,30 mars 2012

 

 

/Kumtesë e lexuar në Konferencën shkencore të mbajtur më 20 e 21 nëntor 2013 në Prishtinë/

 

 

 

 

Prishtinë, më 20 nëntor 2013                                             Xhemaledin Salihu

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch