Home » Lajme, Opinione » Tre prioritete imediate të komunës së Preshevës

Tre prioritete imediate të komunës së Preshevës

Shkruan: Nehat Hyseni

Ndryshimet në mazhorancën qeverisëse të komunës së Preshevës, të miratuara në mbledhjen e 10 marsit 2017, të shkaktuara nga prishja e kolacionit APN-PVD, si pasojë e keqqeverisjes abuzive të ishkryetarit Shqiprim Arifi, duhet të shënojnë kthesë edhe në prioritetet zhvillimore.

Megalomania mashtruese e fryerjes artificiale, mbi 50% të buxhetit komunal për vitin 2017, nga burime fiktive dhe joreale, duhet korrigjuar me rebalancin buxhetor, që duhet të ndodhë së shpejti.

Me këtë rast duhet rishikuar edhe prioritetet zhvillimore, kuptohet, brenda mundësive  dhe kornizave ligjore, që determinojnë këtë korrigjim.

Puna e parë që duhet bërë, gjithësesi është heqja e “shkumës”, apo fryerjes artificiale të buxhetit komunal 2017, që bazohej në parimin “peshku në deti e fërterja në zjarr”, duke i përllogaritur dhe përfshirë në buxhetin komunal edhe mundësitë e konkurimit të drejtpërdrejtë të institucioneve e ndërmarrjeve në donacione e fonde të ndryshme vendore e ndërkombëtare.

Qytetarët e komunës së Preshevës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre partiake, politike e ideologjike, konsiderojnë pothuajse njëzëri se janë së paku tre prioritete imediate, që nuk janë përfshirë fare, ose në rastin më të mirë, nuk janë trajtuar konform rëndësisë që realisht paraqesin:

  1. Zgjidhja e çështjes së ujit të pijshëm të qytetit dhe fshatrave,
  2. Rregullimi i Qendrës së qytetit, dhe
  3. Zhvendosja e lokacionit të Zonës Industriale nga Çukarka në “Zonën C” “, në kufirin shtetëror Serbi-Maqedoni.

 

1)Çështja e ujit të pijshëm për qytetin dhe për shumicën e fshatrave të komunës së Preshevës paraqet problem mbi të gjitha problemet tjera, që me dekada i mundon qytetarët e kësaj komune.

Ujësjellsi i parë i qytetit u projektua dhe u realizua nga tekniku i ndërtimtarisë Qenan Shaipi, 18 vjeçar, i cili sapo ishte punësuar në administratën komunale në vitin 1966, si dhe Plani i parë Urbanistik i qytetit.

Por, gjatë kohës u rrit qyteti dhe u shtua numri i shfrytëzuesve dhe u paraqit nevoja e kërkimit të burimeve shtesë të ujit të pijshëm.

Prandaj, gjatë kohës kur Abedin Selimi ishte kryetar, komuna hartoi dhe miratoi një Projekt për furnizimin me ujë të pijshëm në vitin 1979, me të cilin ishin paraparë të përfshihen këto venbanime: fshati Miratoc, Tërnava, Norça dhe qyteti i Preshevës.

Burim i furnizimit ishte paraparë lumi “Bajka” i Miratocit, që vlerësohej se kishte kapacitetin reth 30 litra/sek., që do të mjaftonte për zgjidhjen e çështjes së ujit të pijshëm për vendbanimet e përmendura.

Me këtë Projekt ishte paraparë edhe ndërtimi i rezervoarit mbi fshatin Miratoc, që do të siguronte rënie të lirë për të gjithë shfrytëzuesit e përmendur.

Pra, Projekti ishte bërë dhe mjetet ishin siguruar për realizimin e tij.

Mirëpo, ai nuk u realizua, sepse atëbotë ishte përhapur propaganda, siç flitej, nga qarqet e UDB-së së Serbisë, madje hoxha i fshatit kishte hypur në minare dhe kishte përhapur alarmin se kinse fshati do të mbetej pa ujë për ujitjen e arave dhe kopshteve të fahatit!

Kështu, i madh e i vogël nga ky fshat ishin ngritur në këmbë, me shetër, sakica, kosa e tërfuqë në duar, të gatshëm për të luftuar dhe i kishin pasë dalur  përpara ekipit në krye me kryetarin Abedin Selimi, duke i sharë, fyer e kërcniar dhe duke ua rrezikuar  jetën dhe duke i sulmuar edhe fizikisht.

Kështu përfundoi dhe dështoi kjo histori e hidhur dhe ky Projekt kapital, me rëndësi të jashtëzakonëshme për jetën dhe mirëqenien e qytetarve të këtyre vendnanimeve të komunës së Preshevës.

Fshati Miratoc, Tërnava dhe Norça edhe sot e kësaj dite kanë mbetur pa ujësjellës.

Pas kësaj historie të pakëndshme dhe këtij dështimi të hidhur, kreu komunal kishte vendosur, që me ato mjete ta realizoj Projektin e Ujësjellsit në fshatit Zhunicë, që është jorentabil dhe jashtëzakonisht i shtrenjtë për mirëmbajtje, meqë mbi 3 km uji shtyhet me pompa gjigante, që harxhojnë tepër shumë rrymë elektrike dhe kanë prishje të shpeshta dhe kosti tepër të lartë riparimi e mirëmbajtjeje.

Pra, ky ujësjellës ka kosto tepër të lartë eksploatimi dhe i shkakton vazhdimisht humbje të mëdha Ndërmarrjes komunale “Moravica”, e cila është përgjegjëse për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e tij.

Ndërkohë, nga viti 1992, komuna e udhëhequr nga kryetari Riza Halimi ka bërë edhe disa shpime të puseve në lokacionin “Toplik” dhe disa investime të tjera, të vogla në ujëmbledhje të ndryshme.

Por, megjithatë gjendja nuk është zgjidhur, vetëm paksa ishte zbutur.

Prej asaj kohe, komuna nuk ka investuar pothuajse fare për zgjidhjen e këtij problemi jetik të qytetarëve të Preshevës.

Ndërkaq, gjatë 12 vjetëve të qeverisjes së tij, Ragmi Mustafa për çështjen e ujit as nuk e ka lodhur mendjen dhe nuk është interesiar fare!

Kështu që ky problem gjatë viteve të fundit është ashpërsuar shumë dhe kërkon intervenim urgjent, meqë është bërë situatë që kërkon zgjidhje emergjente!

Hapja e disa puseve të reja dhe shfrytëzimi eventual i burimeve dhe krojeve rjedhëse në pjesën e malit të Norçës, do të siguronin 15-20 litra/sekond, që do e zgjidhte për disa vite mungesën e ujit dhe nuk do kërkonte investime të mëdha.

Sigurisht se me 50.000 euro, që lehtësisht do të siguroheshin me rebalans të buxhetit, do të kryhej kjo punë.

2)Çështja e rregullimit të Qendrës së qytetit, vërtetë është problem që ia vret syrin çdo qytetari të kësaj komune.

Rrënojat e shëmtuara dhe ngulfatja me bërdhog mu para Xhamisë, përballë ndërtesës së Kuvendit Komunal, si dhe shetitja e lirë e hordhive të qenëve endacak, realisht paraqesin rrezik të madh për jetën e qytetarëve, e sidomos të fëmijve, por dhe pleqëve gjatë vajtje-ardhjes në Xhaminë e Ibrahim Pashës, që është në qendër të qytetit.

Gjatë viteve 1995-1996, kryetari i atëhershëm i komunës, Riza Halimi ka pasur një angazhim në këtë drejtim dhe pati angazhuar ekspertë nga Prishtina për të gjetur zgjidhje.

Projekti ishte bërë gati, por asokohe problem dhe pengesë të madhe paraqiste zgjidhja e çështjes pronësore, meqë gjysma e truallit ishte pronë komunale, kurse gjysma tjetër ishte e 4-5 pronarëve, që realisht paraqiste problem të madh.

Mirëpo, meqë para pak kohësh ato troje-parcela i ka blerë një pronar i vetëm, tani është lehtësuar çështja e negocimit.

Ma merr mendja se, duke e njohur mirë këtë person, shumë shpejtë mund të gjëndet zgjidhja për ndërtim në partneritet publiko-privat.

Kjo zgjidhje nuk kërkon mjete shtesë dhe nuk implikon shpenzime nga buxheti komunal.

Problem të veçantë paraqet masakrimi i pamjes urbanistike e arkitekturore, si dhe funksionalitetit të qendrës, shadërvanit që është lënë në mënyrë të papërgjegjëshme nga punëkryesi, i papërfunduar dhe pa u vënë në funksion, e që do të duhej intervenuar urgjentisht me mjete nga komuna, për ta furnizuar me ujë dhe për ta vënë në funksion me stabilimente të nevojëshme për ta aktivizuar në këto ditë pranvere dhe që të freskohet e zbukurohet ambienti për muajin e Ramazanit dhe gjatë muajve të nxehta verore.

Gjithashtu duhet intervenuar edhe në rrugën nga Qendra e deri tek Pazari, meqë qeverisja e Ragmi Mustafës, edhepse shpenzoi mbi gjysëm milioni euro, që realisht nga ekspertët u vlerësua se nuk ka mundur të kushtoj më shumë se 200-220 mijë euro, e la paturpësisht në gjendje të shëmtuar e jofunksionale!

Këtu, pra kemi dyshime të bazuara për korrupsion të madh dhe për abuzim e vjedhje të parasë publike dhe masakrim të pamjes dhe funksionalitetit të “zemrës” së qytetit.

Gjatë vitit 2005-2006, në kuadër të Grupit EEE të CHF-it (USAID) amerikan, koordinator i të cilit isha unë (2002-2008), ne në atë kohë investuam 50.000 dollarë amerikanë për projektimin e rregullimit të hapsirës nga Qendra e deri tek Pazari dhe për këtë ishte i interesuar një Agjenci Amerikane nga Njujorku, e që kishte rregulluar qendrën e qytetit të Drezdenit në Gjermani dhe shumë projekte të tjera të suksesëshme gjithandej në Europë dhe në qendra të tjera metropolitane në botë.

Kjo Agjenci Amerikane katêr herë pati ardhur në Preshevë dhe së bashku me Grupin EEE dhe me stafin e zyrës së CHF-së, kishim dalur në vend të ngjarjes dhe së bashku me qytetarët banues në këtë rrugë, jepnim informacionet që i kërkonte ky Agjencion, si dhe i bënë matjet dhe inçizimet e nevojëshme.

Gjithashtu, me angazhimin e Arian Shabanit, anëtar i stafit të zyrës së CHF-së, u mbajtën edhe diskutime publike ne qytetarët e kësaj zone të qytetit dhe u dhanë shumë ide e propozime interesante, madje në formë të shkruar, me vizatime e projekte të ndryshme.

Por, e gjithë kjo punë u stopua dhe ky mund e angazhim i yni  ra në ujë me rrëzimin e kryetarit të atëhershëm Riza Halimit dhe me ardhjen e Ragmi Mustafës në krye të komunës së Preshevës.

3)Zona Industriale duhet zhvendosur urgjentisht nga fshati Çukarkë, atje ku është përcaktuar me Planin Zhvillimor të Komunës së Preshevës për periudhën 2005-2015, të financuar nga CHF dhe të hartuar nga IMS nga Beogradi, në krye me Drejtoreshën dhe eksperten d mirënjohur, Prof.Dr. Edita Kastratoviq, me të cilën, së bashku me stafin e zyres dhe kryetarin Halimi, disa herë e kemi vizituar “Zonën C” në kufi dhe e kemi ecur në këmbë, tej për tej dhe e kemi analizuar e studiuar deri në detaje atë terren, ku madje planifikonim edhe vendosjen edhe të Zonës së Lirë Doganore, për të cilën ishte e angazhuar maksimalisht edhe zonja e nderuar Edita Kastratoviq dhe kishim edhe miratimin edhe të drejtorit të zyres së CHF-ës në Beograd, z. Brayan Holst.

Gjithashtu kishim siguruar edhe mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave në Beograd, me vizitën e tre anëtarëve të grupit: unë si koordinator dhe dy anëtarë të Grupit EEE, z. Adem Sadiku, pronar i firmës “Çeliku” dhe pronari dhe drejtori i RTV Aldi, z. Isuf Mehmeti dhd na u premtuan menjëherë  një milion e gjysëm dinarë (asokohe ishin reth 200.000 euro) për këtë destinim.

Madje, aty për aty vendosëm kontaktin e drejtëpërdrejt midis Ministrisë dhe IMS si hartuese që ishte e Planit Zhvillimor.

Por, pushteti lokal i Preshevës në krye me Ragmi Mustafën, pati refuzuar Planin Zhvillimor dhe lokacionin e përcaktuar për Zonën Industriale në kufi dhe e kishte stopuar duke  e bërë të pamundur realizimin e këtij projekti kapital dhe me rëndësi kolosale për zhvillimin dhe prosperitetin ekonomik të komunës së Preshevës dhe për bizneset vendore.

Ky ndryshim i lokacionit të Zonës Industriale do të ishte më i lehtë tani, meqë akoma nuk janë bërë investime serioze në lokacionin ekzistues.

Kurse, për levërdinë ekonomike

të këtij ndryshimi, nuk ia vlen as të flasim!

Sepse, në “Zonën C”, vlera, si dhe levërdia ekonomike do ishte së paku njëqind fish më e madhe!

Atje, dmth në “Zonën C”, një kiosk i vogël që shet kikirika, do vlente dhe do sillte fitime dhe do të bënte shumë më tepër qarkullim se sa një hallë solide e prodhimit apo tregëtisë në lokacionin ekzistues në fshatin Çukarkë, që e anashkalon Koridorin 10, si aset kryesor dhe më i rëndësishëm ekonomik dhe gjeostrategjik për komunën e Preshevës.

Pra, me anë të këtij artikulli unë e shfrytëzova rastin që t’i bëjë këta tre propozime publikisht, që nuk do i kushtonin shumë buxhetit komunal, por do bënin zgjidhje të shumëpritura nga qytetarët dhe do i zgjidhte këta probleme dhe këto nevoja imediate, me pak para, por që kanë nevojë për vullnet të mirë politik dhe me gadishmëri e angazhim të mirëfilltë politik, realisht do të eliminonte dhe zgjidhte shumë probleme dhe do sillte levërdi jashtëzakonisht të madhe ekonomike për bizneset dhe për mirëqenien e qytetarëve të komunës së Preshevës.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch