Home » Opinione » Treni i fundit për Luginën e Preshevës

Treni i fundit për Luginën e Preshevës

Shkruan: Nehat Hyseni

Doemos imponohet nevoja që në vizitën e baroneshës Catherine Ashton më 14 mars 2013 në Prishtinë, si dhe në raundin e radhës të bisedimeve më 20 dhe më 28 mars 2013 në Bruksel, të prezentohet me vendosmëri edhe çështja e shqiptarve të  Luginës së Preshevës, si çështje plotësisht e barabartë me atë të serbëve të Kosovës, duke vepruar me parimin “as më shumë e as më pak se ata”.

Kompenzimi i kohës së humbur

Mbledhja e Këshilltarëve shqiptarë të komunës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, organ politik i krijuar nga legjitimiteti i marrë në zgjedhjet e lokale, u mbajt më 9 mars 2013 në Preshevë, edhepse me një vonesë të konsiderueshme, ndoshta edhe të pakompenzueshme. Megjithatë, më në fund, ky Kuvend miratoi dy dokumente të rëndësishme.

Me këtë hap, sikur janë bërë përpjekjet shpresëdhënëse, se më në fund, edhe ne shqiptarët e Luginës së Preshevës, apo të Kosovës Lindore, nuk do të mbesim jashtë ”trenit të fundit”, apo agjendës së dioalogut të Brukselit.

Deri tani kemi pasur një bashkëjetesë paradoksale të retorikës politike boshe, që konsistonte kryesisht në dhënien e deklaratave megalomane të disa liderëve politik lokalë, të cilat shërbenin si “ushqim” i mediave shqiptare dhe atyre serbe, si dhe mjerimit në rritje të pandalëshme të shqiptarve të Luginës.

 

Sa duket, mediave shqiptare ato deklarata i shërbenin sa për t’i mbushur faqet e gazetave të tyre, apo minutazhin e emisioneve të lajmeve të agjencive të ndryshme informative, duke deklaruar me plotë pompozitet stërpërsëritjen e pafund: “shqiptarët e Luginës janë për bashkim me Kosovën”, dhe fraza të tjera, të cilat arritën kulminacionin sidomos pas festimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe të kanonadës krekosëse, në garën për t’I treguar muskujt (e munguar) dhe trimërinë e potencialet dhe kapacitetet politike e ushtarake, të cilave, si u pa puna, as ata vet nuk i besuan dhe asgjë nga ato nuk ishte as reale e as e sinqertë.

 

Sindroma e lapidarit

Dikush këtë e quajti “sindroma e lapidarit”, si sinonim i papërgjegjësisë së skajshme të faktorit politik të shqiptarëve të Luginës, si dhe moskoordinimi i pakuptueshëm dhe i pafalshëm me faktorin politik të Kosovës, si dhe me Shqipërinë.
Pas shumë “patriotizmave”, më në fund, edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, vendosën që të lëshohen “me këmbë në tokë” dhe që në vend të lavdratave dhe deklaratave  e premtimeve boshe, t’i “përvjelin krahët” për të bërë diçka konkrete.

Dinamika e shpejtë, ndoshta dramatike e zhvillimit të ngjarjeve në tavolinën e bisedimeve të Brukselit, sa duket, ia çeli sytë atyre, duke ua bërë të qartë se koha e matrapazllëkut politik ka kaluar dhe se tani është koha për të bërë diçka konkrete. Sepse, rrota e historisë do të ecë edhe pa ata.
E dijmë se në rethanat e reja politike, ku gjërat qartësohen dhe sikur dojnë t’ i japin fund “parajsës politike”, kohës kur ke mundur të deklarosh çka të duash, bile edhe marritë më groteske.

 

Dhe ato  të shiten tek mediat tona, të cilat ndiejnë etje të pashuar për senzacion, shumë më tepër se  sa për lajme për gjëra të “vockëla” që mund të ndodhin në mjedisin tonë të ngrysur politik, prej nga kanë filluar, siç e përshkroi një poet lokal i yni, të ikin edhe zogjët, duke ua lënë vendin sorrave dhe skifterave, të cilët janë të aftë të jetojnë nga kufomat dhe nga gjuajtja grabitqare e qenieve të gjalla mbi tokë.

Syri i tyre i stërvitur shikon nga largësia si t’ i rrëmbejt shpirtërat dhe trupat e sfilitur, duke krijuar “perandori ekonomike” dhe “dinasti politike” në këto troje ku vështirë frymon shqiptari i rëndomtë, të cilit i zihet edhe fryma edhe dielli.
Natyrisht se kjo gjendje alarmante e braktisjes së trojeve stërgjyshore shqiptare po shfrytëzohet, por edhe, mjerisht, po stimulohet në mënyrë të pangopëshme nga oreksi gllabërues i “hienave politike”, të cilët tërë tmerrin që e kijojnë me veprime të paligjëshme, të pamoralshme dhe jonjerëzore, i mbulonin me “shkopin magjik”, duke dhënë deklarata megalomane politike.

Dhe sa më tepër që shtoheshin deklaratatat e tilla, aq më tepër shtohej dhe ishte më i madh mjerimi dhe skëterra politike dhe gjendja e tyre ekonomike, e krijuar veç tjerash edhe me kontributin dhe “meritat” e tyre “patriotike”, duke realizuar një bashkëjetesë të pashpjegueshme “suksesi dhe përparimi” e bashkëpunimi brilant me pushtetin serb, të cilin ditën e “pështyejnë”, kurse natën e “lëpijnë”.

 

(Pa)përgjegjësia

Prandaj edhe tek ata është kuptuar dhe shfrytëzuar maksimalisht realiteti se”pushteti të bënë zojë, e pushteti të bën tojë”.
Të kuptohemi se çdo identifikim me ndonjë rast konkret në Luginë të Preshevës mund të jetë i rastësishëm. Sepse, këtu ruana Zot, gjëra të tilla nuk mund të ndodhin. Gjëra të tilla mund të ndodhin gjithëkund, por tek ne në Luginë të Preshevës, ku fjala është fjalë dhe përgjêsia është përgjegjësi, vend për dyshime nuk ka.

Këtu gjëra si “Vefa” , “Gjallica” etj në Shqipëri, apo Mishoviqa etj. në Serbi, nuk ka dhe nuk mund të ndodhin. Këtu vetëm ka sukses të votës së “pastërt”, pa asnjë devijim, blerje apo vjedhje nuk ka. Sepse, çdo gjë është e “pastër” në fitimin dhe performansën e pushtetit, por edhe të biznesit të “suksesshëm”.
Prandaj edhe jipen deklarata, sikur kur i “nxjerrin nga xhepi”, në çdo kohë dhe në çdo situatë., pa kurrëfarë ndiesie të përgjegjësisë minimale politike e morale. Çfare të duash. Nëse don e bëjnë “bashkim me Kosovën” , hiç pa e pyet Kosovën. Sepse, kush është Kosova me e pyet për këtë punë? Tek e fundit, interesi kombëtar është i tillë dhe a ka kush e din këtë punë më mirë se na, ose më saktë, se disa “politikanë” të kësaj treve heroike të shqiptarisë.

Tani është koha që të tejkalohet ecejakja 21 vjeçare e moskrijimi të një institucioni të përbashkët për të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës, me kompetenca legjislative e ekzekutive, që do t’ i siguronte dhe do t’i garantonte atyre ruajtjen dhe kultivimin e të gjitha të drejtave kombëtare e qytetare, si dhe një zhvillim dhe prosperitet të gjithanshëm.

Ruajtja e bërthamës kombëtare shqiptare në këto troje, si dhe ndërprerja e shpënguljes dhe boshatisjes e lënies shkret të tyre, do të ishte qëllimi i këtij organizimi, duke ndërprerë tërësisht militarizimin ekstrem dhe vendosjen e njê mbikëqyrjeje ndërkombëtare, duke mundêsuar edhe formimin e njësive rajonale tê sigurisë në nivel të Luginës.

 

Fleksibiliteti politik

Doemos imponohet nevoja e domosdoshme që në vizitën e baroneshës Catherine Ashton më 14 mars 2013 në Prishtinë, si dhe në raundin e radhës të bisedimeve më 20 dhe më 28 mars 2013 në Bruksel, të prezentohet me vendosmëri dhe devotshmëri e seriozitet edhe çështja e shqiptarve të  Luginës së Preshevës nga Qeveria e Kosovës, si çështje plotësisht e barabartë me atë të serbëve të Kosovës, duke vepruar me parimin “as më shumë e as më pak se ata”.

Kështu Qeveria e Kosovës do t’ia lehtësonte vetes pozitën ndaj zgjidhjes së problemit të serbëve të Kosovës, duke vendosur paralelizma dhe balancë politike, duke e vënë edhe Serbinë në sprovë se a është e gatëshme dhe sa është e gatëshme edhe ajo të jep të drejta për popullatën joserbe ose minoritetin shqiptarë në kuadër të saj.

 

Por, shqiptarët e Luginës duhet ta kenë gati dokumentin ose Propozimin e zgjidhjes së mundëshme politike të çështjes së tyre, duke propozuar edhe ata organizimin e tyre sipas modelit të propozuar të serbëve të Kosovës, duke themeluar Asociacionin (Bashkësinë) e komunave shqiptare në Serbi:
Kuvendin si organ më i lartë i Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbi duhet ta ket organin Ekzekutiv, ose Këshillin, i cili do të formohej nga kryetarët e komunave Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, si dhe nga anëtarët e Bordit.
Zgjedhjet për organet e Asociacionit do të duhej të mbaheshin së bashku me zgjedhjet lokale, e jo siç ishte rasti me zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar që ishin të vecanta.
Asociacioni i Komunave Shqiptare do të duhej të ishte si “ombrellë” e tyre.

Fleksibiliteti politik i shqiptarve të Luginës konsiston në faktin se Qeverisë së Kosovës dhe palëve negociuese në Bruksel u lihen “duartë e lira”, duke mos shtruar kurrëfarë kërkese shtesë në krahasim me serbët e Kosovës.

Prandaj, zgjidhjet politike që do të vendosen për serbët e Kosovës do të vendoseshin pa i hequr “asnjë pikë e asnjë presë” edhe pë shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch