Home » Kulturë » TUNGJATËJETA, SADULLA ZENDELI-DAJA!

TUNGJATËJETA, SADULLA ZENDELI-DAJA!

Nga: prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

 

1.

Ishte mëngjesi i datës 14 prill 2012. Sapo kryem veprimet e zakonshme të mëngjesit, ne grupi i vogël prej katër vetash, i mbërritur në mesanatë në aeroportin e Goteborgut dhe që fjetëm disa orë në hotelin e qytetit të bukur Boras, “Skëna Nëtter”, u ulëm  së bashku në një dhomë ndënjeje e pritjeje, e pajisur më së miri. Pritëm vetëm pak minuta dhe pamë që, nëpër korridor, vinte drejt nesh, me hapa të shpejtë dhe të gjatë, miku e kolegu ynë, Sokol Demaku. Na përshëndeti përzemërsisht dhe na pyeti e u kujdes, se si kishim pushuar. Sigurisht, iu përgjigjëm se ishim mjaft të kënaqur dhe, pa humbur kohë, dolëm në oborr. Në makinën e tij të rehatshme, zumë vend: unë, Viron Kona, Kozeta Hoxha e Kadrije Gurmani. Pas pak minutash, pa e ndjerë udhën nga bisedat e ndërsjellta, arritëm pranë ndërtesës së bukur të Bibliotekës së Qytetit. Aty do të zhvillohej ceremonia e shumëpritur prej ne të gjithëve, pra manifestimi i 5-vjetorit të krijimit të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” e i revistës “Dituria” dhe i 4-vjetorit të emisionit të parë në gjuhën shqipe, në Radion-Lokale, me të njëjtin emër.

Nuk kishte mbetur ndonjë “sekret” i panjohur për ne, pasi Sokoli na i kishte dërguar përmes Interetit, jo vetëm ftesat, por dhe tërë programin e asaj feste të bukur. Bile, bashkëngjitur, ai kishte hartuar e kishte marrë masa që edhe në dy ditët vazhduese, ne të ftuarit nga Tirana, të kishim veprimtari “të ngjeshura”. Pra, do të bënim vizita e do të takonim, si vëllezër e mora shqiptare, por edhe miq e mikesha suedeze.

Sapo hymë në sallën e tubimit të pritshëm, disa minuta para orarit të caktuar, vërejtëm se çdo gjë ishte gati dhe po priteshin të ftuarit. Ata nuk ishin vetëm nga qyteti Boras e Goteborgu, por dhe nga disa qytete tjerë të Suedisë, si: Stokholm, Gislaved, Lundskrona, Uddevalla,, Malmo, Kindberg, Norrkëping e Nëssjo.

2.

Kur gati e kishim shpërqendruar vëmendjen te të ardhurit, vërejta se të dera hyri një burrë paksa i moshuar, me sytë vezullues e plot mirësi. Ndoshta, edhe ai po shihte me vëmendje të gjente, në ata pak njërëz të ardhur, të njohur e miq të tij nga Tirana. Ndërsa unë isha takuar me Dajën në Panairin e 12-të të Librit, organizuar në nëntor 2011, në Tiranë, koleget tona, Kozeta e Kadrija e kishin të panjohur. Ndërsa ndryshonte pak puna për shkrimtarin Viron Kona. Ai kishte sjellë me vete, në atë sallë librin e ri, që sapo doli nga shtypi në Tiranë, me titullin, “Për ju, miqtë e mi”. Duke u njohur me të dhëna nga shkrimet e ndryshme, por sidomos bazuar në librin poetik të Dajës, “Ditari i dhimbjeve”, Vironi i kishte kushtuar disa faqe  të këtij libri, pikërisht Sadulla Zendelit-Dajës, me titullin domethënës, “Ju dua, më shumë se veten time!”.

Ja, pra, Daja na “gjeti” dhe, të dyja palët, shpejtuam për te njëri-tjetri. U përqafuam përzemërsisht dhe ai na uroi: ‘Mirëse keni ardhur, në Suedi!” Se, tashmë, ai e gëzon këtë të drejtë, pasi në këtë vend demokratik skandinav, ndër më socialët në botë, jeton prej shumë vitesh e mund ta quajë “atdhe të dytë”, për vetëveten dhe familjen e tij. Në fakt, ai ndodhet në një qytet mjaft larg Borasit, në Fërjestad dhe është në moshë paksa të thyer. Por, megjithatë, nuk mungoi, “me arsye, as pa arsye”, në atë takim të paharruar.

Në ato pak minuta, para fillimit të manifestimit, u takuam edhe me miq të tjerë, të panjohur ose të njohur, vetëm përmes mesazheve nga Interneti. Ndër ta, ishin albanologu suedez UImar Kvik dhe miku i shqiptarëve, Anders Vesaman; shkrimtarët e publicistët shqiptarë: Hysen Ibrahimi, Bahtir Latifi, Rizah Sheqiri, Fetah Bahtiri, Remzi Basha, Zyrafete Manaj, Hamit Gurguri e Murat Koci dhe piktorja  Florije Bajraktari; veprimtaret Exhlale Shipoli, Vjollca Haradinaj, Dinore Loshi Qmega e tjerë. Ndërsa me Dajën i vijuam bisedat e ngrohta, duke folur për Tiranën, por dhe për punët e mira, që ai ka bërë e po kryen, sidomos në hartimin e fjalorëve, suedisht-shqip e shqip-suedisht etj.

Nuk do të ndalem këtu, te ato se çfarë tha Daja, para të pranishmëve, pasi ai ishte përherë në vemendje dhe i rrethuar me respektin e të gjithëve. Prandaj dhe fjalët e tij të mençura u duartrokitën nxehtësisht. Por edhe në një koktej të rastit dhe në drekën e shtruar nga QKSH “Migjeni” për gjithë të pranishmit, Daja ndodhej në krye të “kuvendit”, duke folur e lëvizur me shkathtësi, si një djalosh i ri. Ndër të tjera, ai ua dhuroi fjalorin e tij, suedisht-shqip: kryetarit të Bashkisë së Borasit, Per Olof Hëg dhe kreyarit të Komunës në Uddevalla, Essam El-Nagger; albanologut të njohur suedez, Ulmar Kvik; drejtorit të shkollës “Fjerdignskolan”, Per Kettisen dhe disa mësueseve sudeze.

Sigurisht, për kënaqësinë tonëdh e për ta nderuar e respektuar njëri-tjetriun, në atë drekë Daja u ul bashkë me ne, mysafirët nga Tirana. Kështu, aty i vijuam bisedat tona të këndshme dhe vërejta kënaqësinë e tij të veçantë, që u takuam përsëri bashkë dhe pikërisht në Suedi.

3.

Kur atij manifestimi entuziast po i vinte fundi dhe Daja i kishte kryer më së miri detyrat e njërit nga “të zotët e shtëpisë”, erdhi çasti të ndaheshim. Se ai do të udhëtonte përsëri për në vendbanimin e tij, ku e prisnin bashkëshortja dhe njerëzit e tjerë të familjes. Duke u përqafuar së bashku, jo pa mallëngjim dhe me emocione, i uruam atij shëndet të plotë, begati e arritje në punë dhe lumturi në familje. Dajën e kam të fiksuar ashtu të buzëqeshur në kujtesë, që na përshëndeste nga larg dhe në dorë mbante një çantë, mbushur me libra të dhuruar. Por aty kishte edhe “Mirënjohje”, nga QKSH “Migjeni” dhe kryesia e Shoqatës së Arsimtarëvë të Shqipërisë, për veprimtarinë e tij të shquar: atdhetare, arsmiore e kulturore etj. Po kështu, e dija mirë se aty ai kishte edhe librin tim të ri publicistik-letrar, “Dorela”, i botuar në mars 2012, në Tiranë dhe për të cilin ai  më mbështeti pa u kursyer.

Në ato çaste, në mendje më erdhën fjalët-urim të zemrës, nga e folmja e Veriut të Shqipërisë, por dhe e Kosovës: “Tungjatëjeta, Sadulla Zendeli-Daja!”

…Tani, me Dajën jemi larg fizikisht. Por përsëri sjell në kujtesë takimin tonë në Tiranë dhe atë të paharruarin,  në Boras të Suedisë. E përfytyroj ashtu të përqendruar tërësisht në punët e tij të çmuara: atdhetare, arsimore, letrare e kulturore. Ndërsa e di se ai do të thurë parreshtuar edhe vargje malli e dashurie të pakufishme për vendlindjen, si këto:

“I bini çiftelisë, atë e dëgjojnë malet tona,

këndoni këngën e Lirisë, Këngën e Pavarësisë…

Dhe më tej:

Europa e Bashkuar,

aty të jesh edhe ti, Kosova ime,

o gur xhevahir i zemrës sime!

…E kisha përfunduar këtë shkrim dhe isha gati ta dërgoja për publikim. Ndërkaq, nga Kumanova, më doli në Internet arsimtari e shkrimtari i njohur Nehat Jahiu. Ndër të tjera, ai më tregoi se këto ditë kishte qenë atje veprimtari i palodhur edhe për vendlindjen, Sadulla Zendeli-Daja. Ndërsa tani, ky është kthyer përsëri në vendbanimin e përhershëm të tij, në Suedi.

Pra, përsëri e përsëri, e urojmë dhe nga larg e përshëndesim me zemër, këtë bashkatdhetar të flakët: “Tungjatëjeta, Dajë!”

Tiranë, 5 maj 2012

2 Responses

  1. Alexandra thotë:

    spo di qka me shkru veq ni send 4us dhe ardit stafaj me ket keng me kan tranu 7 her ne dit po engoj asniehr bajat smu bo, vazhdoj e ngoj per qdo dit 4US dhe ardit stafaj jeni numer 1 kong shum e bukur vazhdoni veq

  2. Mostafa thotë:

    valla be kjo konga JETOJ ME DHIMBJE shum e fort ma e fort se kjo edhe qajo konga e DJ SUAT-JO TO MOS VUJ -kto kong ma te fortat jan vec NEXT Dj Suat

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch