Home » Opinione » UDB-ashët e “UP-ashët” dhe rreziku nga “bomba sociale”

UDB-ashët e “UP-ashët” dhe rreziku nga “bomba sociale”

Shkruan: Nehat Hyseni

Kosova aktualisht është duke vluar nga “zbulimi” se sigurimi sekret i Serbisë,  UDB-a e famëshme ende është aktive, madje në të gjitha instancat e shoqërisë kosovare, si dhe nga “UP-ashët”, të cilët e kanë bastardhuar dhe komprometuar skajshmërisht Universitetin e Prishtinës, si tempull të edukatës dhe dijes, duke rrezikuar me shpëtrthimin e “bombës sociale” si mllef dhe pakënaqësi të akumuluar shoqërore me gjendjen e mjerë dhe të pashpresë, në të cilën është katandisur shoqëria kosovare.

Riaktualizimi i temës mbi UDB-ashët

E gjitha kjo filloi nga një emision i Adriatik Kelmendit në KTV, ku kishte ftuar ish agjentët e UDB-ës, të cilët kishin punuar në Sekretariatin e Punëve të Brendëshme(SPB) deri në suspendimin e tij nga Serbia, në vitet 90-ta, me suspendimin me tanke të autonomisë së Kosovës dhe institucioneve të saj.

Sa duket, hapja e kësaj teme e ka goditur në palcë shoqërinë kosovare.

Asnjë temë tjetër nuk do t’i godiste aq shumë dhe nuk do të nxiste aq shumë debat, duke e ndjerë personalisht të dyshuar vehten  secili anëtar i shoqërisë, e sidomos mosha e mesme dhe ajo më e vjetër.

Kjo situatë ma kujton thënien e një autori gjerman, i cili ka shkruar një libër shumë të vlefshëm për shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore. Ai në vitin 1989 shkon për herë të parë për vizitë në Shqipëri dhe në kufi këmben ca para me lekë.

Meqë për herë të parë në jetën e tij kishte në duar paranë shqiptare, ai e sodiste me kërshëri të madhe dhe u habit pa masë kur pa figurën e ushtarit të LDB, 45 vjet pas përfundimit të luftës.

Habia e tij ishte e dyfishtë: e para se në asnjë monedhë europiane nuk gjendet ndonjë figurë, e aq më pak ushrarak nga LDB, dhe e dyta ishte habia më e madhe nga fakti se Shqipëria ishte shteti që më së paku në Europë ishte e involvuar në LDB dhe rjedhimisht, kishte më së paku viktima nga ajo luftë!

Filmat e luftës midis partizanëve e gjermanëve, si dhe midis partizanëve dhe ballistëve akoma i kanë uzurpuar ekranet televizive të disa TV kanaleve shqiptare!

Pra, sa duket shoqëria shqiptare kudo në Ballkan është më e prirur për kthim nga e kaluara, sado e (pa)rëndëshme të ket qenë ajo, duke e ngulfatur fuqinë dhe duke harxhuar energjinë duke u marrë me të kaluarën, e më pak me të ardhmen.

Kriza me “UP-ashët” apo reth (mos)dorëheqjes së rektorit  të UP-së


Në anën tjetër, aktualisht kemi krizën e krijuar reth Universitetit të Prishtinës dhe kërkesës këmbëngulëse të studentëve për dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi.
E gjithë kjo filloi me “zbulimin” e plagjiaturave dhe parregullsive të mëdha në dhënien e titujve akademikë.
Rektori Gashi, i mbështetur fuqimisht nga Qeveria e Hashim Thaçit, edhe po të ketë gadishmëri t’i plotësoj kërkesat e studentëve, ai nuk lejohet të jep dorëheqje nga  z. Thaçi dhe partia e tij.

Shtrohet pyetja: Pse?

Sepse, me dorëheqjen eventuale të z.Gashi do të merrte fund periudha 15 vjeçare e Dinastisë së PDK-së në (keq)administrimin e UP-së dhe do të hapej kutia e Pandorës, e cila do t’i hedhë në dritë parregullsitë marramendëse, të cilat do ta trondisnin nga themeli shoqërinë kosovare.

Sepse, në Kosovë edhe zogjtë në pemë e dijnë se UP është industri e prodhimit të analfabetëve, duke ndarë tituj akademikë sipas përkatësisë partiake.

Në Prishtinë moti kohë flitet se partiakët pas luftës morën diploma fakulteti, magjistratura e doktoratura, madje pa e pasur të kryer as shkollën fillore!

Diplomat dhe titujt akademikë u ndanë në përmasa trishtuese, duke krijuar profesorë universitarë edhe nga ata të cilët akoma nuk kanë arritur t’a mësojnë si duhet as alfabetin e gjuhës shqipe.

“Analfabetizmi akademik” është fenomen i prodhuar nga politika dhe politikanët që aktualisht qeverisin shoqërinë kosovare.

Profesorë universitarë sot kemi në Kosovë të nivelit të një bariu. Shumë aktivistë partiakë, që ishin punëtorë fizikë, sot janë udhëheqës katedrash dhe ligjërues në UP!

Gratë e politikanëve, madje edhe ato të cilat ishin më të dobëtat e gjeneratës, sot janë ligjëruese me tituj akademikë. Dhe ato në këtë hapsirë të vogël kosovare dihen me emër dhe mbiemër.

Tani njerëzit pyesin: Si do të përfundoj e gjithë kjo?

Druaj se do të zgjasë më tepër se sa duhet dorëheqja e rektorit Ibrahim Gashi.

Rreziku nga shpërthimi i “bombës sociale”

Dhe çdo ditë e çdo orë vetëm sa do ta zgjasë agoninë kosovare, duke e bërë rënien e tij edhe më të rrezikëshme, meqë i afrohet aktivizimit të “bombës sociale”, që do të kishte pasoja të paparashikueshme, ashtu si në Bosne, ku po digjen flakë edhe ndërtesat e institucioneve më të larta shtetërore: të Kryesisë, Parlamentit dhe Qeverisë.

Paknaqësia shoqërore dhe mllefi i shoqërisë kosovare nga korrupsioni i pushtetit kërcnon me një shpërthim marramendës që do të kishte pasoja të pariparueshme dhe katastrofale.

Sigurisht se edhe fëmijtë e dijnë se
rënia e rektorit Gashi do të shkaktojë edhe rënien e Qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonëshme.

Por, do të ishte e keqe më e vogël sikur kjo të ndodhë sa më parë. Sepse, druaj se energjia e akumuluar (negative) e bombës sociale mund të shpërthej në çdo çast.

Kurse, neve na mbetet të meditojmë se, vallë,  kush i solli më tepër dëme shoqërisë kosovare, UDB-ashët e djeshëm apo UP-ashët e sotëm, apo ndoshta “bomba sociale” edhe ashtu ishte kah shpërthen vetvetiu?!

One Response

  1. I mergimsi thotë:

    Heee shka me than ma shum: UDB-shat me i kastru, kurse UP-shat e vetvlersuar me i varun aty mu ne mesin e oborrit te UP-se, duke i stolisur prap me ndonje titull me te lart si psh. “tradhetar” me nje gozhd te madhe mu ne mes te ballit…

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch