Home » Opinione » UNITETI I SHQIPTARËVE TË LUGINËS SË PRESHEVËS DUHET TË JET INSTITUCIONAL DHE VEPRUES

UNITETI I SHQIPTARËVE TË LUGINËS SË PRESHEVËS DUHET TË JET INSTITUCIONAL DHE VEPRUES

Shkruan: Mr. Nehat Hyseni

 

Duke e ditur faktin se pa shkollë, akademi e universitete, nuk ka arsim të mirëfilltë; pa xhamia dhe institucione të tjera religjioze, nuk ka jetë të mirëfilltë fetare; pa institucione të përbashkëta kombëtare të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, nuk ka dhe nuk mund të ket unitet dhe veprim efikas, të sukseshëm dhe unik të tyre.

 

Pra, ky unitet  i tyre duhet të ket institucionet përkatëse, të cilat formohen sipas parimeve dhe garës demokratike, pra votës së lirë.Roli i partive politike është ta organiozojnë atë garë dhe proporcionalisht suksesit në te, fitojnë “hisen” në qeverisjen e tyre, apo edhe duke ndërtuar mazhorancë. Gjithësesi, duhet formuar ekzekutivi, stafi profesional dhe duhet siguruar buxheti për funksionim të tij.
Të kuptohemi se, nevoitet një unitet i faktorit politik të shqiptarëve për çështjet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me ata, por jo domosdoshmërisht për çdo imtësi. Sepse, kjo do të çonte në monizëm, pra në sistemin politik njëpartiak, nga i cili dolëm (shyqyr Zotit) në vitet e 90-ta.Edhe Shqipëria u çlirua nga enverizmi dhe komunizmi më i egër në Europë dhe u mundësua pluralizmi politik.Pra, u mundësua që në tregun politik të ket shumësi ideshë dhe opcionesh të cilët do të garonin për ndërtimin e shoqërisë dhe institucioneve, duke marrë “bekimin” nga Sovrani-votuesi, me shpalosje të programeve dhe ideve ne fushatë parazgjedhore.  Dhe kjo është demokracia.

Nostalgjikët komunist edhe sot e kësaj dite përloten kur  me mallëngjim përkujtojnë “unitetin” gjatë kohës së “xhaxhit” Enver, atëherë  kur të gjithë brohorisnin njëzëri duke u përgjëruar dhe ngritur në këmbë dhe me duartrokitje frenetike brohorisnin në kor: “parti, Enver, jemi gati kurdoherë…” etj. etj.Se çka doli dhe çka pasoi nga ai “unitet”, mjerisht, e kemi të qartë të gjithë. Pra, doli një Shqipëri e sfilitur dhe e katandisur në varfëri ekstreme, si dhe në  diktaturë të shfrenuar e mjerim. Pra, doli një Shqipëri e shkretëruar dhe e mjeruar si mos më keq.Andaj, jodoemos kërkesat për “unitet” janë të sinqerta, e aq më pak ato duhet domosdoshmërisht të kuptohen si “gjeniale”, që e kanë zbuluar “ilaçin” e shpëtimit të shqiptarëve dhe të shqiptarizmës në përgjithësi, si dhe pozitën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në veçanti!

Në anën tjetër, nuk duhet rënë në lajthitje që të mendojmë se ne shqiptarët mund të ndërtojmë ardhmëri të sigurtë e të lumtur duke mos gjetur konsenzus për gjërat më elementare, pra që të përcaktohet dhe miratohet një minimum kërkesash dhe dispozitash që mbështeten nga të gjithë ne. Shqiptarët e Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë partiake, e dijmë se janë unanim në mbështetjen e Pavarsisë dhe tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës, si dhe për orientimin e tyre proeuropian dhe proamerikan.

Ndërkaq, shqiptarët e Luginës së Preshevës këtë konsenzus veprues e kanë arritur në Referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, në organizimin e të cilit kam qenë në radhët e para të tij si Zëdhënës i Referndumit dhe si Kryetar i Qendrës për Informim, duke dhënë kontributin në informimin e botës demokratike për mbajtjen dhe qëllimet e tij, me anë të informimit të agjencive kryesore informative në botë: CNN, Rojters etj. si dhe agjencitë kombëtare. Dhe ne shqiptarët e Luginës arritëm deklarimin unanim të vullnetit politik për “ Autonomi politike e territorial”, duke u deklaruar se në rast të prishjes së kufijve në Ballkan, ne jemi  “për bashkëngjitje me Kosovën”.

Deklarata Politike e vitit 2006, si dhe Deklarata e miratuar me rastin e 20 vjetorit të Referendumit janë dokumente që janë miratuar me unanimitet.

Ku qëndron problemi i mosekzistimit të unitetit veprues të faktorit politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës?

Sipas mendimit tim, arsyeja kryesore e këtij mosuniteti qëndron në parcializimin e interesave partiake të shkaktuara nga pretendimet e egra, joparimore dhe here-here edhe të tërbuara për pushtet, në rend të parë për pushtetin lokal në komunat: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, sidomos të këtyre dy komunave të fundit.

Duke qenë të ndarë shqiptarët e Luginës së Preshevës në tri komuna, pra në tre pushtete lokale, për pasojë kemi garën e partive politike për pushtete  lokale, duke minuar kështu çdo nismë për organizimin institucional të unitetit të shqiptarëve në nivel të Luginës.

 

Ky antagonizëm është i ashpër, duke eskaluar shpeshë në “motive patriotike” dhe folklorizëm të pafund “patriotik”,  për të mos lejuar formimin dhe funksionimin e sukseshëm dhe efektiv të asnjë institucioni të përbashkët të shqiptarëve në Luginë. Antagonizmat e tillë shpeshë janë aq trivialë e kontradiktorë, sa që shpeshë joshin një pjesë naive,  për aq sa trishtojnë me shkurtpamësinë e tyre pjesën intelektuale dhe shtetformuese të kombit shqiptar , si dhe përfaqsuesit e politikës zyrtare e jozyrtare të Kosovës dhe Shqipërisë, por dhe pjesën intelektuale dhe serioze të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Dëshmi eklatante për këtë është rrjeshtimi i faktorit politik të Luginës së Preshevës lidhur me formimin e Këshillit Kombëtar (nacional) të Shqiptarëve, për të cilin u votua më 6.06.2010 me shumicë të qartë prej reth 57% të votave. Edhepse KNSH u votua qartësisht nga shumica, sulmet nga më të egrat vinin nga pushteti i Serbisë dhe Trupi Koordinues në krye me tanimë ish ministrin Markoviq. Intrigat dhe përpjekjet nga më të egrat dhe më antishqiptaret , si dhe fyerjet vinin nga ky përfaqësues i Qeverisë serbe , që kishte paranojë antishqiptare dhe urrejtje shpirtërore ndaj tyre, duke bërë në vazhdimësi  luftë të tërbuar kundër këtij institucion të vetëm të shqiptarëve të Luginës, duke shprehur haptas antishqiptarizëm të tërbuar!

Por, sado të duket e pabesueshme, megjithatë është e vërtetë e pamohueshme se z. Markoviq nuk ishte i vetëm në luftën e tij të pakompromis kundër KNSH-së. Ate, mjerisht, e përkrahën dhe e mbështesin edhe disa parti politike shqiptare, të cilët gjithashtu bëjnë luftë të tërbuar kundër këtij institucioni të përbashkët të shqiptarëve të Luginës! Dhe derisa z. Markoviq këtë urrejtje ndaj KNSH-së dhe ndaj unitetit të shqiptarëve e bënë për motive patritotike serbe, partite politike shqiptare këtë “luftë të shenjtë” të tyre kundër KNSH-së e bëjnë për motive “patriotike” shqiptare.

Derisa Qeveria e Serbisë e pamundëson veprimin unik dhe institucional të shqiptarëve , duke përdorur mjete nga më të ndryshmet: mbështetjen e parcializimit të faktorit politik shqiptar, duke nxitur dhe përkrahur formimin e partive e frakcioneve të reja politike shqiptare, denoncimin e çdo mundësie të veprimit politik unik të shqiptarëve në nivel të Luginës,etj. Pra, Qeveria e Serbisë, në fillim arriti mtë nxisë përçarje duke i joshur disa “politikanë të mençur” që u pati hyrë vetja në “huj”, se ia “rrahte krahun” Çoviqi dhe zyrtarë të tjerë serbë për t’ua rritur atyre mendjen, por edhe duke i mbështetur dhe përkrahur realisht.

 

Kështu, të entuziazmuar nga rezultatet spektakulare dhe suksesi i arritur në Preshevë,  qeveria serbe, tani me Markoviqin e vazhdoi punën në Bujanoc për të vazhduar aty ku mbeti Çoviqi (në Preshevë): duke deklaruar “solemnisht”,  me një vetëbesim të pabesueshëm se do ta len “R. Halimin dhe partinë e tij pa votues…”, duke marshuar triumfalisht në përçarjen e faktorit politik të shqiptarëve në komunën e Bujanocit.

 

Rezultatet e arritura në përçarjen e shqiptarëve të Bujanocit ishin aq të mëdha, sa që e befasuan edhe vet Markoviqin! Kështu, ai filloi ta ndiej veten si “politikan i madh” dhe “gjenial”, i cili e dinte prej përpara, si “evlia” ose profet,  se çka do të ndodhë në spektrin politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, me fokus të veçantë në komunën e Bujanocit.

 

Pra, antishqiptarizmi serb është duke u realizuar me parullën: përçaj e sundo. Dhe kjo nuk na çuditë fare. Por, ajo çka na duket e pabesueshme dhe e papranueshme është se edhe “patriotët shqiptarë” janë të një mendjeje, duke mos lejuar që shqiptarët e Luginës t’i bëjnë “dy gurë bashkë”.

Partitë politike shqiptare që ishin dhe janë kundër Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, deklarohen se e kanë për “motive patriotike” këtë punë, duke deklaruar se “nuk e pranojnë Serbinë” dhe pallavra dhe deklarime të tjera demagogjike, pa çka se ato janë të involvuara thellë në pushtetin e Serbisë, prej nga marrin rroga dhe shpërblime të tjera,  duke qeverisur pushtetin lokal në Preshevë dhe Bujanoc,bile  duke përbuzur votën e shumicës shqiptare.

 

Në komunën e Bujanocit aktualisht kemi koalicione të pabesueshme me forcat më të tërbuara antishqiptare, duke realizuar kështu diferencim ideo-politik dhe diskriminim të kuadrova më të afta shqiptare, në favor të kuadrove serbe të dëshmuara për antishqiptarizëm.
Pra, Lugina e Preshevës është e mbështjellur në paradokse nga më të pabesueshmet dhe të tmerrëshmet, duke i kontribuar kështu  situatës së  pashpresë të shqiptarëve të kësaj pjese të gjeografisë shqiptare, e cila po boshatiset me hapa të shpejtë dhe rrezikon të mbetet tërësisht pa shqiptarë.  Komuna e Medvegjës, pothuajse është boshatisur fare nga shqiptarët, por as Bujanoci dhe Presheva nuk janë shumë larg kësaj gjendjeje trishtuese.

 

Andaj, duhet vetidijësuar sa më parë për faktin se nëse dëshirojmë veprim unik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, doemos duhet kontribuar ndërtimit dhe funksionimit të institucioneve unike të shqiptarëve në nivel të Luginës.

 

Përndryshe, agonia e tanishme e kollapsit të spektrit politik shqiptarë, i shkaktuar nga fragmentarizimi i tyre në parti  të ndryshme politike, të cilat për çdo ditë “ mbijnë” si këpurdhat pas shiut, zor se do t’ia dalim që t’i përgjigjemi sfidave politike që na presin me fillimin e bisedimeve Kosovë-Serbi.

 

Kështu si jemi të parcializuar, të fragmentarizuar e të përçarë,  nuk kemi asnjë shansë (as teorike) të përfshihemi në atë proces, nga i cili do të varet fati historik i të gjithë shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch