Home » Opinione » UNITETI POLITIK DHE INSTITUCIONAL I SHQIPTARËVE TË LUGINËS SË PRESHEVËS ËSHTË I DOMOSDOSHËM

UNITETI POLITIK DHE INSTITUCIONAL I SHQIPTARËVE TË LUGINËS SË PRESHEVËS ËSHTË I DOMOSDOSHËM

Shkruan: Mr.Nehat Hyseni

 

 

 

 

 

 

 

Tensionet e krijuara reth kërcnimit  spektakular të Daçiqit për  rrënimin e Lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë “ja me hatër ja me dhunë” menjëherë pas festimit të Njëqindvejetorit të Pavarsisë së Shqipërisë kanë arritur kulmin. Serioziteti  i këtij kërcnimi për rrënimin e vlerave më sublime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për përkujtmin, nderimin dhe respektimin e dëshmorëve të tyre të lirisë, me të drejtë ka shqetësuar  jo vetëm të gjithë shqiptarët e Luginës, por edhe  të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë: në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni , Mal të Zi dhe në diasporën shqiptare në Europë dhe githandej në botë.

 

Kjo klimë e krijuar e pasigurisë dhe e kërcnimit vandalist të kreut të qeverisë së Serbisë, premierit Daçiq është shoqëruar edhe me kërcnimet e presidentit Nikoliq, i cili , për të mos mbetur pas  Daçiqit, deklaron se “do të vihet në ballë të kolonës për rrënimin e lapidarit…” Kjo sjellje e një president i cili i kërcnohet shtetasve të vet me dhunë paraqet presedan dhe shembull të paparë në Europën moderne, duke dashur që ta rikthej gjendjen e konflikteve të viteve të 90-ta , të cilat e dogjën dhe shkatërruan e masakruan territorin e ish Jugosllavisë.

Derisa paraardhësi politik  i Daçiqit Sllobodan Millosheviqi ishte president i Serbisë, ai nxiti dhe udhëhoqi luftën e tmerrëshme, kurse bashkëpartiaku i Nikoliqit Vojisllav Sheshel, organizonte dhe udhëhiqte forcat paramilitare për  masakrimin e popullatës në Kroaci ,Bosne dhe në Kosovë. Ata së bashku me bashkëpunëtorët e tyre më të ngushtë përjetuan epilogun (fundin) e njejtë:  që të dytë përfunduan në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë për krime kundër njerëzimit.

Veprimet e Daçiqit dhe të Nikoliqit ndaj shqiptarëve, sa duket po vazhdojnë me të njejtin intensitet, duke u vërsulur me të gjitha forcat e shtetit (siç e kishte zakon edhe Millosheviqi), kundër shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke i shpallur dëshmorët shqiptarë të lirisë si “terroristë”. Kurse, në të njejtën kohë për  vrasësit e këtyre martirëve shqiptarë është duke ndërtuar lapidarin e përmasave gjigante në territorin e komunës së Bujanocit. Me këto veprime perfide ata dojnë të arrijnë objektivin e tyre pë zhvendosjen e vëmendjes nga ky veprim i tyre, duke përdorur edhe paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Andaj, me të drejtë opinioni mbarëshqiptar është alarmuar nga kjo situatë skajshmërisht shpërthyese dhe e rrezikëshme.Por kësaj radhe, nëse mund ta quajmë risi, është fakti se për here të parë reagoi edhe Prishtina dhe Tirana zyrtare. Sepse, ishim dëshmitarë të situates absurde kur Prishtina zyrtare sillej ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës ashtu si sillej dikur Shqipëria enveriste ndaj shqiptyarëve të Kosovës, duke i quajtur ata “miq kosovarë”, kurse kinezët i quante “vëllezër”.

Unifikimi i këtillë i shqiptarëve, mbase paraqet edhe anën pozitive të kërcnimeve të Daçiqit dhe Nikoliqit, duke i vënë shqiptarët e Luginës së Preshevës në fokus të interesimit mbarëkombëtarë, por edhe ndërkombëtar, çfarë nuk kishim parë që nga koha e përfundimit të luftës së armatosur të UÇPMB-së në vitin 2001. Dhe ky fakt e dëshmon tezën tanimë të shumëpërsëritur, se vëmendja e tyre për këtë pjesë të gjeografisë shqiptare kthehet vetëm kur ka ekscese dhe konfikte të armatosura, kurse për jetën e përditëshme,si dhe për problemet që i preokupojnë ata, sikur nuk ka sens dhe ndiesi të mjaftueshme. Si psh.

–         Për arsimin shqip fillor, të mesëm dhe universitar, për të cilët nuk ekzistojnë kushtet më elementare, meqë që nga data e shpalljes së Pavarsisë së Kosvës më 17 shkurt 2008 qeveria e Serbisë ka ndaluar absolutisht çdo tekst shkollor në gjuhën shqipe që të importohet nga Kosova. Ngjashëm ishte edhe me shtypin shqip të Kosovës, duke i lënë ata në terr informative;

–         Kosova në vend që të krijoj kushte më të volitshme për studentët shqiptarët e Luginës së Preshevës, ashtu si veproi Shqipëria, ajo përkundrazi, atyre ua vështirësoi kushtet skajshmërisht, duke vendosur “kuotat” e pakuptimta për ata;

 

–         Investimet serbe per capita (për kokë banori) për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët janë zyrtarisht shtetas të Serbisë, nuk i kalon 500 US dollarë per capita, edhepse ata janë taksapagues të këtij shteti! Ndërkaq, Serbia për serbët e Kosovës ka ndarë reth 13 (trembëdhjetë) here më tepër per capita për çdo serb në Kosovë, edhepse pjesa  veriore e Mitrovicës nuk paguan kurrëfarë taksash as për Kosovën e as për Serbinë. Bile ata nuk paguanin as për rrymën e shpenzuar elektrike!

Shtrohet pyetja se sa investon Qeveria e Kosovës “per capita” për  shqiptarët e Luginës së Preshevës? Përgjigja është sa e qartë, po aq e pabesueshme: 0 (zero) dollarë. Pra, Qeveria e Kosovës nuk investon as një euro apo dollar të vetëm për kokë banori të shqiptarëve që aktualisht jetojnë në Serbi. Përkundrazi, Kosova shqiptarëve të Luginës ia vështirëson edhe më tepër situatën, duke ua vendosur taksat e hyrjes në Kosovë, që paraqesin rast unik në Europë. Ato njëkohësisht janë edhe taksat më të larta në Europë: 20 euro për një javë, ose 1020 euro për një vit për një veturë! Dhe kjo është  aktualisht “ndihma vëllazërore” e Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

–         Problemi i përdorimit të Flamurit kombëtar duhet zgjidhur sa më parë. Sepse, jemi dëshmitarë se edhe kjo paraqet shkas për ndonjë konflikt , siç ishte rasti i heqjes së paradoditëshme të flamurit kombëtar në varrezat e dëshmorëve të UÇPMB-së në Dobrosin;

–         Problem i ekzodit me përmasa biblike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës: Medvegja pothuajse është boshatisur fare dhe thuaja se ka mbetur pa shqiptarë. Bujanoci gjithashtu ka shënuar emigrim të madh, sidomos malësia e saj ka mbetur shkret,  pothuajse e pabanuar fare. Edhe Presheva është boshatisur së tepërmi nga ekzodi “i heshtur” i shqiptarëve.

–         Investimet në Luginë duhet intensifikuar, sa nuk është bërë tepër vonë. Këtë problem duhet ngritur në nivel politik në të gjitha instancat, për të siguruar një perspektivë minimale jetese dhe punësim për të rinjtë.,etj.

Këto janë vetëm disa nga problemet madhore që i preokupojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Por, këto ishin edhe preokupimet dhe idealet e luftëtarëve të UÇPMB-së për një jetë më të mirë i çuan drejtë sakrifikimit dhe flijimit të jetës së tyre  për këto qëllime e ideale.

Prandaj, Lapidari i UÇPMB-së paraqet gjënë e shejtë pë shqiptarët e Luginë dhe për të gjithë shqiptarë. Ndoshta edhe kjo është arsyeja se pse Daçiqi dhe Nikoliqi bëjnë gara se cili do të tregohet më antishqiptar. Sepse ata “ia kanë pa hajrin” antishqiptarizmit të vet. Derisa Daçiqi me arrestimin spektakular të të të rinjëve shqiptarë arriti që në zgjedhjet e majit 2012 të shenoj rritje marramendëse të votive tëfituara për SPS-in, nga 7% që i kishte, në 18%, dmth. Mbi 257% i shtoi votat, duke ia siguruar kështu vetes mundësinë e zgjedhjes së partnerit të koalicionit midis DS-it dhe SNS-it si dhe pozitën e kryeministrit.Nikoliqi po mundohet që të mos mbes mbrapa Daçiqit, bile mundësisht përpiqet që t’ia kaloj atij me antishqiptarizëm, qoftë ndaj Luginës, apo ndaj Kosovës.

Kuvendet e komunale të Preshevës dhe të Bujanocit, në mbledhjet e caktuara të ndara për ditën e premte, më 11 janar 2013 duhet të merren me të gjitha problemet e tyre, e jo vetëm me temën e  Lapidarit.

Ndërkaq, në mbledhjen e përbashkët të të gjithë këshilltarëve komunalë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, të caktuar për ditën e shtunë, ata duhet të marrin vendime për institucionalizimin e plotë të shqiptarëve të Luginës reth problemeve madhore  që i përmendëm.

Prandaj, doemos duhet thirrur edhe anëtarët e Këshillit Nacional si anëtarë të barabartë në atë mbledhje, të cilët si institucion i të gjithë shqiptarëve të Luginës do të japin kontributin e tyre të çmuar. Ashtu sikur kanë krijuar unitet të gjithë shqiptarët e Luginës reth Lapidarit, ata për t’i realizuar qëllimet e tyre madhore, duhet të krijojnë unitet edhe reth mbështetjes së Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, i cili është i vetmi institucion i tyre unik, i  themeluar dhe pranuar edhe nga institucionet ndërkombëtare.

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch