Home » Lajme » Urdhërarrest për Albin Kurtin, dënohet Kadri Veseli

Urdhërarrest për Albin Kurtin, dënohet Kadri Veseli

Urdhrin e arrestit për Albin Kurtin e ka lëshuar gjyqtari Beqir Kalludra, për shkak të mungesës së Kurtit në seancën gjyqësore e cila po zhvillohet për rastin e gazit lotsjellës. Për mungesë dëshmie u gjobit me 200 euro, Kadri Veseli.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar një urdhërarrestim për deputetin  dhe ish kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Urdhrin e arrestit e ka lëshuar gjyqtari Beqir Kalludra, për shkak të mungesës së Kurtit në seancën gjyqësore e cila po zhvillohet për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Albin Kurti është njëri nga katër deputetët e “Vetëvendosjes” të akuzuar për aktivizim të gazit lotsjellës në seancat e Kuvendit. Kurti ka munguar edhe në seanca tjera të këtij gjykimi.

Kurti ishte deputeti i parë në Kuvendin e Kosovës që ndezi bombat e gazit lotsjellës. Ai këtë veprim, të cilin e përsëritën edhe shumë deputetë të tjerë opozitarë, e bëri në shenjë pakënaqësi me nënshkrimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë sere dhe kundër demarkacionit me Malin e Zi.

Në këtë seancë, është dashur të dëshmojnë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe nënkryetari Xhavit Haliti, por e kishin refuzuar thirrjen e gjykatës. Për këtë mosdëgjueshmëri qytetare dhe institucionale, Gjykata ka dënuar me nga 200 euro gjobë kryeparlamentarin, Kadri Veselin dhe deputetin Haliti.  Me nga 200 euro gjobë janë dënuar edhe deputetët Naser Osmani e Armend Zemaj nga LDK.

I menjhërshëm ka qenë reagimi i kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri. Ai duke komentuar urdhërarrestin e lëshuar ndaj Albin Kurtit, ka thënë se ky fletëarrest i pabazë e jo ligjor duhet të anulohet menjëherë. Ymeri ka thënë se në vendin ku sundon krimi e padrejtësia, lëshohet urdhërarrest  për aktivistin që proteston për drejtësi, barazi e demokraci.

“Po bëhemi gazi i botës. Edhe pse aferat korruptive mes politikanëve, biznesmenëve e kriminelëve kanë dalë sheshit, me publikimin e dosjes “Pronto”, në vend se të lëshohet urdhërarresti për ta, lëshohet për ata që i denoncojnë këto afera korruptive e që proteston kundër tyre. Në këtë rast për Albin Kurtin”, tthuhet në reagimin e Ymerit.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch