Home » Kulturë » Urim, në 65-vjetorin e lindjes SA MIRË, QË TAKOVA E NJOHA SEJDI BERISHËN!…

Urim, në 65-vjetorin e lindjes SA MIRË, QË TAKOVA E NJOHA SEJDI BERISHËN!…

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

Bëhet një shkak a ndodh diçka, që dy njerëz takohen e njihen me njëri-tjetrin. Rastet, zakonisht, janë në tubime të ndryshme shoqërore, si fejesa e dasma etj. Por është edhe një vend-takim tjetër i bukur, që i mbledh krijuesit e fushës së letërsisë dhe arteve. Janë përurimet, që organizohen ndërmjet kolegëve të letrave shqipe. Një i tillë u zhviullua pardje, në mjediset e Muzeut Hisorik Kombëtar të kryeqytetit Tiranë. Siç e kam shkuar edhe në një njoftim të mëparshëm, aty u bë përurimi i librave të autoreve të reja: Enxhi Krasniqi (nga Kosova), Dëshira Haxhi (nga Gjirokastra), Belantina Venari (nga Elbasani) dhe të mbështetësit të këtyre krijueseve, Pilo Zyba (nga Përmeti).

Në festën e tyre të krijimtarisë së re, siç ngjet zakonisht, kishin ardhur mjaft poetë, shkrimtarë, publicistë, artistë e arsimtarë etj., nga Tirana, por dhe nga Kosova. Ndërmjet tyre, pata kënaqësinë të takoja dhe të njihesha nga afër me poetin e shkrimtarin Sejdi Berisha dhe krijuesin tjetër, tashmë të afirmuar, Prend Buzhala. Rasti e solli që me Sejdinë u ulëm pranë e pranë dhe biseduam miqësisht me njëri-tjetrin. Sigurisht, shprehëm kanaqësinë e veçantë, që u takuam dhe u njohëm nga afër. Se, në fakt, që më parë i kishim lexuar shkrimet tona në Internet, por vetëm kaq.

Me këtë rast, Sejdia më dhuroi librat e tij studimorë, “Zejtarët e Pejës” (monografi, 2010) e “Teatri i Pejës” (monografi, 2012). Për secilin nga këta libra voluminozë mund të flitej e të shkruhej shumë. Po theksoj vetëm se tërë krijimtaria e këtij autori është e lidhur pazgjidhshmërisht me vendlindjen e tij. Ndërsa unë i dhashë atij botimet: “Bedri Dedja, në kujtesën tonë” dhe librin publicistik-letrar, kushtuar mbesës sime, “Dorela”. Sigurisht, librat i shoqëruam me shënime dashamirëse.

     

Kur i erdhi  radha Sejdisë që ta merrte fjalën në atë tubim mbresëlënës, dikush në “presidium” tha t’ia afronin mikrofonin. Por ai nuk pranoi të bëhej kjo gjë. Pra, u ngrit nga vendi dhe me hap të shpejtë, si një djalosh, shkoi pranë podiumit e nisi të fliste. Gjithashtu, ligjërimi i tij ishte i zjarrtë dhe me  thellësi mendimi, rreth botimeve me poezi nga autoret e reja: E.Krasniqi, B.Venari e D.Haxhi. Prandaj, drejtuesi i takimit, poeti Koçi Petriti e theksoi këtë gjë dhe e falënderoi për fjalët e tij, aq profesionale.

Ndoshta, nuk do t’i kisha  shkuar këto radhë, kësaj here, nëqoftëse dje nuk do të lexoja një shkrim në Internet, të kolegut e mikut tim, poetit Gjon Neçaj, nga Malësia e Gjakovës (Tropoja). Ai na kujtonte të gjithëve, se poeti, romancieri, dramaturgu, publicist dhe studiuesi i mirënjohur, nga Peja e Kosovës, Sejdi Berisha mbushi 65 vjet të jetës së tij. Dhe, sa mirë, që në këtë jubile ai ka se me çfarë të krenohet. Janë frytet e punës, djersës së dershur dhe krijimtarisë së begatë, me shpirtin e tij njerëzor e atdhetar. Përveç përkushtimit, në fusha të ndryshme të jetës, deri tani ka publikuar afër 30 vepra. Të jem i sinqertë me lexuesit, unë nuk i njoh të gjitha ato. Por, përveç atyre që shënova më lart, po përmend  këtu: “Fjalë e pathënë”(Pejë, 2009), “Njerëzit”, “Kërkoj dhimbjen time”(2011), “Mallkimi i heshtjes”(2011) etj. Vërehet se, brënda një viti, të paktën, ai ka publikuar dy libra të rinj. Ndërsa jam i bindur se Sejdi Berisha, përsëri e përsëri, me këtë vrull krijimi të një të riu, ka shkruar dhe do të publikojë libra të tjerë të bukur.

Në atë bisedë tonë të shkurtër, ne folëm bashkë edhe për Kosovën e për Shqipërinë, për udhën e përbashkët tonën drejt familjes së madhe europiane. Prandaj Sejdi Berisha, njeri i frymëzimeve poetike e i atdhtarizmit të shprehur, kishte besim të plotë, se ditë më të bukura do të vijnë për shqiptarët. Kjo do të ndodhë edhe sepse ne, tashmë, jemi të bashkuar shpirtërisht. Kjo gjë vërehet hapur e qartazi me botimet tona letrare, me shfaqjet artistike, me Abetaren e përbashkët dhe me sa e sa veprimtari të tilla, në shtetet tanë demokratikë.

Kur e kisha përfunduar këtë shkrim të shkurtër dhe do ta nisja për publikim, në adresën time e-mail mbërriti ky mesazh, domethënës e shprehës, për ndjenat e tij të sinqerta e dashamirëse: “Ju faleminderit për fotot dhe për kujdesin e respektin, i nderuari Murat Gecaj! Isha shumë i lumtur, që u takova me Ju, që reflektoni një afërsi dhe ngrohtësi shpirtërore. Fotot e dërguara ia kam përcjellur edhe Prend Buzhalës. Më mbeti merak që nuk erdhët në Pejë… Me respekt: Sejdi Berisha”.

…Në mbyllje të këtyre pak radhëve edhe nje herë  shprehi këtu kënaqësinë, që m’u dha rasti që, pikërisht këto ditë, kur Sejdi Berisha mbushi 65 vjet (gjë që ai nuk ma tregoi në bisedën tonë), të takoheshim dhe të njiheshim nga afër, në kryeqytetin Tiranë. Me këtë rast, i dërgoj atij nga larg përshëndetje të përzemërta dhe urimet më të mira, për shëndet të plotë e jetëgjatësi, krijimtari sa më të bukur e të pasur, begati dhe lumturi familjare!

Tiranë, 5 qershor 2012

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch