Home » Lajme » Urime për Preshevën e Bujanocin

Urime për Preshevën e Bujanocin

SHSHKL “VATRA” në emër të kryesisë së saj dhe në emër të qytetarëve të ndjekur nga Kosova Lindore, në rend të parë  uron  dhe falënderon të gjithë qytetarët për pjesëmarrje masive në votime dhe për  kulturë të lartë demokratike votimi, gjithashtu subjekteve politike shqiptare  në komunën e Preshevës e posaçërisht në komunën Bujanocit, uron fitoren për zgjedhjet lokale në këto komuna. Njëherit  të zgjedhurve të tyre u dëshiron punë, suksese  dhe angazhime të përbashkëta shumë më të mëdha në realizimin premtimeve të tyre dhe plotësimin e kërkesave e nevojave të të gjithë qytetarëve të komunave përkatëse. Posaçërisht shpreh kënaqësinë që komuna e Bujanocit do të qeveriset nga shumica shqiptare, ashtu edhe siç e kanë merituar  dhe siç u takon.

Fal përpjekjeve të vazhdueshme, posaçërisht sakrificës së popullit shqiptar të këtij rajoni gjatë dhe pas luftës së vitit 2001, në komunën e Bujanocit në dy palë zgjedhje,  shqiptarët  arritën të sigurojnë shumicën udhëheqëse në komunë, sikurse edhe këtë herë, përkundër pengesave të shumta që krijoi pushteti serb, me qëllimin e vetëm, që shqiptarët të mos e qeverisin komunën  e Bujanocit.

Pra, përkundër trysnisë së pushtetit dhe ligjeve serbe, shqiptarët e Kosovës Lindore, me dinjitet e mençuri, me tolerancë  e të bashkuar ditën t’i përballojnë sfidat që u dolën përpara dhe besojë që do të dinë që edhe në të ardhmen me një vizion do t’i përballojnë Ivica Daçiqit, pasardhësit të Millosheviqit, dhe Daçiqëve tjerë dhe në një moment të caktuar Presheva, Bujanoci e Medvegja do të jen pjesë e  trungut të vet-Kosovës.

Urojmë që partitë politike dhe lidershipi i tyre të zgjedhin organet komunale sa më shpejt,  dhe së bashku  të angazhohen sa më shumë në përmbushjen e obligimeve të qytetarëve, në zgjidhjen e  problemeve të shumta të tyre që nuk janë zgjidhur deri më tash dhe të atyre që do të dalin përpara. Posaçërisht do të çmojmë interesimet tuaja, dhe besojë se do t’i keni prioritet në këto 4 vitet e ardhshme, kërkesat e qytetarëve të ndjekur nga komuna e Bujanocit, të cilët janë të vendosur në Kosovë e gjetiu dhe kërkesat e qytetarëve të Malësisë së Bujanocit  të cilët janë duke jetuar në vatrat e tyre.

 

Ju urojmë të gjithëve punë të suksesshme në rrugën plot sfida.

 

Gjilan, 8. 5. 2012

SHSHKL “VATRA”

__________________

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch