Home » Opinione » Uskana tani është shqiptare o vojvoda kryeministër!

Uskana tani është shqiptare o vojvoda kryeministër!

Pak ditë më parë,zgjedhjet lokale në Maqedoni,ofruan në kampin shqiptar një triumf të cilin mund t’a quajmë pa asnjë frikë si “Historik”!

Kërçova ose Kiçevo e sllavëve të Maqedonisë,tashmë për herë të parë në historinë e saj kaloi ligjërisht nën administrimin shqiptar.

Gjithçka tjetër e ndodhur ndërkohë në këto zgjedhje,kalon automatikisht në plan të dytë për shqiptarët dhe ky rezultat hyn kështu me të drejtë në analet e fitoreve më të mëdha të popullit tonë në atë vend.

Kërçova ishte domosdoshmërisht bastioni i shqiptarizmit i cili nevojitej të fitohej me çdo kusht,në këtë që ishte rasti i parë që u paraqitej shqiptarëve për të vënë nën kontrollin e tyre administrativ këtë qytet që i yni është,ka qenë gjatë historisë së tij të gjatë e i tillë do të jetë përjetë.

Pikërisht për shkak të kësaj rëndësie themelore që ky qytet paraqet për shqiptarët që aty banojnë,por edhe për miliona të tjerë në Maqedoni,Shqipëri,Kosovë e tërë botën ku ata mund të jetojnë,prandaj pra beteja zgjedhore aty mori trajta vendimtare dhe u ndoq me një vëmendje të veçantë deri në shpalljen e rezultatit final.

Rreth 1500 vota diferencë mes kandidatëve të dy etnive rivale,pra afërsisht 52% të votave për Fatmir Deharin shqiptar,mundësuan këtë fitore e cila gëzoi çdo zemër shqiptare që këtë ngadhënjim mbi sllavët e priste prej kohësh të pakujtueshme.

Jo shumë ditë para zgjedhjeve,vojvoda kryeministër,kishte qenë ai që pati përdorur një seri batutash e fjalish provokuese ndaj kandidatit shqiptar për këtë qytet,duke shkuar si i çartur aq larg sa të “kërcënonte” Deharin,por bashkë me të edhe gjithë shqiptarët e Kërçovës…që po të mos e donin Maqedoninë,ata duhej të iknin në Shqipëri!

-“Kërçova nuk mund të jetë kurrë Shqipëri e madhe”!-ishte çjerrur vojvoda!

-“Kush do t’a bëjë Kërçovën Shqipëri,le të iki në Shqipëri vetë se këtu është Maqedoni”-kishte vazhduar ai me deklamimet e tij nacionaliste.

Ky njeri ndërkohë,që është kryeministri i zgjedhur demokratikisht i një vendi (në dukje të paktën) të lirë,harron sa herë që e zënë ethet nacionalisto-romantike se ai në atë post ku ndodhet,nuk përfaqëson vetëm etnitetin e tij të “dyshimtë” sllav Maqedonie,por edhe rreth 30% të paktën…qytetarë të tjerë të atij vendi të nacionalitetit shqiptar.

Pra kur ai ia nis të gërthasi sa i ha rryli i fytit,nëpër mitingje apo mbledhje qeverie ose takimesh fantomatikë me biznesmenë të dyshimtë indianë,ndërsa shan e fyen sa herë i jepet rasti “armiqtë” shqiptarë,ai duhet të ketë parasysh se në një vend demokratik,aq më tepër me një legjislacion (pas Marrëveshjes së Ohrit) e kushtetutë shumëetnike,ai pra përfaqëson të gjithë banorët e vendit të tij e aq më tepër ata që përbëjnë nacionalitetin e dytë më të madh atje.

Sipas kësaj “filozofie” përjashtuese të vojvodës kryeministër,po tani që Uskana u fitua nga shqiptarët…çfarë do bëjë ai,çfarë kundërmase do ndërmarri ai si përgjigje ndaj kësaj gjëje?

Do i shpalli “non grata” në IRJ Maqedoni të 17 e ca mijë shqiptarët që votuan për Deharin dhe e bënë atë të fitojë?

Largqoftë do i përzërë të gjithë siç pëlliste në mitingun histerik të VMRO-së në Kërçovë para zgjedhjeve,në Shqipëri?

Do e arrestojë kryetarin e ri të komunës në fjalë meqë ai është shqiptar?

Do çojë atë palo ushtri që ka shteti i tij,të cilës Ushtria Çlirimtare Kombëtare ia theu hundët keqas në 2001-shin,për të të shtypur këta shqiptarët triumfues në zgjedhje?

Apo do rrijë në zyrën e vet në Shkup,aty afër parkut të gjelbëruar të qytetit,stadiumit me emrin e vjedhur të Filipit (i cili nga e ëma Euridika ishte me origjinë pikërisht nga fisi ilir uskanas i Lynkestëve) dhe lumit Vardar (Bardhar në shqipen e lashtë ndoshta)?!

Si përfundim vojvoda kundër këtij evenimenti të madh kombëtar për të gjithë shqiptarët,nuk mund të bëjë gjë prej gjëje dhe pikë!

Ai nuk ka në dorë asgjë përveç retorikës së tij të zbërdhylur nacionaliste,një kopjimi tejet të dobët të fjalimeve zjarrnxitëse të Millosheviçit këtu e 30 vite më parë.

Por ajo që vojvoda kryeministër bën sikur e harron qëllimisht,është se Sllobo kur lëshonte kërcënime e bënte “be e rrufe” se do mbronte serbët kudo që të ishin,qoftë edhe me pushime në tropik apo Maldive,ai ndërkohë kishte prapa vetes një shtet ende të fortë,një ushtri të mirëpajisur me armatimin e përparuar të asaj periudhe e po ashtu edhe aleatë të heshtur në Perëndim e të tjerë shumë të zëshëm si Rusët në Lindje!

Këto detaje vojvodës nuk i interesojnë aspak sidoqoftë.

Ideja e tij e të qëndruarit në pushtet sa më gjatë të jetë e mundur,konsiston në atë që ai të ngrejë sa më shumë monumente idioteske mes Shkupit,të vjedhi një për një heronjtë e Bullgarisë,Greqisë,Shqipërisë e padyshim edhe të të gjorëve maqedonas të lashtë të cilët prej 2 mijëvjeçarësh gati nuk ekzistojnë më!

Filozofia e tij populiste i bën shqiptarët fise malësorësh që kanë pushtuar kohët e fundit Maqedoninë e tij të dashur,grekët i sheh si ish-të nënshtruar të Aleksandrit të Madh që në ëndërrat vojvodase ka qenë në mos gjyshi i tij,të paktën xhaxhai i këtij kryeministri me imagjinatë të sëmurë shumë të zhvilluar,bullgarët janë thjesht ca tartarë të pagdhëndur stepash që nuk meritojnë asnjë respekt e serbët ca sllavë me mendim të lartë për veten të cilët kanë “guxuar” t’u gllabërojnë maqedonasve të tij,kishën e tyre autoqefale.

Të vetmit nga ato anë që aty janë me “të drejtën hyjnore” janë vetëm sllavët maqedonas kështu!

Prandaj këta shqiptarët që ngrehen kaq shumë për Kërçovën,meritojnë atë fjalor përçmues nga vojvoda kryelartë i cili përherë di t’i dali në mbrojtje atdheut e rracës së tij “fisnike”!

Por ajo që ka rëndësi është se gjithçka që vojvoda prej kohësh di të bëjë,janë vetëm fjalët e asgjë më tepër.

-“Verba volant”…fjalët fluturojnë thonin dikur latinët e po sipas këtij rregulli formësohet efekti “vojvodë” sa herë që ai ia merr këngës së vjetër e tashmë të njohur të kërcënimeve të tij.

Fluturojnë në erë e nuk i dëgjon e aq më pak t’i marri seriozisht askush ndër shqiptarë,pallavrat e këtij njeriu i cili jo shqiptarëve,por popullit të tij sllav të atij vendi,po ia nxjerr ujin e zi prej 7 vitesh që kur ka ardhur në pushtet.

Ato çfarë atij i dalin si vrer e helm nga goja,janë gjëra që ai vetë e di se nuk i bëjnë përshtypje të veçantë askujt nga ata që ai kërcënon (shqiptarët),por ai njëkohësisht e di mirë se qëllimi i tij kur shprehet në atë mënyrë si një diktatoruc kohësh të tjera i ndonjë republike bananesh karaibike,janë në realitet veshët plot dyll nacionalist të bashkëkombasve të tij sllavë Maqedonie.

Ata po që e dëgjojnë e shumica e tyre akoma edhe i besojnë këtij humbamenoje që e kanë vënë t’i “kryeministrojë”!

I besonin kur para disa vitesh u thoshte se shqiptarët do i shkelte me këmbë dhe se sllavëve të tij të Maqedonisë do ua kthente në vend nderin e nëpërkëmbur në 2001-shin.

I besuan edhe kur vrau ndonjë shqiptar të pafajshëm pasi erdhi efektivisht në pushtet.

I besuan kur përjashtoi partinë më të madhe shqiptare (atë të luftës) nga pushteti.

I besuan edhe kur më pas u detyrua të lëpijë e të hajë jashtëqitjen që kishte thënë e bërë vetë…dhe kur pranoi futjen e asaj partie në qeveri.

I besuan sllavët e tij kur tha që Shkupin do e mbushte në çdo kënd me monumente,harqe të pakuptueshme triumfi (kopjim i modelit kinez të dorës së dytë të atij në Paris) e ngrehina nga më absurdet.

I besuan ndërsa i detyruar nga rrethanat,shqiptarëve të urryer nisi t’u linte një nga një edhe ministri me peshë reale e jo vetëm ato ku dridhnin çelësat e kashtës si më parë,pra ekonominë.mbrojtjen,integrimin etj.

I besuan edhe kur për të fituar vetë ndonjë pikë elektorale,vrau pesë bashkëqytetarë të gjakut të vet,e më pas me këtë qëllim akuzoi ekstremistët shqiptarë.

I besojnë edhe pse vendin e ka bllokuar nga çdo anë,edhe pse ka 8 vite që ai shtet ka marrë kandidaturën për BE e akoma nuk ka hapur bisedimet antarësuese,edhe pse në NATO nuk hyjnë që nuk hyjnë dot dhe vetot janë bërë dy pasi në këtë vallë është futur edhe Bullgaria.

Por sllavët e Maqedonisë i besojnë sepse tashmë,ai për t’u bërë i besueshëm në sytë e tyre,3 javë para zgjedhjeve lokale,çon ca huliganë futbolli që të rrahin ndonjë fëmijë shqiptar e më pas vetë vojvoda kryeministër ia fut piskamës në mes të Kërçovës (pafytyrësi historike kjo,pasi po ky njeri vetë më parë ka nënshkruar bashkimin me këtë komunë të disa rajoneve të afërta shqiptare,gjë që bën që qyteti tashmë të ketë shumicë të këtij komuniteti)…e “gëfurret” si të ishte ndonjë komit VMRO-je i dikurshëm,duke treguar me gisht nga agjitatorët shqiptarë të cilët po pushtojnë atë cep të Maqedonisë.

U fry si gjel vojvoda,pra “u mbars mali e polli një mi” si përfundim sepse zgjedhjet përfunduan ashtu siç çdokush me tru në kokë do të kishte parashikuar.

Pra shqiptarët fituan,shfrytëzuan të drejtën e tyre si shumicë e votuan masivisht duke ardhur për këtë qëllim edhe nga emigrimi dhe rezultati iu buzëqeshi atyre siç pritej.

Me kaq kjo histori ka mbaruar në terren.

Kërçova e cila për shqiptarët nevojitet të quhet sa më shpesh ashtu siç emrin e ka prej vërteti,pra Uskana,tashmë është në duar shqiptare me ligj e aty më në fund bashkëatdhetarët tanë do të kontrollojnë jetën e qytetit ku gjithmonë kanë banuar edhe shumë kohë para se fiset sllave të zbrisnin në rajonin e trojet tona.

Në këtë mënyrë një copë tjetër e Maqedonisë ku drejton ky njeri që ndihet vojvodë e maqedonas sllavo-antik përpara se thjesht siç duhet të jetë në realitet,pra kryministër i të gjithë banorëve të atij vendi,pa diferencë etnie,feje e rajoni…u mor në kontroll nga shqiptarët.

Vojvoda për këtë fakt kam bindjen se ka qenë i ndërgjegjshëm prej shumë kohësh e aq më tepër teksa ulurinte atë natë në mitingun e partisë së tij në Kërçovë duke i “ftuar” shqiptarët që po qe se do votonin kandidatin e tyre,atëherë të niseshin në Shqipëri!

Po në të njëjtat zgjedhje,sipas të gjitha parashikimeve,sllavët e Maqedonisë,të cilët me shumicë personifikohen me këtë personazh dogmatik,aspak karizmatik,kopjac,vjedhës ordiner të fqinjëve të vendit të tij dhe demagog të regjur…shqiptarët nuk vendosën fare që të marrin udhën për në Shqipëri,por në raundin e dytë të zgjedhjeve do të fitojnë edhe dy komuna të tjera me popullsi të përzjerë,pra Dollnenin dhe Strugën.

Kështu harta e “pushtimit” shqiptar të Maqedonisë sllavo-antike të vojvodës dhe atyre që e votojnë,do të zgjerohet sërish e do t’i afrohet edhe lindjes së atij vendi.

Në Dollnen,kandidatët shqiptarë të RDK-së me 1.73%,të BDI-së me 26.51% dhe të PDSH-së me 24.59%,arrijnë bashkë në gati 53% të votave në turin e dytë.

Kurse në Strugë ku kandidati sllav Maqedonie me vota të bashkuar të gjithë subjekteve politike të asaj etnie,fitoi në turin e parë,aty shqiptarët kompleksivisht morën 58.89% të votave,gjë që do të thotë se në turin e dytë rezultati është i garantuar po pati bashkëpunim ndërshqiptar.

Fatkeqësia e këtyre zgjedhjeve mbeti zona dikur shqiptare (myslimane dhe ortodokse) e Mavrovës,aty ku kanë lindur Nikolla Dibrani,gjyshi i Migjenit dhe poeti rilindas Josif Bageri,ku tashmë nuk gjendet këmbë shqiptari e ku në garë nën siglën e formacioneve politike maqedonase sllave konkurojnë ish-shqiptarë të cilët ende nuk i kanë shtuar “ski-në” sllave mbiemrit të tyre si për shembull:”Mukrem Memedi i VMRO-së,Zenun Zenuni i Partisë për Ardhmërinë Europiane të maqedonasve myslimanë dhe Samir Ajdini i LSDM-së në opozitë”!

Por ajo që mbetet është sidoqoftë përparimi i dallueshëm qartë i shqiptarëve,të cilët tashmë dominojnë edhe ligjërisht,me kryetarët e komunave më të rëndësishme në perëndim të Maqedonisë dhe këshillat e tyre komunale.

Ndërsa vojvoda bërtet nëpër sheshe,ai me anë të këtyre manovrave ndjellëse për votuesit rracistë antishqiptarë të etnisë së tij,siguron votat e nevojshme për të mbetur në karrigen e tij kryeministrore dhe për të fituar zgjedhjet lokale të rradhës,por në të njëjtën kohë,ekspansioni shqiptar brenda vendit që ai drejton tashmë është bërë i pafrenueshëm.

Ky është lajmi i madh i këtyre zgjedhjeve në IRJ Maqedoni,i cili do të kurorëzohet më së miri në turin e tyre të dytë me dy komuna të tjera të fituara nga shqiptarët.

Uskana u kthye pra në emrin e saj,ajo është sërish shqiptare,t’a gëzojmë këtë fitore të madhe për të gjithë ne!

Nga Elvi Sidheri


	
		

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch