Home » Lajme » Valmir Elezi: KQZ do të veprojë në përputhje me vendimet e PZAP-it

Valmir Elezi: KQZ do të veprojë në përputhje me vendimet e PZAP-it

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka pranuar sot vendimet e PZAP-së lidhur me ankesat e disa subjekteve politike lidhur me mos certifikimin e tyre për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë para mediave se KQZ do të veprojë në përputhje me vendimet e PZAP-it dhe Gjykatës Supreme.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar vendimet nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, përmes së cilave vërtetohen vendimet e KQZ-së. KQZ do të veprojë në përputhje me vendimet e PZAP, do të presim sepse në fund të tyre ka këshilla juridike, sipas të cilave është e lejuar ankesa në Gjykatën Supreme”, ka thënë Elezi.

Elezi ka shtuar se ju takon palëve që janë ankuar në PZAP ëpr të vazhduar apo jo ankesën në Gjykatën Supreme brenda afatit 24 orësh.

Ai ka shtuar se pastaj Gjykata Supreme ka afat prej 72 orësh që të vendos lidhur me ankesat që dorëzohen në këtë institucion.

PZAP-ja me anë të vendimi ka vendosur të mos certifikoj kandidatët për deputetë të cilët janë të dënuar në tri vjetët e fundit. 

Sipas vendimit të publikuar nga PZAP, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi-Murtezi, nuk mund të certifikohen për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt.
Ndaj këtij vendimi, Vetëvendosje mund të ankohet në Gjykatën Supreme.

Tre kandidatët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, Gani Dreshaj, Rrahim Ajeti dhe Shqipe Kastrati sipas vendimit të PZAP-së, nuk do të mund të zëvendësohen me kandidatë të tjerë. 

Në ankesën e parashtruar nga Nisma Socialdemokrate, PZAP ka refuzuar një pjesë të apelit, kurse ka vërtetuar vendimin e KQZ-së për mos certifikimin e kandidatëve të këtij subjketi: Vesel Krasniqi, Besnik Berisha, Filloreta Bytyçi, Valentina Alijaj, Xhafer Berisha, Aziz Thaçi, Musa Fetahaj, Hasime Daka, Fatmir Gërdellaj, Vehbi Avdullahaj, Endrit Shala dhe Ardian Nokaj.

Në pikën e dytë të vendimit të PZAP-së thuhet se “Pranohet pjesërisht apeli i subjektit politik NISMA Socialdemokrate, ndryshohet vendimi Nr. 242-2021 i datës 22.01.2021 i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me seli në Prishtinë, dhe vendoset si në vijim: Pranohet pjesërisht rekomandimi i ZRPPC-së, certifikohet subjekti politik Nisma Socialdemokrate dhe lista e kandidatëve për deputet të këtij subjekti politik, me përjashtim të kandidatëve të cekur si në pikën I, të dispozitivit të këtij vendimi”.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch